Ndërlidhjet

“Kermabon: Shef e kemi Brukselin”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Misioni evropian për sundimin e ligjit është përballur me sfida të shumta rreth zbarkimit, fillimisht nga komuniteti serb në Kosovë dhe Beogradi zyrtar, të cilët e kanë cilësuar funksionimin e tij si të paligjshëm. Pas një sërë marrëveshjesh dhe bisedimesh, misioni ka marrë dritën e gjelbër edhe nëpërmjet një deklarate presidenciale të KS të OKB-së. Ende nuk është krejtësisht e qartë as korniza ligjore e veprimit të këtij misioni, nëse do të jetë Kushtetuta e Kosovës, ashtu siç kërkon Prishtina, apo Rezoluta 1244 e KS-së, ashtu siç kërkon Beogradi. Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, tha se urdhrat do t’i marrë nga BE-ja. “Ekziston një zinxhir i drejtpërdrejtë i komandimit nga EULEX-i në Bruksel. Ne funksionojmë në kuadër të Rezolutës 1244 dhe do të dërgojmë raporte të rregullta në OKB përmes Brukselit...”, ka thënë Iv de Kermabon...

INFOPRESS
Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës tash e dhjetë muaj kanë shtetësinë dhe identitetin e tyre, gjatë udhëtimit të tyre jashtë shtetit, ata vazhdojnë të identifikohen si qytetarë të republikës së Serbisë. Problemi qëndron në faktin se disa ambasada të vendeve të huaja që janë akredituar në Kosovë, gjatë lëshimit të vizave për qytetarët e Kosovës, aty vazhdon të figurojë Kosova si pjesë e Serbisë. Madje, edhe nëpër rezervimet e biletave që bëhen, Kosova nuk njihet si shtet, mirëpo si pjesë e Republikës së Serbisë. Një ndër ambasadat që vazhdon të lëshojë viza duke identifikuar Kosovën si pjesë të Serbisë, është ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Edhe pavarësisht faktit se Gjermania është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ambasada e saj në Prishtinë vazhdon të lëshojë vizat në të cilat nuk përmendet askund Republika e Kosovës...

KOHA DITORE
Pas fillimit të shtrirjes së misionit evropian EULEX në Kosovë, dy deputetë gjermanë kanë kërkuar që “ndërkombëtarët e rinj” në Kosovë të mos i përsërisin gabimet e administratës së OKB-së (UNMIK). Deputeti i Partisë Kristiano-Sociale të landit gjerman të Bavarisë në Parlamentin Evropian, Bern Posselt, i cili është raportues për Kosovën i fraksionit të partive popullore evropiane, ka theksuar në një deklaratë se misioni i EULEX-it duhet të jetë shembull cilësie për demokraci dhe sundim të ligjit dhe të jetë partner i kosovarëve, por jo edhe tutor i tyre arrogant. Posselt ka deklaruar se misioni evropian nuk guxon t’i përsërisë “gabimet katastrofave” të UNMIK-ut. Me kalimin e viteve , UNMIK-u, përmes korrupsionit dhe jokompetencës, si dhe përmes përjashtimit dhe tutorizimit të përfaqësuesve të zgjedhur kosovarë, u shndërrua në burim të problemeve, në vend se të jetë qendër për zgjidhjen e tyre, nënvizoi Posselt në një komunikatë të lëshuar të mërkurën...

BOTA SOT
Projekti për themelimin e Gjykatës Kushtetuese tashmë është hartuar dhe ky projekt u është dorëzuar udhëheqësve të lartë të vendit tonë. Me këtë rast, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se ky është një moment me rëndësi për vendin tonë, sepse ky institucione do të jetë instanca më e lartë e funksionimit të ligjshmërisë në Kosovë. Kreu i vendit vlerësoi se me këtë përmbyllet edhe një cikël i rëndësishëm i legjislacionit, që ka të bëjë me aspekte sistemore në ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ky institucion do të jetë instanca kryesore e verdiktit profesional për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit tonë...

LAJM
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar njohjen e shpejtë të Kosovës nga dy shtete të reja – Katari dhe Ishujt Maldive. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, Pacolli ka deklaruar se ka arritur të finalizojë me sukses lobimin e tij për njohjen e Kosovës nga këto dy shtete. Lideri i AKR-së, i cili po qëndron në SHBA në një konferencë ndërkombëtare ekonomike, tha se ka marrë premtime dhe miratime të fuqishme nga zyrtarë të lartë të shtetit të Ishujve Maldive dhe të Katarit për njohjen e shpejtë të Kosovës brenda ditëve të ardhshme. “Kosova shpejt do të njihet nga Katari dhe Ishujt Maldive si dhe nga tri shtete të tjera, pra gjithsej pesë prej të cilave kam marrë premtime. Dy janë të sigurta, ose më mirë të them se Katari dhe Maldevia më kanë premtuar dhe është çështje ditësh”...

ZËRI
Kosova ka ofruar garanci përtej standardeve ndërkombëtare për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare, por një gjë e tillë ka qenë e penguar nga strukturat paralele dhe nga pushteti i Beogradit zyrtar, tha të mërkurën presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Presidenti Sejdiu deklaroi kështu në një debat të Projektit për Raporte Ndëretnike (PER), i cili u lansua me nismën e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar për dialog ndëretnik dhe pajtim në Kosovë. Presidenti Sejdiu lavdëroi punën e institucioneve vendore për integrimin e pakicave, sidomos të komunitetit serb, por, sipas tij, një gjë e tillë është penguar gjithnjë nga pushteti paralel dhe ai i Beogradit. Ai tha se institucionet vendore janë duke punuar gjithnjë sipas projekteve që janë arritur me ndërkombëtarët, por edhe me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës...

EPOKA E RE
Vlerëson pozitivisht vendosjen e misionit të BE-së, EULEX, në tërë territorin e Kosovës, duke shfaqur besimin se funksionalizimi i këtij misioni do ta vendosë respektimin e rendit dhe të ligjit në ato pjesë të Kosovës, ku ekziston një anarki e plotë. Kryetari i qytetit të ndarë ka shprehur bindjen e tij se EULEX-i do të krijojë edhe kushtet e favorshme për integrimin e veriut si pjesë e Kosovës edhe praktikisht. Bajram Rexhepi mendon se Serbia do të vazhdojë ende të tentojë që t’i minojë proceset integruese të Kosovës, megjithëse beson në fuqinë e institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, për t’u bërë ballë këtyre përpjekjeve. Për dallim nga koha kur me zyrtarët e lartë të UNMIK-ut kishte raporte të acaruara për shkak të veprimeve antiligjore të tyre, ish-kryeministri Rexhepi ka thënë se marrëdhëniet profesionale të tij me zyrtarë të EULEX-it janë të shkëlqyeshme dhe të një niveli të lartë...

EXPRESS
Për herë të parë, të martën, anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mundur ta ndjejnë veten të rrezikuar nga Sadri Ferati. Metalurgu 51 vjeçar nga Mitrovica, edhe pse një vit më parë u emërua ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, kishte vazhduar të konsiderohet i papeshë për shumëkënd në LDK. Por, të martën, ky mendim duket se u përmbys. Emri i Sadri Feratit u përmend në mbledhjen e Kryesisë nga nënkryetari Eqrem Kryeziu, si njeriu i preferuar i presidentit Fatmir Sejdiu, për t’u emëruar në postin e rëndësishëm të kryeshefit ekzekutiv. Kjo revoltoi një pjesë të mirë të anëtarëve të Kryesisë, të cilët po shtyjnë kandidaturën e Fadil Feratit për këtë post. Pas kundërshtimeve, udhëheqësi i mbledhjes, Eqrem Kryeziu, e shtyu për një herë tjetër diskutimin për emrin e njeriut që duhet të pasojë Blerim Kuçin në postin e kryeshefit. Megjithëkëtë, Sadri Ferati është i bindur se, përkundër kundërshtimeve, ai vazhdon të jetë në lojë. Këtë ai e ka konfirmuar në një prononcim për Express...
XS
SM
MD
LG