Ndërlidhjet

“EULEX-i e serbët shpërfillin njëri-tjetrin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë e ka ndarë mendjen që më 9 dhjetor të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht vendimit të marrë të enjten në kuvendin e të ashtuquajturës Bashkësi e Komunave serbe që EULEX-i të bojkotohet nga të gjithë serbët e Kosovës. Duke e komentuar këtë vendim, shefi i Zyrës së informimit në misionin evropian, Viktor Reuter, ka thënë se serbët e Kosovës duhet t’i japin besimin misionit të EULEX-it, që, sipas tij, do t’i heqë të gjitha dyshimet e ngritura për të. “Ne do të punojmë nga 9 dhjetori, ndërsa rezultatet do të flasin për vete”, ka shtuar Reuter...

EPOKA E RE
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, pritet që sot (e premte) zyrtarisht të shpallë se misioni EULEX në Kosovë do të fillojë të veprojë në mënyrë operacionale më 9 dhjetor, kanë thënë të enjten burime në Bruksel, të afërta me BE-në. Sot (e premte), pas konsultimeve në Komitetin e BE-së për Politikë dhe Siguri, me planin për fillimin e veprimit të EULEX-it do të njoftohen edhe qeveritë e vendeve anëtare të BE-së. “Nëse nuk do të ketë vërejtje, gjë që beson se jo, Solana më pastaj do ta bëjë publike se misioni EULEX, më 9 dhjetor do ta ketë gatishmërinë fillestare operacionale”, kanë thënë këto burime...

KOSOVA SOT
Mospajtimet për emrin e njeriut që do të jetë udhëheqësi i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shtyrë planifikimet për shuarjen e TMK-së më 10 dhjetor... “Shtyrja e këtij procesi është si pasojë e ngecjes së emërimit të komandantit të FSK-së. Ky proces ka qenë dashur të përfundojë sipas agjendës me zyrtarizimin a emërimin nga ana e Qeverisë së Kosovës të komandantit të FSK-së. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani, andaj TMK-ja do të vazhdojë me punë dhe aktivitete të përditshme edhe më tej, deri në rrumbullakimin e këtij procesi”, thuhet në komunikatën e TMK-së... Zyrtarë të lartë të TMK-së kanë shpjeguar për gazetën në kushte anonimiteti se Sylejman Selimi, kreu aktual i TMK-së, ka dalë favorit nga bordi për përzgjedhjen, mirëpo emri i tij ka rezultuar momentalisht i papranueshëm për strukturat e tjera ndërkombëtare në vend...

EXPRESS
Shkencëtarët, filozofët, mediat e përcaktojnë zakonisht llojin lidershipit në sferat e ndryshme të pushtetit. Blerim Shala beson se në Kosovë ndërrimi i kualitetit të lidershipit është i mundshëm vetëm duke u bërë pjesë e partive politike. Nuk është krejt sikur modeli i Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit, të cilët kishin provuar këtë sfidë me partitë e tyre. Është diçka sikur modeli i “celebritetit” i Hashim Thaçit, i cili mblodhi një grumbull figurash të establishuara në opinion për t’i futur në strukturën origjinale të PDK-së përpara zgjedhjeve të nëntorit 2007. Veçse Blerim Shala është shkuarja e vetme tek AAK-ja e Ramush Haradinajt. Qëllimi është po ashtu i ngjashëm. Rikthimi në Qeveri. Blerim Shala beson se AAK do të ketë gjasa nëse minimumi dyfishon numrin e deputetëve që ka. Ai po ashtu flet me pozitivistet për koalicionin e dikurshëm LDK-AAK dhe të “vegjlit”. Në intervistë për Express, një figurë e njohur për ngjarjet politike të Kosovës (Blerim Shala), shpalos pikëpamjet e tij për rrugëtimin e ri kah Ramush Haradinaj...

