Ndërlidhjet

Plaks: Raportet ndëretnike në paralizë


Livia Plaks
Livia Plaks

"Do të dëshiroja të them se janë përmirësuar, por nuk shoh shumë përmirësim. Më tepër e shoh një situatë statike, një paralizë në këto raporte", thotë për radion Evropa e Lirë, Livia Plaks, presidente e Projektit për Marrëdhënie Etnike.



RADIO EVROPA E LIRË

Zonja Plaks, pothuajse 10 muaj pas pavarësisë, si i shihni raportet mes shqiptarëve dhe serbëve - janë përmirësuar apo përkeqësuar ato?

LIVIA PLAKS
Do të dëshiroja të them se janë përmirësuar, por nuk shoh shumë përmirësim. Me tepër e shoh një situatë statike, një paralizë në këto raporte.

E di se ka përpjekje në anën e udhëheqjes shqiptare dhe se ka përpjekje në një pjesë të caktuar të komunitetit serb për përafrim të raporteve, por në këtë pikë nuk shoh afërsi në mes të dy komuniteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku çon kjo situatë?

LIVIA PLAKS
Ajo që duhet adresuar nga të dyja palët, është mungesa e besimit. Si të tejkalohet mungesa e besimit? Ky është proces i gjatë dhe shumica kanë përgjegjësinë më të madhe në këtë çështje.

Ajo që u sugjerojmë liderëve shqiptarë, është që të vazhdojnë të përpiqen ta bëjnë gjënë e duhur, sepse po bëjnë gjënë e duhur për tërë komunitetin në Kosovë, për tërë shtetin e Kosovës.

Ju duhet të vazhdoni të ofroni kurajë dhe shpresojmë se eventualisht serbët do të përgjigjen në mënyrë konstruktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Plaks, ju jeni optimiste se EULEX-i mund të ndihmojë në integrimin e serbëve. Si mendoni se mund të arrihet kjo, nëse merret parasysh fakti se ekzistojnë dy lloj interpretimesh për këtë mision nga ana e shqiptarëve dhe serbëve?

LIVIA PLAKS
Kjo është e natyrshme, sepse EULEX-i është një krijesë e re, që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, dhe natyrisht ende askush nuk e di se si do të funksionojë. Por, është fakt se zbarkimi filloi në mënyrë pozitive, se nuk kishte incidente dhe mendoj se ky është një sinjal i mirë.

Mendoj se secila palë duhet të punojë për përfitime të veta nga funksionimi i EULEX-it. Mendoj se qëllimi kryesor dhe ajo që duhet të nënvizohet, është se Kosova do të mbetet territor unik. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe të gjitha palët e duan këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët e Kosovës fajësojnë Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar për mospërfshirjen e serbëve të Kosovës në institucione. Por, çfarë roli luajti vetë Prishtina?

LIVIA PLAKS
Prishtina duhet të përpiqet më shumë. Këtë e theksova edhe në tryezën që e kemi mbajtur. Sinqerisht, nuk shoh strategji të mirëfilltë. Qeveria ka bërë shumë punë, por më tepër janë çështje të izoluara, sesa strategji.

Mendoj se të gjithë liderët shqiptarë që morën pjesë në tryezë, u pajtuan se ka nevojë për një strategji të bashkërenduar si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita; flas për shumicën shqiptare – një strategji që do të joshte komunitetin serb për t'u bërë pjesë e procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se raportet mes Prishtinës e Beogradit do të përmirësohen, nëse ende ka çështje të pazgjidhura - si fati i personave të zhdukur?

LIVIA PLAKS
Unë jam optimiste dhe shpresoj se raportet mes Prishtinës e Beogradit do të përmirësohen, sepse është në interes të secilit, si rajon, që të jetë pjesë e procesit të Bashkimit Evropian dhe që secili shtet në rajon të jetë pjesë e BE-së.

Nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe vendet e Evropës Qendrore i kanë tejkaluar dallimet mes fqinjëve dhe kjo do të ndodhë edhe këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po e përmendni integrimin në BE, si e shihni integrimin e Ballkanit në BE, kur ende është e pranishme trashëgimia e konfliktit të kaluar?

LIVIA PLAKS
Ka pasur konflikte edhe në Evropën Qendrore, si mes Rumanisë e Hungarisë, apo Sllovakisë e Hungarisë. Ka pasur konflikte, por ato janë tejkaluar, sepse secili përfundimisht e ka kuptuar qëllimin dhe të mirën e përbashkët.

Kështu që unë shpresoj dhe jam optimiste se kjo do të ndodhë edhe këtu.

RADIO EVROPA E LIRË

Kur mendoni se kjo do të realizohet?

LIVIA PLAKS
Mendoj se do të kalojë një dekadë dhe gjërat do të përmirësohen më shumë.

Kështu që njerëzit duhet të jenë të durueshëm dhe të punojnë në këtë drejtim dhe besoj se pasi që të kalojë një dekadë, të gjithë do të jemi më të lumtur dhe ky shtet, të paktën, do të jetë pjesë e procesit të BE-së, nëse jo brenda vetë Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG