Ndërlidhjet

“Sistemi gjyqësor me ‘zgjidhje’ të përkohshme”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Me gjithë parashikimet e zymta që i paraprinë fillimit të shtrirjes së misionit të BE-së, EULEX, në Kosovë, java e parë e aktivitetit të tij ka krijuar optimizëm te bartësit e funksioneve politike në Kosovë. Megjithëse ende nuk është përcaktuar plotësisht korniza ligjore ku do të mbështetet ky mision, objektivat e tij, qëndrimi karshi statusit dhe koha sa do të qëndrojë në Kosovë, shenjat e para të punës së tij duken pozitive. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, tha se fillimi i funksionimit të EULEX-it është i mbarë. Megjithëse herët për të dhënë konkluzione, sipas Krasniqit, është shumë e rëndësishme që ky fillim i shtrirjes së EULEX-it është në përputhje me kërkesat e institucioneve të Kosovës dhe mandatin origjinal të EULEX-it. “Bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me EULEX-in do të jetë i ngushtë, duke u bazuar në mandatin që ka ky mision, në mënyrë që aktivitetet, të cilat i parasheh mandati i tij, të zbatohen në plotësi”...

KOHA DITORE
Sistemi gjyqësor në Kosovë, edhe pse konsiderohet ndër më të korruptuarit në vend, ka vazhduar të mos jetë për një kohë të gjatë në qendër ët vëmendjes së krerëve institucionalë. Organi më i lartë i sistemit gjyqësor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, edhe më tej funksionon mbi bazën e rregulloreve të UNMIK-ut, pavarësisht se Kushtetuta e vendit ka gjashtë muaj që ka yrt në fuqi. Vetëm pas gjashtë muajsh nga koha kur Kosova është bërë me Kushtetutë, Qeverisë së vendit i ka ra ndërmend për domosdoshmërinë e rikonsolidimit të sistemit gjyqësor. Mirëpo, në vend se për këtë rikonsolidim të zbatojë Kushtetutën, Qeveria ka menduar për një zgjidhje të përkohshme, e cila, sipas ekspertëve, konsiderohet e panevojshme. Në mbledhjen e fundit, Qeveria ka aprovuar Projektligjin për Këshillin e Përkohshëm Gjyqësor të republikës së Kosovës, si një zgjidhje të përkohshme për bartjen e kompetencave në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë...

KOSOVA SOT
Shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabon, ka paralajmëruar se shumë shpejt në Beograd do të hapet zyra e këtij misioni evropian. “Nevojiten lidhje me të gjitha vendet përreth, në mënyrë që të mund të punojmë bashkë më gjerë nga Kosova, sikurse misioni i EUROPOL-it, Interpol etj.”, tha ai pas një vizite në Patrikanën e Pejës. Kermabon tha se është kompetent që në Kosovë të realizojë sundimin e ligjit dhe se do të bëjë përpjekje që kjo të realizohet, veçanërisht kur është fjala për komunitetet pakicë. Ai tha se ky mision do të merret me zbardhjen e të gjitha veprave penale të pazgjidhura në Kosovë. “Ne jemi të vendosur që të përgjigjemi në të gjitha çështjet dhe t’i zgjidhim rastet që deri më tani nuk janë zgjidhur”, tha ai duke theksuar se kjo është arsyeja pse EULEX-ii duhet Kosovës...

BOTA SOT

Profilizimi i partive politike në Kosovë deri së voni ka qenë si një çështje thuaja tabu. Jo vetëm se nuk është diskutuar shumë rreth kësaj çështjeje, por është kushtëzuar, mbase nga vetë përbërja e strukturave, që në koncepte kanë dalluar thellësisht. Por, mbase vetë interesi më i madh i partive, por edhe i qytetarëve, që partitë të jenë të profilizuara, i ka bërë së fundi edhe partitë që kanë pasur deri në zgjedhjet e fundit një imazh majtist, të deklarohen të djathta... Politikologu Agim Zogaj, sa i përket profilimit të partive, thotë se nuk ka progres apo ndonjë avancim të theksuar të profilizimit. “profilizimi ideor i partive politike përgjithësisht rrjedh si rezultat që pluralizmi politik në Kosovë, jeta politike plurale, është paraqitur me shumë vonesë dhe jemi në fillim të kësaj historie të pluralizmit, d.m.th. janë 20 vjet pluralizëm”, thotë Zogaj...

