Ndërlidhjet

Kelmendi: Zbatimi i Kushtetutës - sfidë për EULEX-in


Nekibe Kelmendi
Nekibe Kelmendi

“Ku është efekti i EULEX-it nëse në veri zbatohen ligje tjera, kurse në pjesë tjera të Kosovës zbatohet Kushtetuta dhe ligjet që kanë dalë nga ajo”, thotë për radion Evropa e Lirë, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, a mendoni se do të ketë vështirësi në vendosjen e EULEX-it, duke pasur parasysh kundërshtimet në veri që janë shfaqur në këtë drejtim?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se nuk do të ketë kundërshti, sepse, siç jeni në dijeni, edhe regjimi i Beogradit është pajtuar me vendosjen e EULEX-it dhe kjo vonesë sigurisht që është bërë për t'i mënjanuar të gjitha kundërshtitë që i ka pasur pala serbe – e kam fjalën gjithnjë për regjimin e Beogradit për t'u vendosur EULEX-i këtu.

Do të ketë aty-këtu reagime, ose incidente, ose diçka tjetër, por trazira të mëdha nuk pres të ndodhin, për faktin se atje janë të vendosura trupat e KFOR-it edhe policia e EULEX-it.

Është edhe një element që na bën të shpresojmë se nuk do të ndodhë diçka shumë e madhe, për faktin se në veri, tani në kohën kur po vendoset EULEX-i, janë të vendosura trupat rumune dhe trupat franceze të KFOR-it. Ndonëse e kanë të njëjtën komandë, mendoj se ata janë më pak të kundërshtueshëm nga serbët e veriut, kështu që do të shkojë çdo gjë në rregull.

Por, është pikëpyetje se kur do të fillojë të implementohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës – ajo do të jetë pak sfiduese.

Kur është fjala për misionin e Kombeve të Bashkuara, keni pasur rast edhe ju si media të dëgjoni se zoti Zannier ka paralajmëruar një largim të shpejtë të misionit të tij dhe të personelit.

Kurse, për EULEX-in mendoj se mirë është që në fillim ai vendoset në atë pjesë të veriut dhe fillojnë të funksionalizohen organet e drejtësisë, dogana dhe policia atje, qoftë edhe nën udhëheqjen e EULEX-it, sepse më vonë, hap pas hapi, do të bashkëpunojnë me ta edhe policia vendore, doganierët vendorë dhe gjyqtarët vendorë. Natyrisht që nuk pretendojmë që ato gjykata të jenë monoetnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Me fillimin e punës së misionit EULEX, a do të funksionalizohet në tërësi edhe gjykata në veri?

NEKIBE KELMENDI
Po, gjithsesi. Pikërisht shtrirja e EULEX-it e ka atë objektivë – funksionalizimin e të gjitha organeve të drejtësisë, dukë përfshirë gjykatën në Leposaviq, Zubin Potok, pastaj në Mitrovicë, ku janë gjykatat e dy niveleve dhe prokuroritë e dy niveleve dhe gjykata për kundërvajtje.

Kjo do të bëhet shumë shpejt dhe mendoj se është një sinjal i mirë se në Kosovë, përkatësisht në atë pjesë të veriut, do të fillojë të sundojë ligji, sepse deri më tash ose kanë funksionuar organet paralele të drejtësisë të dirigjuara nga Serbia, ose nuk kanë funksionuar fare, kështu që njerëzit kanë qenë mbi ligjin apo jashtë ligjit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët Kushtetutën e Kosovës – Kosova ka Kushtetutën e saj, e cila ende nuk po arrin të respektohet në gjithë vendin, ndërkohë që Rezoluta 1244 edhe më tej po mbetet në fuqi, kurse në lokacionet e banuara me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele...

NEKIBE KELMENDI
Unë mendoj se pikërisht EULEX-i është zotuar se do të punojë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të dala nga ajo Kushtetutë. Ndryshe, ku është efekti i asaj nëse në veri zbatohen ligje të tjera, kurse në pjesë të tjera të Kosovës zbatohet Kushtetuta dhe ligjet që kanë dalë nga ajo.

Nëse është kështu, atëherë hapet mundësia që vërtet të krijohet një entitet i veçantë atje, sepse është pikërisht drejtësia, sundimi i ligjit – shtylla më e rëndësishme e një shteti.

Dhe, kur këto ndahen dhe kur për këto dy fusha zbatohen ligje të ndryshme, atëherë kjo vetvetiu do të thotë se nuk e kemi një tërësi sa i përket juridiksionit apo një sistem unik gjyqësor. Ndërkaq që Kushtetuta dhe pakoja e Ahtisaarit garantojnë se sistemi gjyqësor në Kosovë do të jetë unik dhe i pandarë.

RADIO EVROA E LIRË
Me ardhjen e misionit EULEX dhe duke pasur parasysh prezencën e misioneve të tjera, si ICO-ja, UNMIK-u, institucionet e Kosovës – a mendoni se mund të ketë paqartësi sa i përket kompetencave?

NEKIBE KELMENDI

Po, këto në praktikë do të shkaktojnë pak kokëçarje rreth përgjegjësive, rreth disa çështjeve të tjera teknike, mirëpo, megjithatë, secili i ka kompetencat e veta.

Edhe EULEX-i e ka mandatin e vet, për të cilin mandat jemi marrë vesh në shkurt të këtij viti edhe në mars të këtij viti në Bruksel. Pastaj, ICO-ja ose Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar e ka mandatin e përcaktuar me pakon e Ahtisaarit dhe me dispozitat përfundimtare të Kushtetutës së Kosovës. Dhe, kujtoj se këto nuk do të shkaktojnë probleme.

Ndërkaq, sa i përket Rezolutës 1244, ajo e ka kuptimin e vet dhe është me objekt vetëm për atë pjesë që ka të bëjë me mbetjen e KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë edhe në të ardhmen.

Përndryshe, të gjitha kompetencat që janë të parapara me Rezolutën 1244 kanë kaluar në institucionet e Kosovës dhe mbi pakon e Ahtisaarit është hartuar edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila i rregullon të gjitha fushat dhe përfshin të gjitha institucionet e Kosovës.

Kështu që Rezolutës 1244 i mbetet objekt vetëm çështja e KFOR-it; çështjet e tjera janë të paobjekt dhe nuk ka se si të implementohet ose nuk ka se si të zbatohet ajo rezolutë.
XS
SM
MD
LG