Ndërlidhjet

Obama: S'kam dijeni për keqbërjet e Bllagojeviqit

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

"Nuk kam pasur kontakte me guvernatorin apo zyrën e tij dhe për pasojë nuk isha në dijeni për ato që po ndodhnin", tha presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Barack Obama, pas arrestimit të guvernatorit të Illinoisit, Millorad Bllagojeviq.


Guvernatori i Illinoisit, shtetit të presidentit të sapozgjedhur amerikan Barack Obama, u arrestua më 9 dhjetor nën akuzat se është përpjekur të shesë vendin e lënë bosh nga Obama në Senatin e SHBA-ve.

Autoritetet federale thanë se guvernatori Millorad Bllagojeviq, i njohur si Rod Bllagojeviq, është i përfshirë në rrjetin e krimit të korrupsionit.

"Sjellja më e rëndë e guvernatorit Bllagojeviq, që përfshihet në mesin e një numri akuzash të ngritura ndaj tij, është përpjekja për të shitur vendin e lënë bosh në Senat nga zgjedhja e presidentit Obama. Sipas ligjit të Illinoisit, ai ka pushtetin për të zgjedhur pasardhësin e Obamës në Senat", tha prokurori Patrick Fitzgerald.

Ky i fundit shtoi se nuk ka asnjë provë që të tregojë se presidenti i ardhshëm amerikan ka pasur dijeni për veprimet e Bllagojeviqit.

Vetë Obama ka reaguar menjëherë pas arrestimit të guvernatorit Bllagojeviq.

"Nuk kam pasur kontakte me guvernatorin apo zyrën e tij dhe për pasojë nuk isha në dijeni për ato që po ndodhnin
", tha Barack Obama.

Bllagojeviq u arrestua në shtëpinë e tij në Çikago nga agjentët e FBI-së, të cilët e morën me pranga 51 vjeçarin. Edhe shefi i kabinetit të Bllagojeviqit u arrestua.

Arrestimet erdhën pas hetimeve të thella, gjatë të cilave hetuesit dëgjuan biseda të incizuara mes zyrës së guvernatorit dhe shtëpisë së tij.

Një tjetër akuzë ishte për përfitime deri në 7 milionë dollarë nga kompanitë që kërkonin mbështetjen e shtetit në këtë kohë krize financiare.

Zyrtarët e FBI-së, Zyrës Federale të Hetimeve, thanë se ishin shtangur nga ato që kishin dëgjuar.

Rod Bllagojeviq
Vendin në Senat, Bllagojeviq ishte përpjekur ta shiste në shkëmbim të përfitimeve financiare apo të llojeve të tjera të përfitimeve për veten apo për bashkëshorten.

Në mesin e ujdive që Bllagojeviq po përpiqej të arrinte përfshihej dhe emërimi në postin e ambasadorit të një të njohuri të tij dhe një punë me pagesë më të lartë për të shoqen.

"Dua të bëj para", ka thënë Bllagojeviq në një nga incizimet. Në një tjetër regjistrim, ai dëgjohet të thotë se "vendi në Senat është diçka e çmuar dhe nuk mund të jepet falas".

Por, pavarësisht arrestimit, Bllagojeviq mbetet guvernatori i Illinoisit. Politikanë demokratë e republikanë kanë kërkuar që ai të largohet.

Ky nuk është rasti i parë i korrupsionit në shtetin e Illinoisit. Paraardhësi i Bllagojeviqit u dënua me 6 vjet burg për korrupsion, dënim që filloi ta vuante vitin e kaluar.

Mëngjesin e sotëm Bllagojeviq mësohet se është liruar me kusht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG