Ndërlidhjet

FSK me uniforma të vendeve të NATO-s


Prezantimi i uniformave të pjesëtarëve të FSK-së, 12 dhjetor 2008.
Prezantimi i uniformave të pjesëtarëve të FSK-së, 12 dhjetor 2008.

FSK-ja do të bartë uniforma që ngjasojnë me ato të NATO-s. Kjo Forcë ka uniforma ngjyrë të gjelbër, përfshirë beretën e zezë, dhe si emblemë përdor flamurin e Kosovës. Kështu deklaroi ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, duke prezantuar uniformat dhe gradat e FSK-së.




Përzgjedhja e komandantit, stafit komandues dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet pas festave të fundvitit, ka deklaruar ministri i FSK-së, Fehmi Mujota.

Këto komente, Mujota i bëri gjatë prezantimit të uniformave të pjesëtarëve të FSK-së. Kjo uniformë ka ngjyrë të gjelbër, përfshirë edhe beretën e zezë, kurse si emblemë përdor flamurin e Kosovës dhe ngjason shumë me uniformat e NATO-s.

Po sot, ministri Mujota ka prezantuar edhe 9 gradat për oficerët e FSK-së dhe 6 të tjera për nënoficerë. Gradat e oficerëve fillojnë nga nëntogeri deri te gjenerallejtënant, ndërkaq për nënoficerët gradat fillojnë nga ushtari deri te flamurtari.

Pas përgatitjeve teknike, Mujota tha se pason edhe përzgjedhja e stafit komandues të FSK-së dhe të gjithë pjesëtarëve që do të përfshihen në këtë Forcë, diku pas festave të fundvitit, gjegjësisht në pjesën e parë të vitit tjetër.

“Mendoj se është e nevojshme që pas festave që do t’i kalojmë, do të kemi mundësinë që të bëjmë edhe përzgjedhjen e të gjithë atyre që kanë konkurruar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe stafin komandues. Domethënë, siguroj të gjithë ata që kanë pasur njëfarë hezitimi se, për shkak të një zhvendosjeje të vogël, nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ sa i përket ecurisë së mbarë të krijimit të Forcës së Sigurisë dhe shpërbërjes së dinjitetshme të Trupave Mbrojtëse të Kosovës”, tha Mujota.

Ministri Mujota tha se uniformat e Forcës së Sigurisë janë siguruar në bazë të një donacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se kjo Forcë po ngritët në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

Andaj, u shpreh më se i bindur se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e gatshme që të përfshihet edhe në misione ndërkombëtare, nëse kjo i kërkohet nga Aleanca Veri-atlantike.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po ngritët në partneritet, sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s dhe në çdo kohë e çdo vend, kur të jetë e gatshme dhe kur të jetë e nevojshme, për t’u përfshirë në misione jashtë vendit, do të ketë identifikimin e plotë edhe shtetëror, por edhe atë të forcave që bartin vendet anëtare të NATO-s”, theksoi Mujota.

Bazuar në legjislacionin aktual, Mujota sqaroi se pjesëtarët e kësaj Force nuk do të quhen ushtarë, por pjesëtarë të FSK-së. Formimi i FSK-së pason shpërbërjen e TMK-së që ishte paraparë për datën 10 dhjetor, por është shtyrë për mesin e janarit të vitit 2009, për shkak të mosemërimit të komandantit dhe stafit komandues.

Sipas zyrtarëve vendorë, Forca e Sigurisë së Kosovës do të funksionalizohet më 15 qershor të vitit 2009. Kjo Forcë do të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta.
XS
SM
MD
LG