Ndërlidhjet

Bieber: Serbia në BE – vetëm pasi ta njohë pavarësinë e Kosovës


Florian Bieber

Florian Bieber

Florian Bieber, nga Universiteti Kent në Britaninë e Madhe, dhe James Lyon, ekspert i Këshillit për demokratizim në SHBA, thonë se Beogradi ka potencial për të qenë faktor jostabiliteti në Ballkan.




RADIO EVROPA E LIRË

Cilat mendoni se janë vatrat e krizave potenciale në hapësirën e ish – Jugosllavisë?

FLORIAN BIEBER
Mendoj se janë dy. Njëra në Bosnje dhe tjetra në Kosovë. Nuk besoj se ka potencial për konflikte të armatosura, por ka potencial për krizë në Bosnje dhe në veri të Kosovës.

JAMES LYON
Mendoj se Bosnja aktualisht është vatër potenciale e krizës. Kosova është në vendin e dytë, por ekziston rreziku i ndikimit të krizës nga Kosova në situatën në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
13 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja ende nuk ka arritur të jetësojë konsensus të brendshëm. A ka rrezik që bashkësia ndërkombëtare të pajtohet me coptimin e Bosnjës?

FLORIAN BIEBER
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë para dhe energji në Bosnje dhe nuk do të lejojë coptimin e saj. Ky do të ishte një rrezik për gjithë rajonin. Nëse coptohet Bosnja, në rradhë do të ishte Kosova dhe Maqedonia. Do të ballafaqoheshim me vargun e coptimeve. Këtë nuk e dëshirojnë as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as Bashkimi Evropian dhe Rusia. Është një skenar që nuk ka të bëjë me realitetin.

James Lyon

JAMES LYON

Mendoj se kjo është e pamundur. Kjo nuk është në interesin e askujt, sepse do të kthente gjendjen e luftës. Kjo nuk do të kursente as Serbinë, e cila në rastin e coptimeve rrezikon të humbasë territore. Në fakt, askush nuk do të ishte i kursyer.



RADIO EVROPA E LIRË

Si e komentoni vendimin për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë?

FLORIAN BIEBER
Bashkësia ndërkombëtare mbase në këtë rast qëndroi pas kërkesave të Serbisë, por nuk jam i sigurt nëse kjo është një zgjidhje e mirë në plan afatgjatë. Serbia ndoshta ka fituar këtë betejë, por nuk besoj se kjo është në interesin afatgjatë të Beogradit.

JAMES LYON
Mendoj se synim afatgjatë i Serbisë është ndarja e Kosovës. Beogradi punon në këtë drejtim nga vitit 1999. Ky është një hap në këtë drejtim. Ata nuk brengosen që kjo tensionon raportet me shqiptarët, sepse kështu fitojnë vota në elektoratin serb. Ata e dinë se pa pëlqimin e tyre, EULEX-i nuk mund të vendoset në veri. Megjithatë, ata nuk kanë fituar siç pohojnë, por kemi të bëjmë me humbje politike të Bashkimit Evropian, sepse BE-ja ka humbur kredibilitetin te shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky zhvillim mund të shpie drejt ndarjes së Kosovës?

JAMES LYON
Kosova është e ndarë që nga viti 2001. Serbia për këtë vit ka ndarë nga buxheti gati 500 milionë euro për financimin e projekteve serbe në Kosovë. Pra, nuk është hap drejt ndarjes, por verifikim i gjendjes ekzistuese.

FLORIAN BIEBER
Ndarja (jo zyrtare) është në interesin e Qeverisë në Beograd. Përse ta zyrtarizojnë ndarjen, kur kontrollojnë veriun, ndërsa mund të thonë se e gjithë Kosova është e tyre. Atyre (Beogradit) u konvenon gjendja e status quo-s. Por, është dilemë e madhe nëse kjo është në interesin e serbëve që jetojnë në veri dhe në enklava.

RADIO EVROPA E LIRË
Qëllim i Kosovës dhe Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Si do të jetë e mundur kjo kur Serbia pohon se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës?

JAMES LYON

Qëllim i Serbisë është hyrja në BE, por me kushtet serbe. Nëse do të bëja listën e prioriteteve të Qeverisë së Serbisë, anëtarësimi në BE do të ishte në vendin e pestë ose të gjashtë. Kosova për Serbinë është më e rëndësishme se integrimet evropiane. Kjo mbase vlen edhe për Kosovën, për të cilën prioritet është pavarësia dhe ruajtja e sovranitetit.

FLORIAN BIEBER
As Serbia dhe as Kosova nuk do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian nëse paraprakisht Beogradi nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe nëse Prishtina nuk zhvillon raporte të fqinjësisë së mirë me Serbinë. Bashkimi Evropian nuk dëshiron të pranojë Serbinë ose Kosovën në radhët e veta dhe pastaj njëra të vë veto për mospranimin e tjetrës. BE-ja nuk dëshiron të importojë probleme të pazgjidhura, sepse ka përvojë të keqe me Qipron dhe nuk dëshiron edhe një tjetër. Kjo çështje tash nuk është në rend dite, por brenda pesë, gjashtë ose dhjetë vjetësh do të kërkohet një zgjidhje që do të përfshijë edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është parashikimi i juaj për zhvillimet e ardhshme në Ballkan. Do të kemi tensionime të mëtjeme apo ulje të tensioneve?

FLORIAN BIEBER
Është me rëndësi nëse qeveria aktuale në Beograd do të fillojë të zhvillojë politikë më përgjegjëse dhe më pro-evropiane se deri më tash. Unë nuk kam parë dëshmi të një politike të tillë. Nëse kjo do të ndodhë, do të kemi raporte më të mira të Serbisë me Kosovën, Bosnjën dhe Kroacinë. Kjo varet nga Beogradi.

JAMES LYON
Beogradi ka potencial të madh për të qenë faktor i jostabilitetit në rajon. Është çështje e hapur për sa kohë do të luajë këtë rol dhe kur do ta ndryshojë këtë politikë për t'u bërë faktor stabiliteti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG