Ndërlidhjet

Freizer: Shtrirja e EULEX-it hap pozitiv, copëtimi ende rrezik


Sabine Freizer
Sabine Freizer

“Copëtimi ekziston si rrezik, por ende besoj se Qeveria e Kosovës dhe mbështetësit e saj në BE mund të marrin hapa që do ta zhbënin kërcënimin që paraqet copëtimi”, thotë Sabine Freizer, Drejtore e Programit për Evropën në GNK.



RADIO EVROPA E LIRË

Znj. Freizer, pas disa muaj vonese, misioni i Bashkimit Evropian më në fund filloi të zbarkohet në Kosovë. A pritni ndonjë problem?

SABINE FREIZER
Mendoj se është gjë e shkëlqyeshme që EULEX-i më në fund është operacional në Kosovë pas afro 6 muaj vonese. Pra, ky është një çast shumë i rëndësishëm.

Mendoj se sfida e parë për EULEX-in do të jetë që plotësisht t'i marrë në duar aktivitetet e veta dhe veçanërisht në mbarë Kosovën. Ndër gjërat më pozitive që kanë ndodhur në javët e kaluara, është se EULEX-i ka marrë përkushtimin nga ana e Qeverisë së Serbisë që t'i lejojë EULEX-it të vendoset në tërë Kosovën dhe të punojë edhe në zonat serbe.

Prandaj, nëse EULEX-i do të mund ta bënte këtë në javët dhe muajt që vijnë, atëherë me të vërtetë do të ishte diçka jashtëzakonisht pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i BE-së mori dritën e gjelbër në Këshillin e Sigurimit pas dakordimit mbi planin 6-pikësh ndërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve dhe Beogradit. Por, udhëheqësit e Kosovës ende këmbëngulin se EULEX-i do të punojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Ku qëndron e vërteta këtu?

SABINE FREIZER
Ajo që mendoj se është me rëndësi të nënvizohet, është se 6 pikat e planit të OKB-së janë marrëveshje kalimtare, kështu që nuk është e qartë sa do të zgjatë, disa javë, disa muaj apo disa vite.

Për mua është e rëndësishme që kjo marrëveshje kalimtare të jetë afatshkurtër dhe Kushtetuta e Kosovës të implementohet në mbarë Kosovën, ndërsa policia dhe doganat të jenë nën mbikëqyrjen e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur.

Por, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë pjesën e saj të punës, të mbështesë misionin e BE-së, por gjithashtu të ecë përpara me politikën e saj se si të punojë në zonat e dominuara nga serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka mendoni, çfarë ndikimi do të kishte zinxhiri i dyfishtë komandues në polici dhe dogana?

SABINE FREIZER
Mendoj se do të ishte diçka që vështirë do të funksiononte. Supozoj se kur thoni struktura të dyfishta, me siguri mendoni në BE-në dhe KB-në.
Kjo është diçka që asnjë organizatë nuk e dëshiron.

Por, ajo që duhet të ndodhë përfundimisht, është që OKB-ja t'ia dorëzojë përgjegjësitë BE-së. Ekzistimi i zinxhirit të dyfishtë mund të krijojë mjaft vështirësi në vendimmarrje, prandaj është shumë i rëndësishëm transferimi i përgjegjësive tek BE-ja sa më shpejtë të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kundërshtarët e planit 6-pikësh thonë se ai më në fund do të çojë në ndarjen e Kosovës. Çfarë është mendimi juaj?

SABINE FREIZER
Mendoj se ekziston kërcënimi se copëtimi mund të thellohet nëse nuk tejkalojmë marrëveshjet e parapara për tranzicionin dhe nëse nuk shkojmë më larg se 6-pikëshi.

Nëse këto janë marrëveshje të përkohshme dhe Kushtetuta e Kosovës do të zbatohet në të gjithë vendin, atëherë nuk do të kemi copëtim.

Do të jetë shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të jetë funksional në të gjithë vendin dhe që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë reforma e të angazhohet në komunikim të drejtpërdrejtë me serbët e Kosovës.

Copëtimi ekziston si rrezik, por ende besoj se Qeveria e Kosovës dhe mbështetësit e saj në BE mund të marrin hapa që do ta zhbënin kërcënimin që paraqet copëtimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ç'mund të thoni për neutralitetin e EULEX-it ndaj statusit?

SABINE FREIZER
Ky paraqet problem. Në kohën kur jo të gjitha vendet e BE-së e kanë njohur Kosovën, nuk është e lehtë për EULEX-in të marrë një qëndrim të caktuar sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Mendoj se një gjë e tillë është për keqardhje. Sipas meje, misioni i EULEX-it duhet të ketë një mandat të qartë për të zbatuar planin e Ahtisaarit dhe duhet të punojë konkretisht për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve të Kosovës së pavarur.

Për fat të keq, për shkak të ndarjeve brenda BE-së, EULEX-i do të jetë ngurrues të thotë se e ka për detyrë të zbatojë planin e Ahtisaarit dhe se do të punojë për ndërtimin e institucioneve të Kosovës së pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, sa do të zgjasë misioni evropian, më shumë apo më pak sesa UNMIK-u?

SABINE FREIZER
Kjo është shumë e vështirë të thuhet, pasi është shumë e vështirë të shohësh se ku do të shkojë ky mision i Bashkimit Evropian.

A do të qëndrojë ky mision në Kosovë si një mision pas konfliktit që do jetë aty për të bërë thjesht tranzicionin nga OKB-ja, apo ky mision do të asistojë Kosovën në perspektivën e saj drejt anëtarësimit në BE?

A do të shkojë ky mision një ditë edhe më larg, natyrisht duke pësuar disa ndryshime, le të themi për të ndihmuar Kosovën që të përshtatë legjislacionin e saj me BE-në.

Nëse do të ndodhë kështu, atëherë ky mision i BE-së do të jetë i pranishëm në Kosovë për shumë vite.
XS
SM
MD
LG