Ndërlidhjet

EULEX fillon zbarkimin


Pjesëtarë të misionit EULEX
Pjesëtarë të misionit EULEX

Që prej ditës së sotme, misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, fillon zbarkimin në gjithë territorin e Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësitë kyçe nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK. Rreth 20 pjesëtarë të këtij misioni kanë hyrë sot në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës.


Me rreth 1,400 pjesëtarë, EULEX-i do të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të filluar punën, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga ky mision, në të cilën paralajmërohet ndërtimi i plotë i të gjitha kapaciteteve vepruese deri në fund të dimrit.

Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, ka thënë se "që prej mëngjesit të 9 dhjetorit, do të jemi të pranishëm në veri, jug, lindje dhe perëndim të Kosovës".

"Në veri për shembull, do të kemi më shumë se 100 pjesëtarë në terren, përfshirë këtu policinë, prokurorët, gjykatësit, policët kufitarë dhe doganat", citohet të ketë thënë zoti Kermabon në komunikatën e lëshuar nga EULEX-i.

Rreth 20 pjesëtarë të këtij misioni kanë hyrë sot në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, ndërkohë që të tjerët kanë hyrë edhe në stacionin policor.

Njoftimet e para flasin se në kuadër të këtij misioni, në veri të Mitrovicës, do të jenë kryesisht zyrtarë francezë dhe rumunë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit është përballur me sfida të shumta rreth zbarkimit, fillimisht nga komuniteti serb në Kosovë dhe Beogradi zyrtar, të cilët e kanë cilësuar funksionimin e tij si të paligjshëm.

Pas një sërë marrëveshjesh dhe bisedimesh, misioni ka marrë dritën e gjelbër edhe nëpërmjet një deklarate presidenciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Është thënë se EULEX-i do të ketë një qasje neutrale karshi statusit të Kosovës dhe nuk do të ketë lidhshmëri me pakon e Martti Ahtisaarit, gjë që ka nxitur edhe reagimin e Prishtinës.

Gjithashtu, ende nuk është krejtësisht e qartë as korniza ligjore e veprimit të këtij misioni, nëse do të jetë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ashtu siç kërkon Prishtina, apo Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, ashtu siç kërkon Beogradi.
XS
SM
MD
LG