Ndërlidhjet

Sarkozy: BE unike për ligjet e paketës klimatike


Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy tha se liderët e Bashkimit Evropian u dakorduar njëzërit mbi paketën e ligjeve, të cilat synojnë t'i reduktojnë emisionet e gazrave në 27 vendet anëtare të BE-së, që shkaktojnë ngrohje globale.

"Ajo që po ndodh është historike. Asnjë kontinent në botë nuk i ka vënë vetes qëllime të tilla detyruese, të cilat ne i pranuam njëzërit", tha Sarkozy, vendi i të cilit kryeson BE-në, në fund të samitit dy ditor në Bruksel.

Ligjet e miratuara në Bruksel i obligojnë vendet anëtare të BE-së që t'i reduktojnë emisionet e gazrave për 20% deri në vitin 2020.

"Pas të gjitha përmirësimeve, ne garantuam se do të arrihet reduktimi i emisioneve për 20 % deri në vitin 2020. Ne gjithashtu garantuam se do ta rritim efikasitetin e energjisë për 20 %", tha kreu i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Ky është plani më ambicioz për ndryshimet klimatike i bërë deri sot nga ndonjë fuqi botërore.

Plani parasheh edhe koncesione për vendet anëtare të BE-së nga Evropa Lindore, të cilat thanë se reduktimi i emisionit të gazrave mund të jetë barrë e rëndë finansiare për ekonomitë e tyre të pazhvilluara.

Po sot, kryeministri i Britanisë, Gordon Brown, tha se liderët e BE-së janë dakorduar për paketën stimuluese prej 200 miliardë euro për t'i ndihmuar ekonomitë e tyre që të këndellen nga kriza globale finansiare.
XS
SM
MD
LG