Ndërlidhjet

Ekspertët: Emri - kusht për liberalizimin e vizave me BE-në


Ekspertët në Maqedoni thonë se aspak nuk është befasi që zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë do të jetë kusht për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tyre, BE-ja vendos kushte teknike, por edhe politike, me qëllim që vendet që dëshirojnë të bëhen pjesë e saj, t’i përmbushin standardet e duhura.

-----

Bashkimi Evropian, përveç kritereve teknike, imponon edhe kritere politike ndaj Maqedonisë për liberalizimin e vizave me Maqedoninë si shtet kandidat për anëtarësim në këtë organizatë.

Kështu thonë ekspertët në Maqedoni pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Francës, Bernard Kushner, se edhe për liberalizimin e regjimit të vizave, zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë mund të imponohet si kusht.

Sipas ekspertëve, në mesin e 3 kritereve, të cilat, sipas Brukselit, janë kryesore për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, përmendet edhe kushti i marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, që do të thotë se duhet të zgjidhet domosdoshmërisht çështja e emrit.

Përderisa autoritetet në Maqedoni insistojnë se ky kusht nuk është pjesë e kritereve të Kopenhagës, të cilat duhet t’i përmbushë vendi, analisti Albert Musliu thotë se zgjidhja e çështjes së emrit tanimë është një ndër kriteret edhe për liberalizimin e vizave.

“Çështja e emrit, a do të vendoset si kusht i drejtpërdrejtë ose jo, nuk ka rëndësi, por me relevancë është fakti se çështja e emrit mund t’i kufizojë negociatat për liberalizimin e vizave. Kjo deklaratë vjen nga ministri i Jashtëm i Francës dhe ne e dimë se Franca është një prej anëtarëve më me peshë në BE. Mund të presim që të ketë trysni që çështja e emrit të zgjidhet sa më shpejt”, tha Musliu.

Ndërsa, profesori universitar, Vllado Popovski, thotë se interesat politike të Bashkimit Evropian janë manifestuar në versione të ndryshme deri më tani.

“Bashkimi Evropian, kur vlerëson se një kusht politik është i rëndësishëm, e imponon. Askush nuk mund ta detyrojë BE-në të vendosë vetëm kritere teknike, kur vlerëson se kriteret politike janë të rëndësishme”, tha Popovski.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Qeveria e Maqedonisë disa herë ka përsëritur se Maqedonia ka përmbushur të gjitha kushtet, por, sipas ekspertëve, nuk është mirë që vazhdimisht të theksohet se janë përmbushur kushtet që kërkohen për t’u plotësuar dhe që vlerësohet se janë të rëndësishme për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG