Ndërlidhjet

Integrimi i serbëve në shoqërinë e Kosovës është sfidë për shtetin kosovar dhe avancimin e pavarësisë së tij. Ky integrim është penguar jo vetëm nga Beogradi zyrtar. Këto vlerësime u dhanë në Prishtinë, në tryezën mbi strategjinë e integrimit të minoriteteve, të organizuar nga Projekti për Relacione Etnike.


Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar - secila nga këto qendra ka rol në integrimin e serbëve të Kosovës. Por, perceptimet se kush mund të ndihmojë apo pengojë integrimin, dallojnë.

Kjo u pa edhe në konferencën e sotme Zhvillimi i Strategjive për Integrimin e Minoriteteve, të organizuar nga Projekti për Relacione Etnike.

Presidenti i Kosovës fajëson edhe Beogradin zyrtar, edhe komunitetin ndërkombëtar për mbajtjen pezull të integrimit të serbëve.

Presidenti Fatmir Sejdiu, duke mos përmendur me emër, ka kritikuar misionin e OKB-së, se ka toleruar për nëntë vjet rresht strukturat paralele serbe, duke mos bërë as më të voglën përpjekje për t'i shuar ato, apo për t'i arrestuar krerët e tyre, që, sipas tij, dosjen e kanë të mbushur me vepra kriminale.

"Fatkeqësisht, gjatë 9 vjetëve ka pasur tolerancë të fshehur, apo është shikuar nën gishtërinj lëvizja e përhershme destruktive e të ashtuquajturve liderë të këtyre strukturave paralele, që janë peng i veprimeve të mëhershme, të involvimit në proceset e luftës, terrorizmit, apo njerëz paralelisht të ushqyer nga qarqe jashtë Kosovës që të mbajnë pezull proceset politike dhe të stabilitetit të vendit", është shprehur Sejdiu.

Por, lideri opozitar, Ramush Haradinaj, për mosintegrimin e serbëve nuk i lë tërë fajin Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai konsideron se Prishtina nuk ka qenë e zonja që të fitojë besimin e serbëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të jenë një kartë e fuqishme e Beogradit, përmes të cilëve pengohet Kosova.

"Në rast se bëjmë një krahasim se sa është me rëndësi që Kosova ta avancojë dhe ta përmbyllë veten si shtet i pavarur, duke e ditur se këtë mund ta fitojë me lehtë nëse i fiton serbët e Kosovës e kështu i japim mbështetje politikës sonë të jashtme, mund të them se nuk ka një plan të mirëfilltë se si mendohet kjo nga Prishtina zyrtare",
tha Haradinaj.

Derisa është folur për integrimin e serbëve, është pothuajse hera e parë që PER, organizata me seli në SHBA, që synon përmirësimin e raporteve ndëretnike, mban tryezë pa praninë e vetë serbëve të Kosovës.

Drejtuesit e PER-it kanë thënë se mosprania e serbëve në tryezë është bërë që të flitet më lirshëm për strategjinë e integrimit. Duke vënë në pah dështimin e integrimit të serbëve që nga përfundimi i luftës, presidentja e Projektit për Relacione Etnike, Livia Plaks, është shprehur optimiste se të paktën EULEX-i do ndihmojë këtë proces.

"Unë do të pyesja – a kanë nevojë institucionet e Kosovës që të ndryshojnë strategjinë për integrimin e komuniteteve dhe a ofron mundësi zbarkimi i EULEX-it që të zbatohet plani i Ahtisaarit, posaçërisht pjesa për miratimin e legjislacionit lidhur me minoritet? Nëse më lejohet të jem e sinqertë, unë mendoj se po. EULEX-i ka nisur zbarkimin dhe ju përgëzoj për mënyrën se si ka filluar qetë dhe kjo është shenjë shumë e mirë për tërë Kosovën", ka thënë Plaks.

Por, për misionin EULEX aktualisht ka dy interpretime: ai i shqiptarëve është se EULEX-i u vendos në Kosovë në bazë të planit të Ahtisaarit dhe do respektojë Kushtetutën, ndërsa interpretimi serb është se EULEX-i u vendos pas marrëveshjes OKB-Beograd dhe do respektojë 1244-shin.

Duke pasur parasysh këto dallime, sërish integrimi serb duket i vështirë. Presidenti Sejdiu ka qenë më i ashpër ndaj kësaj situate të krijuar.

"Duhet të hiqen të gjitha iluzionet që ekzistojnë në interpretimet se EULEX-i do të jetë me dy fytyra - një për shqiptarët, e një për serbët. S'mund të ndodhë që EULEX-i të zbatojë standarde të dyfishta", është shprehur Sejdiu.

Rekomandim i institucioneve të Kosovës për komunitetin ndërkombëtar ka qenë që të mos i besohet verbërisht Beogradit, por ta vënë në sprovë qasjen e qeverisë së quajtur properëndimore.

Ndërsa, serbëve të Kosovës sërish u është bërë e qartë se dyert e institucioneve janë të hapura për ta dhe ata duhet ta ndjejnë Kosovën atdhe të tyren.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG