Ndërlidhjet

EULEX shtrihet edhe në veri


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

EULEX-i ka nisur shtrirjen në Kosovë. Pas një takimi të përbashkët të udhëheqësve më të lartë kosovarë dhe atyre të BE-së dhe misionit të EULEX-it, u tha se ky mision, në një kapacitet prej 1.400 vetash, është shtrirë në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun dhe pikat doganore me Serbinë.


EULEX-i ka nisur misionin me një shtrirje në gjithë territorin e Kosovës, duke i marrë përgjegjësitë nga administrata e UNMIK-ut në fushat e policisë, gjykatave dhe doganave, ka thënë shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon.

Këto komente, Kermabon i bëri pas një takimi të përbashkët që u zhvillua ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Kosovës me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe misionit të EULEX-it.

Yves de Kermabon tha se misioni që ai drejton, ka filluar ditën e parë të punës pa ndonjë problem, duke filluar shtrirjen edhe në pjesën veriore të Kosovës. Nga ora 8:00 e mëngjesit, Kermabon tha se në gjithë Kosovën janë dislokuar rreth 1 mijë e 400 pjesëtarë të stafit të EULEX-it, përfshirë edhe mbi 500 veta nga stafi lokal.

“Njerëzit tanë kanë filluar këtë mision për monitorim dhe këshillim të palës vendore”, tha Kermabon.

Sipas tij, ky mision deri në fund të dimrit mund të arrijë deri në 3 mijë veta. Ai tha se EULEX-i është vendosur edhe në pjesën veriore, përfshirë edhe pikat doganore në kufi me Serbinë.

“Aktualisht, kemi rreth 100 njerëz tanë në veri të Kosovës. Kemi prani edhe në portat 1 dhe 31 me anë të disa policëve kufitarë dhe doganierëve. Kemi disa policë edhe rreth ndërtesës së Gjykatës së Qarkut, kemi rreth 10 njerëz nga ekipi i drejtësisë atje brenda gjykatës, që janë në kontakt me partnerët e tyre. Gjithashtu jemi në kontakt të ngushtë me komandantët e stacioneve policore në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, deklaroi Yves de Kermabon, shef i EULEX-it.

Fillimi i misionit të EULEX-it është përshëndetur edhe nga udhëheqësit kosovarë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se shtrirja e EULEX-it në gjithë Kosovën tregon përkushtimin për integritetin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët për vendosjen e sundimit të ligjit.

“Është një shtrirje që ka të bëjë me gjithë hapësirën e Kosovës, pra edhe në pjesën veriore, në dy portat doganore 1 dhe 31. Besojmë se shumë shpejt, me mandatin që ka, EULEX-i do të ketë shtrirje në kapacitete të plota. Paralelisht do të ketë bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës në një formulë të gjithmonshme në mbështetje të lirisë, demokracisë, integritetit të Kosovës”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se misioni i BE-së do t’i ndihmojë edhe institucionet e vendit të shtrijnë pushtetin e tyre në gjithë Kosovën, duke besuar edhe në fillimin e shuarjes së strukturave paralele në veri.

“Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e EULEX-it. Presim hapa edhe më të shpejtë, në mënyrë që definitivisht të kemi situatën çfarë kemi punuar për ta ndërtuar - funksionimin e mirëfilltë të të gjitha institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës në gjithë territorin Kosovës. Të mos ketë më tutje struktura paralele, por legjitime, dhe të ketë një legjislacion të vetëm në Republikën e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Nisja e misionit të EULEX-it është cilësuar si shumë e rëndësishme edhe nga përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian që morën pjesë në këtë takim. Shefi i ICO-së, Pieter Feith, tha se EULEX-i do ta ndihmojë Kosovën që të jetë më afër Bashkimit Evropian, kurse ambasadorja franceze, Delfine Boronne, në emër të Presidencës së BE-së, ka shprehur kënaqësinë për përkrahjen që institucionet e Kosovës i kanë dhënë shtrirjes së EULEX-it.
XS
SM
MD
LG