Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i dhe lufta kundër kontrabandës


Pamje në pikën kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.

Pamje në pikën kufitare Jarinë, 19 shkurt 2008.

Me shtrirjen e misionit evropian për drejtësi dhe polici EULEX, autoritet vendore në Kosovë shprehin bindjen se do të evitohet kontrabandimi i mallrave të ndryshme, të cilat kontrabandohen në pikat kufitare Jarinë dhe Zubin Potok.



Kontrabandimi, i cili gjatë muajve të fundit ka ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit doganor në kufirin me shtetin serb, i ka shkaktuar humbje të dukshme buxhetit të Kosovës, por autoritet kosovare të sigurisë shpresojnë se me shtrirjen e misionit EULEX, do të arrihet që në këtë pjesë të vendit sërish të funksionojë ligji.

Udhëheqësi i Grupit punues për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në rajonin e Mitrovicës, koloneli Rifat Marmullaku, pranon se aktualisht ka probleme serioze në relacionet mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave lidhur me këtë çështje, por beson se tani, pas shtrirjes së ELUEX-it në Kosovë, dukuria e kontrabandimit dhe krimit të organizuar në Kosovë do të evitohet.

"Duhet të funksionojë shteti ligjor. Besoj që me EULEX-in do të arrihet t'i realizojmë planet që i kemi. T’i fusim nën kontroll bizneset që do t'i përgjigjen institucioneve të Kosovës, përmes pagesës së tatimeve, raportimit të aktiviteteve të tyre dhe të gjitha aktivitetet që janë të domosdoshme për të funksionuar",
thotë Marmullaku.

Sipas tij, pas shkatërrimit të dy pikave doganore që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, çështja e kontrabandimit është bërë fenomen në rajonin e Mitrovicës, në veçanti në kalimin nga pjesa veriore në jug të Mitrovicës.

Ndër të tjera, kryesuesi i hetimeve të kontrabandës thotë se nga themelimi i Grupit punues për luftimin e kontrabandës në Mitrovicë, janë regjistruar një numër i madh i aktiviteteve që kanë pasur sukses në luftimin e dukurive negative, por kontrabanda në këtë pjesë të vendit mbetet ende shqetësuese për institucionet e vendit.

"Besoj që nuk do të jetë politika e UNMIK-ut që do të zmbrapsen pas kundërvënieve dhe pas tentimeve nga ana e grupeve kriminale në veri. Nuk besoj që EULEX-i do të jetë konsistent në realizimin e misionit dhe besoj që së bashku me policinë e Kosovës mund të arrihet që pjesën veriore ta shndërrojnë në një vend ku funksionon ligji", tha ai.

Sa i përket çështjes së vendosjes së kontrollit të sigurisë në veri, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kjo çështje nuk i përket vetëm doganave, pasi tanimë kthimi i doganave ka kaluar në nivele të larta politike.

Ndërsa, sipas tij, kontrabandimi i mallrave në veri, buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar humbje rreth 20 milionë euro.

“Efekti i kontrabandës në ato dy pika nuk ka arritur të eliminohet, por është arritur të mbahen nën kontroll; humbjet sillen rreth 20 milionë euro, duke filluar që nga fundi i shkurti i këtij viti”, tha ai.

Derivatet e naftës, pijet alkoolike, cigaret, kafshët, por nuk përjashtohet kontrabandimi edhe i gjërave ushqimore dhe tekstilit, janë, sipas autoriteteve të sigurisë, produktet që kontrabandohen më së shumti në këto pika të pakontrolluara doganore.

Vlera e mallit të kontrabanduar në pikat kufitare Jarinë dhe Zubin Potok përllogaritet të jetë 440 mijë euro.

Grupi punues i hetimeve për krim të organizuar "Task Forc" në nivelin qendror deri më tani ka iniciuar 5 raste ndaj bizneseve, të cilat vlerësohet se kanë të bëjnë me krimin e organizuar, si dhe janë ushtruar 11 kallëzime penale që kanë të bëjnë me kontrabandimin e derivateve, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG