Ndërlidhjet

logo-print

NYT: “Frikë nga një konflikt i ri etnik në Bosnjë”


“New York Times”

Trembëdhjetë vjet pasi Shtetet e Bashkuara mundësuan arritjen e marrëveshjes së Dejtonit, sërish po rritet droja se Bosnja, tashmë e varfër dhe e ndarë, po shkon drejt një krize të re.

Mundësia e një lufte tjetër po haset gjithnjë e më shpesh në bisedat mes njerëzve. Marrëveshja Paqësore i dha fund luftës, por sistemi politik i decentralizuar që krijoi Dejtoni, më shumë thelloi ndarjet, se shëroi dallimet ndëretnike.

Duke vijëzuar skenarin më të keq, Sreçko Latal, specialist për Bosnjën, tërheq vërejtjen se nëse Republika Serbe e Bosnjës shpall pavarësinë, Kroacia do të përgjigjet duke dërguar trupa në Bosnjë, kurse boshnjakët do të marrin armët.

Dhe, nëse Banja Lluka do të bjerë pas një përpjekjeje për pavarësi, Serbia do të hynte në lojë duke lënë të hapur mundësinë e një lufte rajonale.

"Lufta nuk është përtej të mundshmes", thotë eksperti Latal.

I dërguari i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë, Mirosllav Lajçak, pohon se "situata politike është e vështirë dhe e paqëndrueshme, por jo e tillë që të vërë në pikëpyetje sigurinë. Dhuna është e mundshme, por nuk shoh gjasa për një luftë të re."

Që vendi të përparojë, udhëheqësit e të gjitha krahëve thonë se duhet tejkaluar struktura bizantine e Dejtonit, që krijon një sistem qeverisjeje në të gjithë vendin me 160 ministra, çfarë merr 50% të buxhetit të vendit.

Haris Silajxhiq, nga presidenca boshnjake, thotë se Dejtoni lejoi krijimin e një etnokracie në vend të demokracisë dhe legjitimoi politikën gjenocidiale të serbëve gjatë luftës.

Por, kryeministri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, thotë se "nëse nuk i pëlqen Dejtoni, pse e nënshkroi?", duke pasur parasysh që Silajxhiqi është një ndër nënshkruesit e marrëveshjes.

Dodik, i cili më herët ka mbrojtur idenë e shkëputjes, aktualisht thotë se ndarja nuk është në agjendën e tij. Por, ai shton se "Bosnja është një vend i ndarë".

"Nuk ka asnjë ngjarje apo festë, me përjashtim të Vitit të Ri dhe 1 Majit që e festojmë së bashku. Nuk kam më iluzione", thotë Millorad Dodik.
XS
SM
MD
LG