Ndërlidhjet

logo-print

E Drejta për Punë (s’) respektohet


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Kosovë konsiderohet se e drejta për punë shkelet në masë të madhe. Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se gjatë përzgjedhjes së punëtorëve të rinj, aplikohen forma të ndryshme diskriminimi. Në anën tjetër, Kosova nuk ka marrë përsipër obligimet dhe zotimet për të garantuar të drejtën e punës, duke mos përfshirë në Kushtetutë Konventën për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale.


Në shtetin me papunësi më të madhe në Evropë, e drejta për një vend pune thuhet të jetë një nga më të diskutueshmet.

“E drejta për një vend pune në Kosovë nuk respektohet hiç - gjithkund shkon me të njohur. Nëse e ke dikë të njohur në qeveri apo diku, mund të punësohesh, përndryshe jo. Edhe pse ke aftësi, mbetesh i papunë, mbetesh në shtëpi, mbetesh rrugëve”.

Këto kritika hedh në adresë të institucioneve, i riu nga Prishtina, Hysen Bislimi.

Në këtë pikë ai s’është i vetmi. Fitim Veliu tregon përpjekjet e tij të kota për disa vite radhazi për t’u punësuar në institucione.

”Realisht nuk ka institucione që nuk kam konkurruar, nga kryeministri e teposhtë. Disa komisione e kanë shpallur se kam qenë kandidati më i mirë, por realisht nuk kam pasur mbështetje as gjyqësore, as politike, as institucionale – thjesht nuk kam mundur të hy në ato vende pune. Ka qenë një diskriminim jashtëzakonisht i madh; nuk e di si ta shpjegoj, edhe pse pres ndryshime më vonë, por vërtet është një gjendje tmerruese”, shprehet Bislimi.

E drejta për të punuar është një koncept, sipas të cilit, njerëzit kanë të drejtë humane për të punuar dhe nuk mund të pengohen për ta bërë këtë gjë. Kjo e drejtë është përfshirë në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe njihet si ligj ndërkombëtar për të drejtat e njeriut përmes përfshirjes së saj në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.

Por, zbatimi i kësaj të drejte në Kosovë, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, lë shumë për të dëshiruar.

Ombudspersoni i Kosovës, Hilmi Jashari, konstaton se në Kosovë e drejta për të pasur një vend pune, shkelet.

“Ka diskriminim të përkatësisë etnike, të moshës, gjinisë, origjinës - në të gjitha bazat. Më e keqja është se gjatë shfrytëzimit të këtyre rasteve, nuk ka një mekanizëm të përshtatshëm, edhe pse ligji u miratua që sa kohë nga Qeveria e Kosovës, por, në të shumtën e rasteve, institucionet nuk janë të gatshme të merren me këto raste”,
shprehet Jashari.

Fitim Veliu fajëson atë që e quan një burokraci të instaluar në institucione, ku nuk lihen të depërtojnë njerëz të rinj.

“Ekziston një hierarki e disa njerëzve që nuk lënë të marrësh frymë - është diçka totalisht e paimagjinueshme se çfarë padrejtësie zhvillohet. Ti konkurron, shpallesh më i miri nga komisioni, por vendin e punës e zë dikush tjetër në bazë të direktivave, qoftë politike, qoftë institucionale, ose ndonjë marifeti tjetër”, pohon Veliu.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, nuk mohon se kritikat në adresë të qeverisë për nepotizëm dhe politizim të vendeve të punës, janë të pabaza.

“Punësimi në baza nepotizmi dhe politike, ekziston ndoshta si dukuri, por nuk është trend, nuk është shqetësuese, sepse edhe ashtu-kështu nuk po kemi mundësi për punësim. Nuk ka zhvillim të hovshëm të vendeve të reja të punës”, thotë Dedaj.

Diskriminimit në gjetjen e një vendi pune, sipas Jasharit, vazhdon t’i kontribuojë mospërfshirja në Kushtetutë e Konventës për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale.

“Komiteti për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale i ka prekur këto shqetësime dhe një nga rekomandimet është që të futet në Kushtetutën e Kosovës në mënyrë paralele sikur edhe konventat tjera që janë taksativisht të mbrojtura në Kushtetutë”, thotë Jashari.

Janë vetëm dy fjali që i janë kushtuar të drejtës për punë në Kushtetutën e Kosovës. Neni 49 i saj garanton të drejtën e punës dhe neni 49.1 thekson se secili person është i lirë ta zgjedhë profesionin dhe vendin e punës.

Ndryshe, vetë qeveria është e vetëdijshme për këto mangësi në Kushtetutë. Dedaj thotë se Kushtetuta nuk është e pandryshueshme dhe herëdokurdo në të mund të përfshihet Konventa për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale.

“Në të ardhmen mendoj se duhet bërë trysni, sepse çështja e së drejtës për punë, asistencë sociale, janë të drejta fundamentale njerëzore, sepse kjo duhet të respektohet dhe është konform konventave dhe standardeve ndërkombëtare”, thotë Dedaj.

Qeveria pohon se Kosova me popullatën e saj shumë të re, ku çdo vit del një numër shumë i madh i të rinjve të aftë për punë, vështirë se do ta ulë papunësinë prej 45 për qindësh në afat të shkurtër kohor.

Në anën tjetër, ajo që qytetarët duan nga qeveria, është që të ndalohet diskriminimi në punë, pavarësisht se sa mund të jetë i vogël numri i vendeve të reja të punës.
XS
SM
MD
LG