Ndërlidhjet

Analistët: EULEX-i zbaton edhe 6-pikëshin edhe 4-pikëshin


Pjesëtarë të misionit EULEX
Pjesëtarë të misionit EULEX

Analistët vlerësojnë se për Kosovën është me rëndësi që është siguruar shtrirja e EULEX-it në gjithë territorin, por ata tërheqin vërejtjen se ky mision, pavarësisht deklarimeve të autoriteteve në Prishtinë, do ta zbatojë edhe planin 6-pikësh të OKB-së.


Zbatimi i planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të krijonte dualizëm në fushat e sundimit të ligjit, thonë analistët.

Ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të zotohet se 6-pikëshi i OKB-së nuk do të zbatohet, duke vlerësuar se deklarata e fundit e Këshillit të Sigurimit nuk e thotë që ky plan do të zbatohet, Beogradi në anën tjetër zbatimin e 6-pikëshit e potencon si kusht për pajtimin e dhënë në lidhje me shtrirjen e EULEX-it.

Nisur nga këto pozicione të kundërta të Prishtinës e Beogradit, analistët konsiderojnë se 6-pikëshi, me gjithë premtimet e Qeverisë së Kosovës, do të zbatohet.

Analisti Ramush Tahiri thotë se është me rëndësi që EULEX-i do të shtrihet në gjithë Kosovën, çka, sipas tij, shkurton rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës. Ai konsideron se EULEX-i do të zbatojë edhe 6-pikëshin, edhe 4-pikëshin, varësisht zonave të shtrirjes. Por, problemet e këtij funksionimi, sipas tij, do të reflektohen tek gjykatat, policia dhe doganat.

“Mendoj se pasi që ky është mision unik, nuk do të ndahet në dy pjesë, por do të zbatohet unik në tërë territorin, me specifika të veçanta që nënkuptohen edhe me respektimin e 6-pikëshit, edhe në respektimin e 4-pikëshit. Problemi qëndron në emërimet në polici dhe në kontrollimin e pikave doganore dhe unë besoj se udhëheqja e Kosovës nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të ketë sistem të diferencuar në komandimin e policisë dhe në dogana”,
thotë Tahiri.

Ndërkohë, analisti Belul Beqaj thotë se me vendimin e fundit për shtrirjen e EULEX-it, është siguruar edhe zbatueshmëria e legjislacionit të Serbisë nëpër pjesë të caktuara të Kosovës, ku komuniteti serb përbën shumicën.

Beqaj vlerëson se si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, në prononcimet e tyre kanë deklarata të fryra që përdoren për konsum të brendshëm, kurse në praktike veprojnë ndryshe.

“Duke marrë parasysh rrjedhën e ngjarjeve të deritashme, mendoj se do të ndodhë si me bashkësinë ndërkombëtare, Serbinë dhe Kosovën, që të tre këta faktorë do të deklarojnë diç tjetër, ndërkaq do të veprojnë në mënyrë tjetër. Si duket, ky është emëruesi i përbashkët për bashkësinë ndërkombëtare, Kosovën dhe Serbinë dhe realiteti do ta shohë se deri kur do të mund të shtyhet kjo mënyrë e qeverisjes”, thekson Beqaj.

Nëse në çfarëdo forme zbatohet plani 6-pikësh, analisti Ramush Tahiri konsideron se ai do të pezullonte zbatimin e Kushtetutës së Kosovës nëpër zonat e banuara me serbë. Por, ky pezullim, sipas tij, do të mund të jetë i përkohshëm.

“Kjo do të thotë pezullim. Pezullim i përkohshëm, për arsye se është paraparë një periudhë e caktuar gjashtëmujore ose pak më gjatë, por EULEX-i e ka një marrëveshje për vendosjen e tij dhe duhet të respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”,
deklaron Tahiri.

Ndërkaq, Belul Beqaj thotë se si zbatimi, ashtu edhe kundërshtimi i 6-pikëshit, do të kishte pasoja për Kosovën. Zbatimi i këtij plani, sipas tij, do të kishte për pasojë rritjen e revoltës së brendshme, kurse kundërshtimi do të kishte për pasojë konfrontimin me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nëse eventualisht pushteti i Kosovës vepron pikërisht ashtu siç po deklaron, pra se do ta kundërshtojë planin e Ban Ki Moonit, do ta sjellë për herë të parë veten edhe në një betejë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht bashkësinë ndërkombëtare, nga e cila mendoj se nuk do të jetë fitues, për arsye se gati 90 për qind të veprimeve që i ka ndërmarrë deri më tash Kosova, i ka bërë duke u mbështetur në faktorin ndërkombëtar”, thotë Beqaj.

Sidoqoftë, EULEX-i është deklaruar se nga 9 dhjetori do të nisë punën dhe aktivitetin e vet në terren në fushat e policisë, gjykatave e doganave. Pjesa më e madhe e spektrit politik e përshëndet fillimin e këtij misioni, megjithëse shprehen dilema se ky mision do të ketë një mandat jo të lehtë, pasi që baza legale e funksionimit të tij do të varet nga zonat ku do të shtrihet.
XS
SM
MD
LG