Ndërlidhjet

Thaçi ballafaqohet me kritikat e opozitës


Kryeministri Hashim Thaçi - foto arkiv

Kryeministri Hashim Thaçi - foto arkiv

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur në interpelancë para Kuvendit, lidhur me raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin në Kosovë, me kërkesë të opozitës.




Pozita dhe opozita në Kuvendin e Kosovës janë ballafaquar me pikëpamje të ndryshme në lidhje me raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin në Kosovë.

Me kërkesë të partisë opozitare, AAK-së, kryeministri Hashim Thaçi është ftuar në interpelancë për të raportuar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian. Sipas opozitës, ky raport paraqet një kthim prapa në periudhën e vitit të fundit.

Mirëpo, me këto konstatime nuk është pajtuar as kryeministri dhe as partitë e shumicës në pushtet. Kryeministri Thaçi tha se integrimi në Evropë nuk është proces i lehtë, kurse ngecjet e paraqitura në raport, sipas tij, janë edhe si pasojë e periudhës kalimtare të përgjegjësive nga UNMIK-ut tek kosovarët.

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është mjaft kompleks e sfidues. Do të ishte krejt naive që dikush të mendojë që raporti i progresit të mos jetë edhe më kërkues dhe paksa kritik në sektor të caktuar, sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte se Kosova është e gatshme për anëtarësim në BE qysh tash, e në fakt Kosovës i nevojiten edhe shumë punë të tjera për t’i bërë”, tha Thaçi.

Ndërkohë, sponsoruesi i kërkesës, deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, tha se raporti i Komisionit Evropian tregon se Kosova është larg përmbushjes së kritereve integruese në BE. Sipas tij, shqetësimet më të mëdha që raporti paraqet kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, rritjen e korrupsionit, krimin e organizuar, si dhe ndërhyrjet e pushtetit në media.

“Në raportin e këtij viti thuhet se korrupsioni është shumë brengosës, do të thotë është shkalla më e lartë e klasifikimit të brengës, të cilën e shpreh BE-ja. Në raport thuhet se mediat intimidohen, dikush mund ta përkthejë edhe kërcënohen. Nëse Komisioni Evropian e shënon në raport ‘mediat intimidohen’, kjo është dashur të jetë alarm për qeverinë, parlamentin, partitë në pushtet edhe për të gjithë të tjerët, për të biseduar për këtë çështje, sepse është shumë serioze”, deklaroi Gjini.

Me vlerësimet e opozitës nuk është pajtuar partnerja e PDK-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se Kosova do të duhet të punojë edhe shumë që t’i përmbushë kriteret e kërkuara. Por, sipas tij, askush nuk duhet të habitet që të presë një përparim brenda natës.

“Brukseli si vizion nuk është spital për shtetet e sëmura, por kërkon që ato shtete të shërohen dhe mandej të integrohen në familjen evropiane. Ne jemi në fillim, Kosova ka hyrë në fazën e studimit të fizibilitetit; është hapi i parë dhe ky studim do të detektojë qartë krejt atë që Kosova ka nevojë ta kalojë në politikat e integrimit”, tha Haziri.

Ndryshe nga Haziri, deputeti opozitar nga radhët e LDD-së, Lulëzim Zeneli, tha se raporti i KE-së paraqet një kthim prapa në Kosovë. Ai tha se institucionet duhet të alarmohen dhe të ndërmarrin hapa të shpejtë për ta sanuar gjendjen nga dëmet e shkaktuara nga qeverisja aktuale.

“Në këtë raport theksohet shumë qartë për fenomenin e pastrimit të parave, trafikimin, krimin e organizuar, por çka do të ishte shqetësimi më i madh për Kuvendin dhe ne si deputetë, është se në raport thuhet se mungon vendosmëria, përcaktimi dhe kapaciteti i nevojshëm në institucionet e Kosovës për ta luftuar efektivisht krimin e organizuar”, theksoi Zeneli.

Interpelancat, sipas procedurave në Kuvendin e Kosovës, përfundojnë pas dy orë diskutimesh. Raporti i Komisionit Evropian përfshin periudhën prej 1 tetorit të vitit 2007 deri më 1 tetor të vitit 2008.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG