Ndërlidhjet

Sa respektohen të drejtat e njeriut në Maqedoni?


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Në Maqedoni nuk respektohen të drejtat e njeriut. Institucionet në vazhdimësi bëjnë shkeljen jo vetëm të të drejtave individuale, por edhe të atyre kolektive. Kështu vlerëson për radion Evropa e Lirë, Milaim Fejziu, kryetar i degës për Maqedoni të Forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

“Maqedonia, edhe pse është nënshkruese e shumë akteve ndërkombëtare, konventave për të drejtat e njeriut, ajo nuk ka arritur që këto dokumente, të cilat edhe u bënë pjesë e sistemit juridik në Maqedoni, t’i zbatojë në praktikë. Përkundrazi, vazhdon me avazin e vjetër duke shkelur si të drejtat individuale, ashtu edhe ato kolektive”, tha zoti Fejziu.

Sipas kryetarit të Forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut për Maqedoninë, në këtë vend ende vlejnë, siç thotë ai, “gjykimet dhe ndëshkimet e deliktit verbal”.

“Në Maqedoni ende e drejta e shprehjes së mendimit të lirë, qoftë me shkrim apo me gojë, recensohet, ende konsiderohet si delikt verbal që dënohet , por për dallim nga më parë, ajo nuk merret si vepër penale për prishjen e rendit kushtetues, por si nxitje e urrejtjes nacionale dhe fetare. Ende në Maqedoni ka të burgosur politikë, ende në Maqedoni ka procese të montuara politike, ende në Maqedoni nuk respektohet e drejta në arsim dhe në mbrojtje kulturore", tha Milaim Fejziu.

Shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut janë pjesëtarët e policisë. Zoti Fejziu këtë e ilustron me rastin e fundit të vrasjes së një polici, që pasoi më një aksion të gjerë të policisë, e cila bastisi dhe keqtrajtoi dhjetëra shtëpi e persona në zona të ndryshme të Maqedonisë.

“Nuk mundet që për shkak të një krimineli, të pësojë një lagje, një krahinë apo një qytet. Kriminelë ka pasur dhe do të ketë, por organet e shtetit janë të obliguara të veprojnë në bazë të normave ligjore, pa bërë abuzime dhe shkelje të të drejtave të pjesëtarëve të tjerë, qofshin ata edhe anëtarë të familjeve të tyre. Pra, këtu kemi shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, qoftë individuale apo grupore",
u shpreh Fejziu.

Edhe Avokati i Popullit dhe komiteti i Helsinkit kanë theksuar në raportet e tyre se institucionet në Maqedoni duhet bërë më shumë në përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Maqedoni.

“Vetëm me një efikasitet më të madh, vetëm me një vullnet më të madh, ne mund të jemi efikas në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”,
ka vlerësuar institucioni Avokati i Popullit.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, në pjesën që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, është konstatuar se Maqedonia ende çalon sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, andaj edhe i ka rekomanduar lidershipit që të punojë seriozisht në evitimin e defekteve të sistemit, për të garantuar respektimin e konventave ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.
XS
SM
MD
LG