ZËRI
Nuk është konfirmuar përfundimisht nëse Kryesia e LDK-së do të mblidhet apo jo sot dhe përcaktohet për dy emrat e zëvendësministrave, poste këto që qëndrojnë të zbrazëta në Qeverinë e Kosovës. Partneri i PDK-së në koalicion, LDK-ja, ka nisur debatin për të emëruar zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë si dhe atë të Forcës së Sigurisë, por ende nuk konfirmohet nëse ka ende vetëm dy emra apo ka disa emra konkurruesish. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, tha se diskutimi në Kryesi tashmë ka filluar, ku është diskutuar për kriteret, por ende nuk ka ndonjë përcaktim final. “Tash për tash nuk mund ta konfirmoj nëse Kryesia e LDK-së do të mblidhet apo jo të premten për ta diskutuar këtë çështje”, tha Miftari, duke shtuar se ai beson që çështja në fjalë do të përmbyllet së shpejti...

BOTA SOT

Kryeministri Hashim Thaçi është i bindur se nuk do të ketë asnjë pengesë që do të mund të ndalojë zgjerimin e EULEX-it në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e në këtë kuadër edhe në veri të Mitrovicës. Pa dashur të paragjykojë nëse incidenti në veri të Mitrovicës është përpjekje për të penguar vendosjen e EULEX-it edhe në atë pjesë të Kosovës, Thaçi tha se gjithçka është në proces të zbardhjes së rastit, por që, sipas tij, mbi çdo incident të izoluar, misioni ynë do të ngadhënjejë. “Ky proces duhet të përcillet nëpërmjet dialogut, paqes dhe stabilitetit. Nuk do të ketë vend për ekstremistë radikalë, struktura paralele apo jolegjitime. Ligji do të funksionojë në gjithë territorin e Kosovës, edhe në veri, dhe EULEX-i do të jetë edhe atje që ditën e parë”, ka siguruar kryeministri Thaçi. Ai i bëri këto komente pas takimit me ministren për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Qeverisë së Suedisë, Gunilla Clarsson...

LAJM
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në Konferencën e këshilltarëve internacionalë në Qendrën Strategjike për Studime Internacionale. Konferenca e këshilltarëve internacionalë, ku janë të përfaqësuara rajonet nga e gjithë bota, mbahet tri ditë me radhë në çdo fundvit në selinë e Qendrës Strategjike për Studime Internacionale (CSIS) në Uashington. Lideri i AKR-së, Pacolli, i cili është zgjedhur qysh vitin e kaluar këshilltar internacional në CSIS, e ka shfrytëzuar këtë konferencë të lobojë për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur nga vendet që nuk e kanë marrë këtë vendim ende, si kontribut për stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Ai është takuar me shumë personalitete të njohura të politikës nga e gjithë bota, të cilët po marrin pjesë në këtë konferencë. Në të gjitha këto takime të rëndësishme, sipas Zyrës për informim të AKR-së, Pacolli, përveç njohjes, ka shtruar edhe nevojën për investime dhe mbështetje për integrimin e Kosovës në institucionet e rëndësishme ekonomike dhe financiare botërore...

INFOPRESS
Numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës është ndalur për një çast në 52. nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës po punon intensivisht në shtimin e njohjeve të reaj. Njëkohësisht, MPJ është duke bashkëpunuar me ekspertët ndërkombëtarë që të mbrojë denjësisht legjitimitetin e pavarësisë në GJND... Pas paraqitjes në Këshillin e Sigurimit të ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, tashmë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është fokusuar në kontakte të vazhdueshme për shtimin e njohjeve. “Pjesë e agjendës së përhershme janë edhe kontaktet e vazhdueshme, qoftë përmes telefonit, qoftë drejtpërsëdrejti apo edhe përmes ndonjë kanali tjetër diplomatik me përfaqësues të vendeve të ndryshme, veçanërisht me ata të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë për Infopress, zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri...
XS
SM
MD
LG