Ndërlidhjet

Kosova është një nga vendet që varet më së tepërmi nga importi, duke marrë parasysh se ende është në fazën e parë të zhvillimit ekonomik. Këto vlerësime janë dhënë nga disa ekspertë të çështjeve ekonomike, të cilët thonë se do të duhej një periudhë e gjatë përderisa të arrihet krijimi i kapaciteteve prodhuese për të zvogëluar varshmërinë e ekonomisë vendore nga ajo e jashtme.


Autoritetet në Kosovë dhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se duhet ndërtuar një strategji e veçantë për nxitjen e eksportit të prodhimeve kosovare, për ta zvogëluar kësisoj shkallën e lartë të varshmërisë nga importi.

Mimoza Kusari, kryetare e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, konsideron se një prej shkaktarëve kryesorë të nivelit të lartë të importit, është mungesa e kredibilitetit të prodhimeve kosovare në raport me ato që vijnë nga jashtë.

“Kosova, fatkeqësisht, edhe sot është e varur nga importi. Dihet se kemi një deficit të madh tregtar me importe që arrijnë vlerën deri mbi 1 miliard euro dhe eksporte që arrijnë vlerën 100 milionë euro”, thotë ajo.

Sipas Kusarit, bizneset kosovare kanë një kosto më të lartë të veprimit, sesa bizneset që veprojnë në vendet fqinje, duke përfshirë qasjen në infrastrukturë dhe resurset financiare.

“Sfidë në vete është mungesa e kredibilitetit të produkteve kosovare në raport me produktet tjera. Nëse një prodhues kosovar dëshiron të eksportojë, mund të shikohet si me dyshim si nga një vend që vjen nga pas-konflikti, një vend që nuk i ka përmbushur standardet”, pohon Kusari.

Hajdar Korbi, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, thekson se Kosova është akoma në fazat e para të zhvillimit ekonomik dhe, sipas tij, do të duhet një periudhë e gjatë përderisa të arrihet krijimi i nevojshëm i kapaciteteve prodhuese vendore për të zvogëluar varshmërinë nga ekonomia e jashtme.

"Kosova është një nga vendet që varet nga importi. Arsyeja është se rreth 40 për qind e GDP-së është niveli i deficitit tregtar, ndërsa vetëm importet janë 50 për qind e GDP-së, gjë që lë të nënkuptohet se Kosova është një ekonomi konsumuese", deklaroi Korbi.

Megjithatë, zoti Korbi pohon se nuk ka munguar as eksportimi i mallit vendor në tregun e jashtëm, për çka thotë se madje ka pasur një trend rritjeje në këtë rrafsh në kohët e fundit.

Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se për shkak të gjendjes ekonomike në të cilën është Kosova, nuk mund të pritet që brenda një kohe të shkurtër ekonomia kosovare të shndërrohet në ekonomi eksporti dhe të ulet shkalla e importit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë se Kosova është më shumë një treg konsumues sesa i prodhimit dhe, sipas tij, zëvendësimi i prodhimeve vendore me prodhimet e importuara, do të ulë këtë shkallë të lartë të importit.

“Në Kosovë kemi më shumë një treg konsumues sesa treg të prodhimit; kryesisht kemi një ekonomi të brishtë. Në Kosovë çdo ditë lancohen produkte të reja me markën “made in Kosova”, pohon Arifi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG