Ndërlidhjet

"Wisner: OKB-ja dhe 1244-shi s’kanë më punë në Kosovë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Beson se misioni i Bashkimit Evropian (EULEX), duke filluar që nga sot (e martë), do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe veriun , në të kundërtën, ka bërë të qartë se ky mision do ta humb kuptimin. Ka shprehur mendimin se referencë e punës së EULEX-it do të jetë Kushtetuta e Kosovës. E ka hedhur poshtë edhe një herë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. “Në asnjë mënyrë ndarje nuk do të ketë. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është i pacenueshëm. Misioni i EULEX-it është në funksion të këtij parimi. Strukturat paralele janë të pashpresa, u ka ardhur fundi”. I quan qesharake analizat e opozitës për jo-të e forta e të buta, në lidhje me refuzimin e planit gjashtëpikësh të OKB-së nga ana e liderëve institucionalë. Në të ardhmen nuk i ka mohuar bisedimet e Prishtinës me Beogradin, por ato vetëm si dy vende fqinje... Ekskluzivisht flet për Epokën e Re, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi...

EXPRESS
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se në Kosovë është bërë përparim në disa fusha, siç është miratimi i shumë ligjeve, por kanë thënë se “duhet të forcohen institucionet e shtetit juridik dhe mbrojtja e pakicave”. Në takimin e djeshëm në Bruksel, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë aprovuar konkluzione lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor. “Në Kosovë duhet të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të përmirësohen kushtet e jetesës”, thuhet në konkluzionet për Kosovën. Këshilli i ministrave të BE-së, i udhëhequr nga shefi i diplomacisë franceze, kanë thënë se “Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, për një perspektivë të qartë evropiane të rajonit”. Shefat e diplomacisë evropiane sërish i kanë dhënë mbështetje EULEX-it dhe kanë përshëndetur fillimin e punës së këtij misioni...

ZËRI
Diplomati që i ka qëndruar krah emisarit special të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, e ka të paqartë nëse EULEX-i do të ketë sukses në operacionin që ka marrë mbi vete ta kryejë në Kosovë nën kushtet e vendosura së fundi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në një intervistë telefonike për Zëri-n, austriaku Albert Rohan, në prag të vendosjes së EULEX-it “në tërë Kosovën”, shprehet i matur në qëndrimet e tij dhe nuk dëshiron të ngutet për të dhënë gjykime. Ai preferon që të presë dhe të shohë se si EULEX do të veprojë në praktikë, sa do të mund ta ngufasë veprimtarinë e misionit plani 6-pikësh i OKB-së, me të cilin është pajtuar Beogradi, por që është kundërshtuar tërësisht nga Prishtina zyrtare. Por, Rohan, që para dy vjetëve, ka ecur me kujdes në çdo shkronjë të planit që i dha Kosovës pavarësi të mbikëqyrur, për një gjë është i sigurt: se EULEX nuk do t’ia dalë mbanë nëse zgjedh neutralitetin ndaj statusit të Kosovës...

LAJM
Që nga 9 dhjetori në Kosovë më nuk do të ketë polici të UNMIK-ut, ngase në tërë territorin e saj punët policore do t’i marrin përsipër pjesëtarët e EULEX-it, ka deklaruar zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ai ka thënë se misioni i OKB-së është i interesuar që, sa më shpejt që të jetë e mundur, të zvogëlojë numrin e pjesëtarëve të tij. Ivanko ka shpjeguar se policët e tashëm të UNMIK-ut që vijnë nga shtetet evropiane nuk do të largohen nga Kosova, por rreth 2,000 sish do ta ndryshojnë uniformën dhe do të kalojnë në shërbimin policor të EULEX-it... Organizata më e njohur ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka kërkuar të hënën nga misioni evropian në Kosovë që të punojë në zbardhjen e fatit të më shumë se tre mijë personave, të rrëmbyer e të zhdukur gjatë luftës së fundit...

KOSOVA SOT
Nga dita e sotme, misioni i stërzgjatur i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u, nuk do të jetë më funksional. Në këtë të martë, misioni më i madh në histori të BE-së, EULEX, do të vendoset në gjithë territorin e vendit, duke zëvendësuar misionin e UNMIK-ut aty ku ka mbetur. Në veri të Kosovës do të vendosen rreh 100 pjesëtarë të EULEX-it , kryesisht policë, por edhe gjyqtarë e ekspertë doganash, të cilët do të fillojnë të hulumtojnë terrenin. Në vendkalimet kufitare në veri, të cilat i patën djegur serbët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të këtij viti, do të vendosen disa policë të EULEX-it dhe policia kufitare. Një numër i policëve të EULEX-it do të vendosen edhe para ndërtesës së gjykatës në veri të Mitrovicës, ndërkaq po sot në atë gjykatë do të vendosen edhe gjykatësit dhe prokurorët...

KOHA DITORE
Detyrat e Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë marrë fund, sikurse edhe detyrat me Rezolutën 1244. Kështu ka thënë ish-ndërmjetësi amerikan për zgjidhjen e statusit të Kosovës në trojkën ndërkombëtare SHBA-BE-Rusi, ambasadori Frank Wisner, në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”. Diplomati amerikan shprehet i kënaqur me dinamikën e zhvillimeve pas shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që kritikon qëndrimin negativ të Beogradit ndaj Kosovës. Thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka të drejtën e vet sovrane të plotë që ta refuzojë planin 6-pikësh dhe mirëpret qëndrimin pozitiv të Kosovës për shtrirjen e misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë, që, sipas tij, do ta ruajë unitetin e Kosovës. Nuk pret kompromise të tjera nga ana e shqiptarëve të Kosovës, veç atyre të bëra me pakon e Ahtisaarit...

BOTA SOT
Edhe pse Qeveria ka ndarë një fond të konsiderueshëm për përfaqësitë diplomatike të Kosovës për të përmbushur shërbimet zyrtare të tyre, përveç Tiranës zyrtare, e cila e para ia dhuroi ambasadorit të Kosovës godinën ku do t’i zhvillohet aktiviteti diplomatik, numri më i madh i ambasadorëve vazhdojnë të jenë të akomoduar nëpër apartamente apo hotele... Megjithatë, gjërat duket se kanë filluar të lëvizin pozitivisht. Tashmë, përveç Tiranës, edhe ambasadori në Uashington dhe Ankara, kanë rregulluar çështjen e vendosjes së tyre në objekte që do të shërbejnë si ambasada; në Londër e në Bruksel janë në pritje të kryerjes së procedurave për vendosje. “Disa prej ambasadorëve nuk janë më nëpër hotele, por kanë marrë ndërtesa ashtu siç u takojnë. Ndoshta dikush do pyeste se pse nuk vendosen të gjithë ambasadorët në të njëjtën kohë. Kjo për faktin se përpos procedurave tona të prokurimit, ata i nënshtrohen edhe ligjeve të atyre vendeve përkatëse dhe jo çdo vend ka ligje të barabarta...”, tha këshilltarja për media e ministrit Hyseni, Albana Beqiri...

INFOPRESS
Qeveria e Kosovës ka planifikuar që brenda kësaj jave t’i intervistojë aplikantët për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike. Këtë e ka konfirmuar për Infopress, Fitim Krasniqi, sekretar i përhershëm i Qeverisë së republikës së Kosovës. Ai ka thënë se qeveria e ka bërë gati listën e ngushtë të kandidatëve që do të intervistohen. Sipas tij, për këto pozita kanë aplikuar rreth 700 veta. Ndërkaq, sipas Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike për çdo NP, Sekretari i Përhershëm emëron një komision rekomandues prej shtatë personave që bën intervistimin e aplikantëve për anëtarë të bordit të ndërmarrjes së caktuar. Numri i madh i anëtarëve të këtyre komisioneve ka bërë “telashe” në qeveri, sepse shumica e tyre ka rastisur të jenë për udhëtime jashtë vendit...
XS
SM
MD
LG