Ndërlidhjet

logo-print

S’ka më dogana të UNMIK-ut


Vendkalimi kufitar në Jarinë

Vendkalimi kufitar në Jarinë

Doganat e Kosovës janë pavarësuar tërësisht nga UNMIK-u. Por, tani EULEX-i do ketë një mbikëqyrje të lehtë mbi to. Sfidë për këtë shërbim, që sivjet ka tejkaluar të hyrat e parapara, mbetet funksionimi i rregullt në veri, në pikat doganore të shkatërruara nga serbët lokalë pas shpalljes së pavarësisë.


Nga sot nuk do të ketë më Shërbim Doganor të UNMIK-ut. Ngritja e flamurit kosovar në Dogana ka shënuar edhe pavarësimin e këtij shërbimi. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka vlerësuar se pavarësimi i doganave paraqet edhe një akt të rrugës së Kosovës drejt konsolidimit të shtetit sovran.

“Sot kurorëzohet rruga nëntëvjeçare, përmbyllen përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, të institucioneve të Kosovës për të qenë të mëvetësishme në të gjitha degët strategjike, në institucionet e rëndësishme, sidomos në ekzekutiv e legjislacion. Jam i sigurt se tashmë bashkë me EULEX-in, ligjet e Kosovës do të zbatohen gjithandej”, tha Shala.

Doganat kanë qenë nën administrimin e UNMIK-ut tash nëntë vjet. Por, pavarësimi i sotëm nga ky mision në shuarje, nuk është i plotë. Tani do të jenë zyrtarë të EULEX-it që do të kenë një mbikëqyrje të lehtë mbi këtë shërbim. Drejtori i Doganave, Naim Huruglica, shpjegon rolin e EULEX-it:

Dihet misioni i qartë i EULEX-it - është fuqizimi, gjegjësisht ndihma e institucioneve kosovare në drejtim të zbatimit të ligjit. Doganat janë ndër institucionet që e zbatojnë ligjin dhe në këtë rast asistenca e misionit të EULEX-it do të jetë monitorimi dhe një mbikëqyrje e lehtë në tërë territorin e Kosovës, atje ku shtrihen doganat”, tha Huruglica.

Ndryshe, sfidë për Doganat e Kosovës mbetet shtrirja në veri. Në trazirat e shkaktuara nga serbët pas shpalljes së pavarësisë, qenë djegur dy pikat doganore në Jarinë dhe Zubin Potok. Atje, sipas Huruglicës, edhe më tej mbeten patrullat lëvizëse doganore.

“Kemi njerëz jo në dy pikat kufitare, por kemi njësitë tona mobile që operojnë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe patrullojnë 24 orë në ditë për t’i mbyllur shtigjet për kontrabandë që zhvillohet në atë pjesë”, thotë Huruglica.

Ndryshe, mosfunksionimi i këtyre pikave doganore është vlerësuar t’i këtë shkaktuar humbje shumë të mëdha doganave. Të hyrat e doganave janë ndër burimet kryesore me të cilat mbushet Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. Këtë vit, këto të ardhura janë tejkaluar nga plani i paraparë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG