Ndërlidhjet

logo-print

Kur do të bëhet regjistrimi i popullsisë?


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Zyrtarë të Ministrisë së Shërbimeve Publike dhe ata të Entit Statistikor të Kosovës thonë se janë në përfundim të të gjitha përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë së Kosovës. Ata konsiderojnë se në regjistrimin e popullsisë, që pritet të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2009, do të marrin pjesë të gjitha komunitetet.


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të Entit Statistikor thonë se janë në fund të përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Zëvendësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blaku, thotë se pas përgatitjeve dhe testimeve të fundit, pritet vetëm të caktohet data se kur do të ndodhë regjistrimi

“Zyra për regjistrim është në vlugun e madh të përgatitjeve lidhur me regjistrimin e popullsisë, ekonomive shtëpiake dhe banesave. Tash, para dy javësh, kemi përfunduar një test-regjistrim, i cili kishte për qëllim provën e të gjitha instrumenteve lidhur me prodhimin e statistikave cilësore, statistikave të pranuara ndërkombëtarisht, të krahasuara sipas normave të Eurostatit dhe Bashkësisë Evropiane", tha zoti Blaku.

Edhe drejtori i Entit Statistikor, Avni Kastrati, konsideron se janë bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe se Enti Statistikor është i gatshëm për një proces të tillë.

"Enti i Statistikave ka bërë të gjitha përgatitjet teknike sa i përket përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë. Ne jemi të fokusuar në finalizimin e të gjitha dokumenteve dhe besojmë që ato janë edhe konform standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare", tha zoti Kastrati.

Sipas zëvendësministrit Blaku, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, do të vendosin se kur do të caktohet data për regjistrimin e popullsisë.

"Unë, edhe pse jam i thirrur dhe e di një datë, mendojmë që në bashkëpunim me Zyrën Civile të Bashkimit Evropian dhe me Eurostat-in, së shpejti ta komunikojmë datën. Ajo do të jetë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm dhe do të rrumbullakohet ky proces", tha zoti Blaku.

Ndryshe, zyrtarët e Ministrisë së Shërbimeve Publike shprehen të bindur se në procesin e regjistrimit do të marrin pjesë të gjitha komunitetet, të cilat jetojnë në Kosovë. Ata madje thonë se në përgatitjet e fundit testuese, ka marrë pjesë rreth 70 për qind e komunitetit serb.

Drejtori i Entit Statistikor të Kosovës, Avni Kastrati, pohon se janë duke u përgatitur të gjitha instrumentet edhe në gjuhët e komuniteteve.

“Ne do të mundohemi që për të gjitha komunitetet të jemi shumë të hapur dhe transparentë gjatë gjithë procesit. Në regjistrimin e fundit testues, ne kemi përfshirë një numër të serbëve, diku mbi 27 %, krahasuar me numrin e përgjithshëm të serbëve që tani përbejnë 5-6 %. Komuniteti serb ka participuar me 71.1% në regjistrimin testues dhe besojmë që pjesa më e madhe e komunitetit serb do të participojë në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë", tha Kastrati.

Deri më tani janë mbajtur tri regjistrime testuese, të cilat janë vlerësuar si të suksesshme, ka thënë zoti Blaku, duke shtuar se nuk ka nevojë për ndonjë regjistrim tjetër testues.

Sidoqoftë, sipas ligjit aktual për regjistrimin e popullsisë, datën për regjistrim e përcakton Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare. Regjistrimi i fundit i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave në Kosovë është bërë para 27 vjetësh.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG