Ndërlidhjet

Shëndetësia në gjendje alarmante?


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë aktuale për problemet aktuale në sektorin e shëndetësisë. Në seancën parlamentare, ku ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, u paraqit në interpelancë, deputetët kërkuan kthimin e shëndetësisë në prioritet kombëtar.


Kuvendi i Kosovës ka debatuar për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, ku me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë ishte ftuar të paraqitej në interpelancë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.

Deputetët e partive opozitare në Kuvend, gjatë kësaj seance, kanë hedhur një mori kritikash dhe akuzash në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila, sipas tyre, nuk ka arritur të bëjë as përmirësimin më të vogël në gjendjen, që, siç u shprehën ata, është më e rënda që nga përfundimi i luftës, nëntë vjet më parë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, tha se kritikat për gjendjen aktuale në sektorin e shëndetësisë nuk duhen adresuar vetëm ministrisë përkatëse, por, sipas tij, shkaqet për problemet në këtë fushë i takojnë koalicionit qeverisës PDK-LDK.

"Sistemi shëndetësor në vend ka hyrë në një gjendje alarmante apo më mirë të themi katastrofike. Ka nëntë vjet që shëndetësia kosovare dirgjet. Meritat më të mëdha për këtë gjendje të mjerueshme të shëndetësisë kosovare i kanë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës", tha Zeneli.

Mungesa e legjislacionit, mungesa e strategjisë shëndetësore, ajo e sistemit financiar dhe atij të informimit shëndetësor, pastaj mungesa e sistemit të shërbimeve shëndetësore, janë paraqitur si mangësi kryesore në sektorin e shëndetësisë nga deputetët e Kosovës.

Ata thanë se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të merrte parasysh vërejtjet e mëparshme, sikurse ka qenë raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për problemet e shëndetësisë në Kosovë.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zylfie Hundozi, tha se shëndetësia duhet të kthehet në prioritet kombëtar.

"E di që është iluzore që të presim përmirësime të menjëhershme pas situatës në të cilën ka qenë shëndetësia në këto nëntë vjet. Por, një mobilizim i tërësishëm i qeverisë duke e ndërruar qasjen ndaj këtij sektori, gjegjësisht duke e kthyer në prioritet kombëtar shëndetësinë, mund t'i kthejë punët për së mbari", vlerësoi Hundozi.

Gjatë kësaj seance u diskutua edhe për arrestimet e mëparshme të mjekëve dhe të pronarëve të klinikave private, të cilët vepronin pa leje nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas deputetëve, mënyra e arrestimit të mjekëve në fjalë, e cila ishte bërë në praninë e mediave, është e papranueshme dhe përbën shkelje të dinjitetit të mantelbardhëve. Deputeti i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Makolli, foli për qëndrimin e AKR-së për këtë çështje.

"Burgosja e mjekëve, e kolegëve tuaj zotëri ministër, besoj që nuk do të duhej të kalohej kaq lehtë dhe pasojat që janë shkaktuar me rastin e arrestimit të tyre sikur ata të ishin kriminelë të dorës së parë", theksoi Makolli.

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, iu përgjigj këtyre kritikave, duke thënë se gjendja aktuale në shëndetësinë kosovare pritet të përmirësohet në vitin 2009, ku, sipas tij, Ministrisë së Shëndetësisë do t'i mundësohet, falë rritjes së buxhetit, angazhimi në përmirësimin e defekteve aktuale. Gashi premtoi reforma në pjesë të ndryshme të sistemit të shëndetësisë.

"Për investime kapitale në shëndetësi janë realizuar më së dhjetë milionë euro. Vitin tjetër do të ketë më shumë investime, si nga buxheti vendor, ashtu dhe nga Konferenca e Donatorëve",
tha ministri Gashi.

Mungesa e barërave, mungesa e hapësirave dhe e mjeteve adekuate për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, janë disa nga problemet me të cilat aktualisht ballafaqohet shëndetësia kosovare.
XS
SM
MD
LG