Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: S’mund të pengohet shtrirja e EULEX-it


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Janë rritur tensionet në veriun e Kosovës, pas incidentit në Lagjen e Boshnjakëve, ku u dëmtuan 9 vetura dhe u sulmua një vajzë 16 vjeçare. Kryeministri Thaçi ka dënuar incidentet, ndërsa ka thënë se askush s'do të mund të pengojë shtrirjen e EULEX-it.


Incidentet e mbrëmshme në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës janë cilësuar nga Qeveria e Kosovës si përpjekje për të penguar shtrirjen e EULEX-it. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se gjithçka është ende në proces të zbardhjes së ngjarjes. Megjithatë, ai është shprehur i vendosur se asgjë nuk do të mund të pengojë vendosjen dhe shtrirjen e EULEX-it.

“Ky proces duhet të përcillet përmes dialogut, paqes dhe stabilitetit. Nuk do të ketë vend për ekstremistë radikalë, struktura paralele apo jolegjitime. Ligji do të funksionojë në gjithë territorin e Kosovës, edhe në veri, dhe EULEX-i do të jetë edhe atje, që ditën e parë”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Mbrëmë, në Lagjen e Boshnjakëve, policia ka njoftuar se brenda një qarku të shkurtër kohor, persona, deri tash të panjohur, kanë dëmtuar të paktën 7 vetura civile dhe dy vetura zyrtare. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, jep hollësi:

“Policia ka regjistruar dëmet e shkaktuara kryesisht në xhamat e veturave me targa ‘KS’, të cilat besohet se janë shkaktuar me përdorim të disa sferave metalike nga ana e personave ende të paidentifikuar. Një rast i ngjashëm i dëmtimit kriminal të automjetit është regjistruar rreth orës 22:30, në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, të parkuar në rrugën “Knjaz Millosh”, në veri të Mitrovicës, ndërsa në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, policia e Kosovës ka regjistruar dëme materiale në një veturë të UN-it”, njoftoi zëdhënësi Hoti.

Por, përveç dëmtimeve të veturave, po mbrëmë në Lagjen e Boshnjakëve është regjistruar edhe një sulm ndaj një vajze gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Hoti thotë se policia e ka konsideruar këtë si sulm me motive ndëretnike.
“Rastin e sulmit fizik ndaj vajzës 16-vjeçare e konsiderojmë si rast tipik me motive ndëretnike, marrë parasysh ankesën e viktimës mbi sulmuesit e saj të nacionalitetit serb”, tha Hoti.

Policia nuk ka të dyshuar e as të arrestuar lidhur me këto raste, por beson se bëhet fjalë për një grup të njëjtë, meqë të gjitha incidentet në vetura kanë ndodhur në të njëjtën ditë dhe dëmtimet janë të njëjta. Kjo, sipas autoriteteve të rendit, e rëndon edhe më tepër situatën e sigurisë, e cila në veriun e Kosovës vazhdon të mbetet e brishtë.

Ndryshe, incidentet në veri shënohen pak ditë para se të fillojë punën misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, zyrtarë të të cilit kanë premtuar se do të shtrihen edhe në veri, pa marrë parasysh kundërshtimet e serbëve lokalë ndaj këtij misioni.

Serbët lokalë të mbledhur në të ashtuquajturin Kuvend i Komunave Serbe të Kosovës, kanë marrë një qëndrim ndaj vendosjes së EULEX-it. Kryetari i këtij Kuvendi, Marko Jakshiq, shpjegon:

“I vetmi partner për ne mbetet UNMIK-u. Sa i përket EULEX-it, ne ndaj tyre nuk do të përdorim kurrfarë dhune, por me ta as nuk do të bashkëpunojmë, pra do t’i injorojmë. Do të thotë, përfundim i Kuvendit të Komunave Serbe është qëndrimi unik se UNMIK-u mbetet misioni i vetëm valid në territorin e Kosovës”, tha Jakshiq, i cili ka shtuar se nuk do të kundërshtojnë me forcë praninë e EULEX-it në veri.

“Nëse ata vendosin të shtrihen në veri, ne nuk do rrihemi me ta, por as nuk do shoqërohemi me ta. Pra, nuk do ushtrojmë dhunë ndaj tyre”, tha Jakshiq.

Ndryshe, shtrirjen në veri të EULEX-it e kanë kërkuar së fundi edhe ministrat e jashtëm të NATO-s, të cilët kanë konstatuar se dislokimi sa më i shpejtë i EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, është çështje urgjente.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG