Ndërlidhjet

Trashëgimia familjare sipas zakoneve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Aktualisht në Kosovë ka një numër të madh të rasteve të mospërfshirjes së femrave në trashëgiminë e pasurisë familjare. Përfaqësues që merren me këto çështje, kërkojnë veprim të institucioneve të Kosovës si dhe angazhim në vetëdijesimin e popullatës, se e drejta e gruas në pronë është e patjetërsueshme.


Ndonëse trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, i cili e rregullon të drejtën e trashëgimisë për të gjithë anëtarët e familjes, pa marrë parasysh gjininë, në Kosovë ky fenomen rregullohet sipas zakoneve. Kështu të paktën pohon drejtoresha ekzekutive e Qendrës për barazi gjinore, Luljeta Vuniqi.

"Ligji i zakoneve apo i mentalitetit është më i fuqishëm sesa ligji legal, i cili do të duhej të zbatohej në Kosovë. Gratë shumë pak janë të përfshira në trashëgiminë e pasurisë familjare", tha ajo.

Megjithatë, sipas Vuniqit, arsyet se pse femrat kosovare nuk përfshihen në trashëgiminë e pasurisë familjare, janë nga më të ndryshmet, por njëra nga arsyet është se në Kosovë ende janë të gjalla idetë se të drejtën për trashëgimi e kanë vetëm pjesëtarët meshkuj të familjes.

Ajo thotë se të drejtat e grave në Kosovë njihen vetëm në bazë ligjore, në praktikë ato nuk respektohen dhe janë shumë larg standardeve ndërkombëtare.

"Nëse gruaja eventualisht kërkon të drejtën e saj për trashëgimi, në të shumicën e rasteve ka hidhërim të madh dhe prishje të raporteve familjare, ndërsa vajzës së martuar në shumë raste i ndalohet që të vijë në familje të prindërve", tha ajo

Zonja Vuniqi shton se në shumë raste, për të ruajtur familjen, femra është ajo vetë e cila heqë dorë nga trashëgimia familjare, duke bërë që kjo të ndikojë edhe më rëndë në pozitën e saj ekonomike.

Tahire Haxholli, nga Njësiti i dhunës në familje në Policinë e Kosovës, tha se deri më tani ka pasur shumë pak raste të paraqitura mbi mosmarrëveshjet për trashëgiminë familjare.

"Numri i rasteve të paraqitura në polici për mosmarrëveshje të trashëgimisë familjare që duhet t’u takojë femrave, është shumë i ulët. Këto raste zakonisht heshtën nga femrat dhe në këtë mënyrë ato mbeten pa u denoncuar", tha ajo.

Sa i përket mospërfshirjes së femrave në trashëgiminë familjare, sipas drejtoreshës se Organizatës "Gratë për Gratë", Hamide Latifi, edhe përkundër asaj se Kosova po kalon në fazën e tranzicionit, tradita ende po vazhdon, duke lënë kështu jashtë përfshirjen e femrës në trashëgiminë familjare.

"Ka disa tendenca që ligjet që ekzistojnë, të cilat janë në harmoni me ligjet evropiane, të zbatohen më mirë, por, megjithatë, akoma nuk ka vullnet të mirë politik dhe mekanizma që do ta rregullonin këtë çështje", tha ajo.
XS
SM
MD
LG