EPOKA E RE
Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Agim Çeku, në konferencën e rregullt për medie të dielën, ka thënë se PSD-ja e ka mirëpritur shtrirjen e misionit EULEX në tërë territorin e Kosovës, madje e ka cilësuar 9 dhjetorin – ditën kur ky mision filloi së funksionuari – ditën më të madhe evropiane për Kosovën. Por, megjithatë, PSD-ja ka ngritur një varg shqetësimesh rreth paqartësive për mandatin dhe objektivat e EULEX-it. Kryetari Çeku ka kërkuar që EULEX-i të definohet se cilës kornizë ligjore i referohet: Kushtetutës së Kosovës, Rezolutës 1244. raportit të Ban Ki Moonit apo Planit të përbashkët të veprimit të BE-së. Gjithashtu, sipas PSD-së, duhet të dihet se cili është definicioni i suksesit të EULEX-it, cila është kohëzgjatja dhe strategjia dalës e EULEX-it dhe cili është suksesi që EULEX-i duhet ta arrijë për të dalë nga Kosova...

EXPRESS
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, që është funksionalizuar më 9 dhjetor, do të dërgojë për çdo javë raporte me shkrim në Bruksel, aty ku ndodhet komanda për këtë mision, mirëpo ende është e paqartë procedura për raportim në OKB. BE-ja ka pranuar që EULEX-i të futet nën “ombrellën e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara” dhe në intervale të caktuara kohore të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për aktivitetin e EULEX-it në Kosovë. Shefi i misionit të BE-së, Yves de Kermabon, ka thënë shpeshherë se ai do t’u raportojë ambasadorëve të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme she siguri, Javier Solana, ndërkaq BE do t’i dërgojë raporte me shkrim OKB-së... Lidhur me këtë, dy zyrtarë ndërkombëtarë të kontaktuar nga Express, kanë përmendur dy opsione të ndryshme. Opsioni i parë për të cilin është folur tash e disa muaj dhe të cilin e preferon Brukseli, është që raporti për aktivitetin e EULEX-it të dërgohet në OKB nga Javier Solana çdo gjashtë muaj. Ndërkaq, sipas opsionit të dytë, i cili nuk është përmendur asnjëherë deri më tash, raporti me shkrim rreth misionit të BE-së duhet të mbërrijë në Nju Jork çdo tre muaj, si aneks i raportit të rregullt për aktivitetin e UNMIK-ut...

INFOPRESS
Vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë edhe në pjesën veriore të Kosovës, autoritetet në Prishtinë e vlerësojnë hap të rëndësishëm në përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës edhe në atë pjesë të vendit. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se misioni EULEX do të shërbejë edhe si një urë lidhëse ndërmjet qytetarëve serbë, të cilët përbëjnë shumicën në atë pjesë të vendit, që ata sa më lehtë dhe sa më shpejt të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Mospajtimet e pjesëtarëve të komunitetit serb me rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare janë përcjellë edhe me disa incidente që autoritetet i cilësua si të izoluara dhe të pafuqishme për të penguar shtrirjen e misionit të EULEX-it. “Ne shpresojmë se nuk o të ketë më incidente të tilla, nuk ka më edhe arsye nga askush që të ketë incidente të tilla, nuk ka edhe interes legjitim të qytetarëve për të pasur incidente të tilla...”

ZËRI
Sadri Ferati, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë dje se është i njoftuar se emri i tij ka dalë si propozim për shef ekzekutiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës, po, në të njëjtën kohë, ka theksuar se nuk është ai njeriu i cili kërkon ta mësojë Kryesinë e partisë se si duhet të bëhet zgjedhja e shefit. “Unë dëshiroj që në Kryesinë e LDK-së të krijohet një ambient ralaksues, në mënyrë që Kryesia pastaj të vendosë për shefin ekzekutiv”, i tha dje “Zërit”, ministri Ferati. Ai ka pohuar se prej ditës kur ka mësuar se emri i tij ka dalë në sipërfaqe si i propozuar prej kryetarit Fatmir Sejdiu për këtë post, nuk ka pasur kontakte apo zhvillime të reja, por ka shprehur gatishmërinë e plotë që të kontribuojë për partinë, në secilën detyrë të cilën ajo ia ngarkon atij...
XS
SM
MD
LG