Ndërlidhjet

Policët evropianë të UNMIK-ut do të transferohen në misionin e EULEX-it, pohojnë zyrtarë të misionit të OKB-së, të cilët thonë se nga 9 dhjetori në rrugët e Kosovës nuk do të ketë më policë të UNMIK-ut. E njëjta, sipas tyre, do ndodhë edhe në drejtësi e dogana.


Policët evropianë nga 2 mijë pjesëtarët e policisë së UNMIK-ut, pas nëntë dhjetorit nuk do të largohen nga Kosova, por vetëm do të ndryshojnë uniformë. Zyrtarë të UNMIK-ut, duke mos saktësuar numrin e saktë, thonë se disa nga policët evropianë do të përfshihen në policinë e EULEX-it.

“Aktualisht janë 2 mijë policë të UNMIK-ut, por duke marrë parasysh faktin se shumë nga ta vijnë nga vendet anëtare të BE-se dhe të misionit të EULEX-it, ata do të transferohen nga policia e UNMIK-tu në atë të EULEX-it. Pra, ata vetëm do t’i ndërrojnë uniformat”,
thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko.

Në kuadër të rikonfigurimit të pranisë civile në Kosovë, EULEX-i do të hyjë në Kosovë, ndërsa UNMIK-u do të dalë nga vendi. Ivanko pohon se ky mision është i interesuar që ta reduktojë numrin sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne kemi mandate të ndryshme, por kur EULEX-i të zbarkohet gjithandej në Kosovë, ne do të fillojmë që të reduktohemi dhe nga 9 dhjetori e më pas nuk do të ketë më policë të UNMIK-ut në rrugët e Kosovës. E njëjta vlen edhe për sistemin e drejtësisë dhe doganave. Aktualisht po i diskutojmë modalitetet. Reduktimin e fillojmë javën e ardhshme, për të përfunduar sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Ivanko.

Zbarkimi i EULEX-it më 9 dhjetor është konfirmuar tashmë jo vetëm nga zyrtarë të këtij misioni, por edhe nga krerët e BE-së.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, premton se të martën e ardhshme do të fillojnë punën pjesëtarët nga të tria fushat në të cilat do të jetë i përfshirë EULEX-i.

“Ne do të zbarkohemi gjithandej ku është planifikuar të jemi, pra në të gjitha gjykatat e qarkut, në Gjykatën Supreme, në 35 stacione të policisë në tërë Kosovën. Kjo nënkupton që patrullat mobile të doganave do të nisin punën e tyre. Pra, do të jemi gjithandej, por në numër më të vogël”, pohon Limdal.

Vështirësitë e shtrirjes së EULEX-it pritet të jenë në veri, ku serbët lokalë nuk mirëpresin vendosjen e këtij misioni. Ata, në të ashtuquajturin Kuvend të Komunave Serbe, kanë marrë qëndrim se mision i vetëm legal për ta mbetet UNMIK-u. Megjithatë, ata kanë thënë se nuk do të ketë kundërshtim me forcë, por injorim po.

“Kjo del nga fakti se njerëzit nuk janë të informuar plotësisht se çka do të bëjë në Kosovë EULEX-i dhe se të gjithë, përfshirë serbët në veri, do të përfitojnë nga EULEX-i. Kjo është një çështje më tepër e komunikimit dhe, me sa kemi kuptuar, Beogradi ka qasje pozitive ndaj zbarkimit tonë, gjë që neve na ndihmon. Siç e kam thënë disa herë, ne nuk do të kërkojmë lejen e Beogradit për t’u zbarkuar, por natyrisht se na ndihmon”, thotë Limdal.

Zbarkimi i EULEX-it pas deklaratës presidenciale të Këshillit të Sigurimit shihet edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi si triumf i tyre. Derisa Beogradi pohon se EULEX-i po vendoset në bazë të kushteve të vëna nga ata, Prishtina zyrtare thotë se EULEX-i po vendoset në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe planit të Ahtisaarit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG