Ndërlidhjet

Zbarkimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e rendit dhe të ligjit - EULEX, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata të Policisë së Kosovës e konsiderojnë si shumë të rëndësishëm. Sipas tyre, policia e Kosovës tash e tutje do të jetë edhe më e fortë në punët e veta, si dhe do të ketë forcim të ligjit.


Sikur edhe në shumë institucione të tjera të Kosovës, ashtu edhe në policinë e Kosovës, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit pritet të ndihmojë në forcimin e ligjeve për policinë e Kosovës. Kështu deklarojnë përfaqësuesit e institucioneve të vendit.

Këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, thotë se EULEX-i do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejmë të policisë së Kosovës.

"EULEX-i do të ndihmojë shumë në konsolidimin e institucioneve që merren me sundimin e ligjit në Kosovë. Padyshim që kjo do t’i ndihmojë shumë edhe policisë së Kosovës në drejtim të konsolidimit të mëtutjeshëm dhe krijimit të një policie demokratike, shumetnike dhe të bazuar në standardet dhe praktikat më të avancuara ndërkombëtare", tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, asistenti i komisarit të policisë së Kosovës për operativë, Reshat Maliqi, konsideron se misioni i EULEX-it, për Policinë e Kosovës do të ketë rolin e një mbikëqyrësi. Ai shpreh bindjen se policia e Kosovës do të përfitojë më shumë nga profesionalizmi i policisë së EULEX-it.

"Vetëm monitorimi do të jetë pjesë e tyre, kurse policia e Kosovës, përmes monitorimit, me siguri që do të përfitojë, sepse misioni i EULEX-it është mision i graduar, ku ne presim që në radhët e tij do të ketë vërtet profesionistë që do të kenë mundësi ta ndihmojnë policinë e Kosovës në arritjen e një profesionalizmi më të lartë dhe mbështetjen në trajnime dhe pajisje për të ardhmen", tha Maliqi.

Zoti Maliqi ka bërë të ditur gjithashtu se dallimi në mes të policisë së UNMIK-ut dhe asaj të EULEX-it, është shumë i madh.

Policia e UNMIK-ut ka pasur fuqinë ekzekutive dhe ka pasur rolin primar në zbatimin e ligjit. Kurse, prej sot, policia e Kosovës është në plan të parë dhe ne jemi ata që do të ballafaqohemi me të gjitha situatat; vetëm në situata të caktuara do ta kemi mbështetjen e policisë së EULEX-it”, tha ai.

Sido që të jetë, funksionimi i policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë simbolik. Autoritetet e rendit thonë se atje vazhdon të jetë një situatë e paqartë. Asistenti i komisarit të policisë së Kosovës për operativë, Reshat Maliqi, shpjegon:

“Ende janë disa paqartësi aty për disa ditë, derisa të bëhet transferimi i kompetencave nga policia e UNMIK-ut te ajo e EULEX-it dhe besoj që në të ardhmen do të definohet edhe ai rol. Dëshirë e jona është që policia e Kosovës të jetë një dhe të ketë një strukturë të unifikuar dhe një zinxhir komandues",
tha Maliqi.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se në veri të Mitrovicës, policia e Kosovës nuk është duke funksionuar fare. Sipas tij, atje ende operojnë strukturat paralele serbe.

“Struktura të policisë së Kosovës në veri nuk ka. Praktikisht, ata vetëm duken; punë operative në veri nuk kryejnë. Punë operative në veri kryejnë policia e Serbisë dhe shërbimi i tyre inteligjent. Ata e kanë situatën nën kontroll. Për policinë e Kosovës nuk kam çka të them, se dihet struktura komanduese dhe bartja e kompetencave graduale, që kanë kaluar tash te komandanti i policisë", tha ai.

Ndryshe, më shumë se 1 mijë policë të EULEX do të jenë në gjithë Kosovën. Ata do të qëndrojnë në stacione policore, në kufij, si dhe disa prej tyre edhe në patrullime.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG