Ndërlidhjet

logo-print

Në një konferencë rajonale për sigurinë në Ballkan, e cila është mbajtur në Prishtinë, është thënë se përkundër trendeve pozitive, ekzistojnë ende bindje se Ballkani duhet të ridefinohet dhe shtetet të ndërtohen mbi parimet etnike.




Siguria në rajonin e Ballkanit mbetet e brishtë me tendenca të kthimit të mentalitetit dhe logjikës politike nga e kaluara, është thënë në një debat rajonal për gjendjen e përgjithshme të sigurisë, të organizuar nga KIPRED.

Panelistët që vinin dhe nga kabinetet e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë, si edhe analistët politikë, thanë se po vërehet një paaftësi e vendeve të rajonit që të ulen e bisedojnë për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.

Ndërkaq, lidhur me Kosovën dhe Maqedoninë, u përmendën dy çështje kryesore që reflektohen edhe në sigurinë e përgjithshme të rajonit.

Fjala është për emrin kontestues të Maqedonisë dhe pjesën veriore të Kosovës që mbetet jashtë kontrollit të autoriteteve.

Këshilltari për siguri i kryeministrit të Kosovës, Dukagjin Gorani, tha se veriu i Kosovës për nëntë vjet ka qenë dhe mbetet i ndarë. Ai tha se për veriun nuk mund të flitet se kur ky problem do të mund të zgjidhet.

“Unë e di që për kosovarët fjalia më e mërzitshme është që politika është një proces. Edhe nuk mendoj që karshi problemeve si veriu i Mitrovicës duhet të shtrohen pyetje, si ajo deri kur. Kjo do të zgjasë deri atëherë kur do të kryhet. Veriu i Kosovës edhe ashtu nuk ka qenë i futur nën kornizën ligjore të Kosovës. Madje, të jemi më të sinqertë, problemet e rendit e ligjit nuk janë më të lehta as këndej Ibrit”, tha Gorani.

Në anën tjetër, këshilltari i kryeministrit Nikolla Gruevski, Stevo Pandellovski, tha se vendi i tij, Maqedonia, ka ende pengesa serioze që të funksionojë si shtet, për shkak të problemeve me emrin.

Ai e çmoi lart marrëveshjen Prishtinë – Shkup për demarkacionin e kufirit, ndërkaq tha se mbetet kërcënim më vete gjendja në veriun e Kosovës, për shkak të raporteve të Kosovës me Serbinë.

”Ju de fakto e keni të ndarë pjesën veriore. Ky është një realitet dhe, sipas bindjes sime, autoritetet në Prishtinë nuk duhet të jenë krejtësisht të bindura se përkrahja aktuale ndërkombëtare do ta ruajë tërësinë e Kosovës”, tha Pandellovski.

Ndërkohë, analisti i KIPRED-it, Ilir Deda, tha se problemet e grumbulluara dhe paaftësia e strukturave aktuale në pushtet, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, që t’i zgjidhin këto probleme, po i shtojnë bindjet te disa qendra politike se problemi mund të zgjidhet përmes ridefinimit të kufijve në Ballkan mbi bazat dhe parimet etnike.

“Ekziston një përputhje e disa qendrave politike në Prishtinë dhe në Beograd për një ridefinim të madh të marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe ky ridefinim do të thotë edhe një kufi tjetër natyror ndërmjet shqiptarëve e serbëve, i cili nuk do të lejojë që të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan, por që të kemi Shqipërinë etnike apo natyrale dhe një Serbi të zgjeruar me veriun e Kosovës dhe Republikën Serbe në Bosnje”, tha Dedaj.

Sidoqoftë, në debat u tha po ashtu se Serbia po jep disa shenja që shtojnë bindjet se ky vend po e njeh realitetin e ri në Kosovën e pavarur, por ajo që Serbia nuk ka hequr dorë, mbetet pjesa veriore e Kosovës. Probleme të tilla, që ekzistojnë edhe në relacionet mes vendeve tjera, u tha se reflektojnë edhe në sigurinë e mbarë rajonit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG