Ndërlidhjet

EULEX, i gatshëm të përdorë fuqinë ekzekutive


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Prokurorët dhe gjykatësit e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit do të kenë të drejtë të përdorin fuqinë ekzekutive gjatë shqyrtimit të rasteve që kanë të bëjnë me krime të luftës, thonë zyrtarë të këtij misioni, të cilët nuk mund të japin një shifër të saktë të lëndëve që presin të trajtohen nga ky mision. Ekspertët për çështje ligjore tërheqin vërejtjen se përdorimi i fuqisë ekzekutive mund t'i lë jashtë vendimmarrjes institucionet përgjegjëse vendore.


Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, akoma nuk e di në mënyrë precize numrin e dosjeve dhe të lëndëve, të cilat do t'i trajtojnë prokurorët dhe gjykatësit evropianë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se janë qindra lëndë që EULEX-i do të trashëgojë nga UNMIK-u, por një shifër e saktë nuk mund të konfirmohet nga asnjëra palë.

Në ditën e fillimit të operimeve të EULEX-it, ky mision akoma nuk ka arritur të saktësojë dhe të shqyrtojë vëllimin e punëve që e presin në të ardhmen.

Por, shefi i Zyrës për informim në EULEX, Viktor Reuter, thotë se hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit evropianë tanimë kanë pasur qasje në lëndë të caktuara dhe se në javët dhe muajt e ardhshëm pritet të marrin përsipër të gjitha lëndët, të cilat gjer më tani kanë qenë në duar të UNMIK-ut.

"Për momentin ne jemi duke shikuar numrin e dosjeve që do t’i marrim përsipër. Hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit tonë tanimë kanë qasje në dosje të ndryshme dhe që nga e marta ata do të jenë të gatshëm t'i marrin përsipër ato",
thotë Reuter.

Për nëntë vjet të administrimit në Kosovë, UNMIK-u ka trajtuar gjithashtu një mori dosjesh të krimeve të luftës, gjë që po ashtu pritet të kalojë në kompetencë të misionit EULEX.

Ndonëse ende nuk dihet me siguri as numri i dosjeve që kanë të bëjnë me krime të luftës, një gjë tanimë është e qartë - e drejta e EULEX-it për të përdorur fuqinë ekzekutive në rast të nevojës. Reuter sqaron:

"EULEX-i do t’i hetojë gjithashtu krimet e luftës, sepse kjo është pjesë e mandatit tonë dhe është njëri nga sektorët ku ne kemi fuqi ekzekutive nëse është e nevojshme", tha ai.

Fuqia ekzekutive në këtë rast do të nënkuptonte ndërhyrjen në një çështje dhe marrjen e përgjegjësisë për trajtimin e mëtutjeshëm të çështjes nga prokurorët dhe gjyqtarët evropianë. Lidhur me këtë, ekspertët për çështje ligjore tërheqin vërejtjen se EULEX-i do të mund të vazhdonte traditën e UNMIK-ut.

Eksperti Kujtim Kërveshi thotë se EULEX-i gëzon të drejtën për të ndërhyrë jo vetëm në lëndët e krimeve të luftës, por edhe në çështje të tjera.

"Gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të EULEX-it kanë fuqizuar mandatin e tyre në veçanti me dy ligje të miratuara në këtë vit nga Kuvendi i Kosovës, të cilat e mundësojnë në mënyrë arbitrare ndërhyrjen e prokurorisë speciale në cilëndo lëndë, në cilëndo fazë të hetimit - që të ndërhyhet në një lëndë, e cila ka qenë e proceduar nga gjyqtarë dhe prokurorë vendorë", shprehet Kërveshi.

EULEX-i pritet të shtrijë operimet në fushën e drejtësisë edhe në pjesën veriore të Kosovës. Ata pritet që të marrin përsipër punën e deritanishme të gjykatësve dhe prokurorëve të UNMIK-ut në gjykatat në veri, të cilat ishin uzurpuar dhe dëmtuar nga protestuesit serbë në mars të këtij viti.

Pas rifunksionalizimit të gjykatave, punonjësit kosovarë të këtyre institucioneve kishin shprehur frikën për dëmtimin e lëndëve që janë gjendur në objektet e gjykatës në momentin e uzurpimit.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se të gjitha lëndët që kanë qenë në objektin e gjykatës para uzurpimit nga ana e serbëve, nuk kanë pësuar dëme.

"Më është parashtruar kjo pyetje edhe disa muaj më parë. I kam shikuar me prokurorin zotëri Robert Dean lëndët dhe ato kanë qenë të padëmtuara", sqaron Ivanko.

Problematika kryesore, përveç numrit të padefinuar të dosjeve që gjenden në këto gjykata, sipas ekspertëve, do të jetë edhe korniza ligjore, në bazë të së cilës do të gjykohen rastet veç e veç. Kërveshi thekson se përdorimi i ligjeve të ndryshme do të nënkuptonte zbehjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës.

"Në qoftë se në atë pjesë të Kosovës, qytetarët e asaj pjese i përgjigjen legjislacionit të një shteti fqinj, atëherë i bie që shteti fqinj ka juridiksion mbi territorin e Kosovës në formë të aplikimit të ligjeve", vlerëson Kërveshi.

Misioni EULEX zyrtarisht ka filluar punën këtë të martë, duke marrë mbi vete një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësive, të cilat përgjatë nëntë vjetëve të kaluar i kanë takuar administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
XS
SM
MD
LG