Ndërlidhjet

logo-print

“Evropianët shënojnë ditën e parë pa incidente në gjithë Kosovën”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Misioni më i madh i Bashkimit Evropian në historinë e bllokut, EULEX-i, filloi vendosjen e tij të martën në tërë territorin e Kosovës, duke marrë përgjegjësitë nga Kombet e Bashkuara për drejtësinë, policinë dhe doganat. Nuk pati incidente përkundër frikës së vazhdueshme për rezistencë nga popullata lokale. Kreu i EULEX-it, gjenerali Yves de Kermabon, ka thënë në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pas një takimi me lidershipin kosovar, se ishte i kënaqur të lajmërojë se misioni ka qenë në gjendje të vendoset në tërë Kosovën. “Kjo nënkupton se prej orës 8, ne, në bashkëpunim me Qeverinë, kemi marrë përgjegjësitë prej UNMIK-ut në fushën e sundimit të ligjit”, ka thënë Kermabon...

KOSOVA SOT
Mes shumë paqartësish, polemikash, pas protestave, zhurmës mediale, presioneve politike e diplomatike, misioni i BE-së ka nisur të funksionojë. Nisja e tij është një lajm i mirë për shtetin tonë, ndërsa dyshimet për efektshmërinë e tij mbeten të ligjshme te secili shtetas kosovar. Dhjetëra pjesëtarë të EULEX-it nuk janë këtu për herë të parë, por prej vitesh kanë shërbyer nën uniformën e UNMIK-ut. Tash, pa përvojës së gjatë me misionin e OKB-së, ata duhet t’i përshtaten misionit evropian në një ndërmarrje që nuk është aspak e lehtë, vendosjen e rendit dhe të ligjit. EULEX-i nis pas një plani gjashtëpikësh, për të cilin Qeveria kosovare thotë se nuk e pranon, por në terren është ende e pasigurt se di do të zhvillohen ngjarjet...

ZËRI
Në ditën kur ka filluar shtrirja e misionit të EULEX-it në tërë vendin, përfshirë këtu edhe pjesën veriore të vendit, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO), Pieter Feith, ka apeluar te të gjithë qytetarët e Kosovës që ta pranojnë këtë mision, ngase, siç ka theksuar ai, ky mision është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, këto komente ai i ka bërë të martën, pas një takimi që ka pasur me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati. Feith pas takimit ka thënë se “e risigurova edhe një herë ministrin për mbështetjen time të mëtejshme të plotë për procesin e decentralizimit”. “Ky proces është shumë i rëndësishëm, sepse e përmirëson qeverisjen në mbarë Kosovën dhe kështu do t’i ndihmojë Kosovës që të përafrohet me Bashkimin Evropian”, ka vlerësuar ai...

BOTA SOT
Qeveria e Gjermanisë ka mbështetur Kosovën në të gjitha zhvillimet e shtetbërjes. Gjermania ka qenë dhe do të mbetet mike e Kosovës, tha presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit me një delegacion të Bundestagut Gjerman. “Ne biseduam për të gjitha zhvillimet që kemi pasur deri më tani, mbështetjen e fuqishme që Gjermania i ka dhënë Kosovës dhe përkushtimin e saj që të mbështetë Kosovën në zhvillimet në të ardhmen”, është shprehur presidenti Sejdiu... Ndërkaq, sa i përket arrestimit të tre agjentëve gjermanëve, presidenti Sejdiu, por edhe përfaqësuesit e Bundestagut Gjerman vlerësuan se irritomi në mes të palëve ka ardhur si pasojë e raportimeve të medieve. Sipas tyre, kjo çështje konzulore duhet të jetë e mbyllur, ka hapësirë për t’u sqaruar detajet, por rastet e tilla nuk mund të rëndojnë marrëdhëniet në mes Gjermanisë dhe Kosovës, u tha nga të dyja palët para gazetarëve...

LAJM
Pjesa më e madhe e legjislacionit vendës, sidomos ajo e karakterit penal, është materie që ka hyrë në fuqi në kohën kur ka qenë UNMIK-u përgjegjës për gjyqësinë, andaj në këtë pikë EULEX-i nuk pritet të ketë probleme në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por, nuk dihet akoma në bazë të cilës kornizë ligjore do të punojë EULEX-i në fushat tjera, në bazë të legjislacionit vendës apo rregulloreve të UNMIK-ut. Këtë nuk ka mundur ta qartësojë të martën as njeriu i parë i EULEX-it, Yves de Kermabon. Ai ka thënë se EULEX-i do të jetë neutral në misionin e tij. “Ne nuk jemi mision politik, pra ne do të punojmë në bazë të detyrave tona dhe do të ndihmojmë institucionet vendëse në avancimin e sundimit të ligjit”, tha Kermabon. Por, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka thënë se EULEX-i duhet të punojë sipas legjislacionit vendës dhe në përputhje me Kushtetutën...

KOHA DITORE
Procesi i decentralizimit nuk do të zbatohet në mënyrë seleksionuese, por i njëjti do të vihet në jetë si tërësi në krejt territorin e Republikës së Kosovës, sipas propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari. Kështu ka thënë të martën ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, pas takimit me përfaqësuesin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. “Edhe në Mitrovicë, sikur në pjesët e tjera të Kosovës, do të implementohet në tërësi pakoja e presidentit Ahtisaari dhe termet e punës që ka grupi ndërministror për aplikimin e reformës së pushtetit lokal. Ajo do të jetë një tërësi dhe nuk do të ketë implementim seleksionues, por pakoja e Ahtisaarit do të implementohet në tërësi dhe në tërë territorin e Kosovës”, është shprehur zyrtari i lartë i Qeverisë së Kosovës...

INFOPRESS
Lidhja Demokratike e Kosovës më në fund thyen akullin dhe propozon dy emra për zv/ministra. Kryesia e kësaj partie ka propozuar të martën Behxhet Brajshorin për zv/ministër të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Jonuz Kastratin për zv/ministër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Të dy këto propozime janë pranuar po të martën nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një komunikate, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se kabineti qeveritar do t’i miratojë këta emra në mbledhjen e tij të radhës. Por, këto propozime duket se kanë thelluar edhe më shumë mospajtimet mes anëtarëve të Kryesisë së LDK-së. Anëtarja e Kryesisë, Melihate Tërmkolli, pas mbledhjes së Kryesisë ku janë propozuar këta dy emra, ka vlerësuar se LDK-ja po vazhdon të shkatërrohet...






XS
SM
MD
LG