Ndërlidhjet

Zvarritjet e (pa)justifikueshme për krijimin e AKI-së


Zyrtarët në Prishtinë thonë se vonesat në krijimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë të kuptueshme, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij institucioni, por ekspertët pohojnë se çdo zvarritje është e pajustifikueshme.


Vonesat për krijimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë të pajustifikueshme - vlerësojnë ekspertët e sigurisë në Prishtinë, të cilët thonë se AKI-ja tanimë është dashur të jetë operacionale.

Eksperti Nuredin Ibishi kritikon institucionet përgjegjëse kosovare për ketë vonesë, e cila, sipas tij, ndikon negativisht në hetimin e rasteve të natyrave të ndryshme në Kosovë.

"Vonesa e Qeverisë në emërimin e autoriteteve më të larta në Agjenci është në një formë e pajustifikueshme, në kuptimin e asaj se nëpërmes mosemërimit të autoriteteve, e bëjnë Kosovën në këtë aspekt të brishtë, në kuptimin e involvimit të sistemeve edhe të informacioneve, edhe të sigurisë në përgjithësi", tha ai.

Mendimet dhe kritikat e ekspertëve për këtë çështje i kundërshton Qeveria e Kosovës, duke thënë se rëndësia e formimit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ndikon dhe në aspektin kohor. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj sqaron qëndrimin e ekzekutivit kosovar:

"Ekspertët mund të thonë, mund ta thotë kush si të dojë, por duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për një institucion të rëndësisë së veçantë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, natyrisht që edhe punët përgatitore marrin kohën e tyre", thotë Manaj.

Manaj siguron se punët përgatitore për formimin e këtij institucioni janë duke vazhduar me një intensitet të shtuar dhe, siç pohon ai, shumë shpejt pritet të bëhet emërimi i zyrtarëve të parë të kësaj agjencie.

"Është një punë e rëndësishme për një institucion tepër të rëndësishëm dhe unë besoj se shumë shpejt do të përmbyllet kjo fazë e punës, me nxjerrjen e emrave eminentë që do të udhëheqin këtë institucion tepër të rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e tij",
theksoi Manaj.

Ndërkohë, sipas ekspertit Ibishi, tanimë është dashur të figurojnë të paktën kandidatët e parë për poste të caktuara në AKI, sepse, sipas tij, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme, të cilat do të mund ta udhëheqin një institucion të tillë.

"Ka persona që janë profesionalë, që mund ta kryejnë këtë punë edhe pa ndikime, apo pa qenë pjesë e ndonjë shërbimi inteligjent të mëhershëm, apo pjesë e ndonjë partie apo lidershipi të ndonjë partie", tha Ibishi.

Sipas ligjit, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës do t'i përgjigjet kryeministrit, por do të informojë edhe presidentin e vendit.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës, përveç raportimit që mund ta bëjë te kryeministri, ajo krejtësisht duhet të jetë apolitike.

"Absolutisht jo. Bile në të parashihet që përveç të tjerëve, të jetë e drejtë e qytetarëve të Kosovës të konkurrojnë, duke përfshirë edhe minoritetet, por absolutisht jo me premisa partiake apo politike", tha ai.

Ligji për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës e përcakton këtë mekanizëm si të vetmen strukturë civile të shërbimit të fshehtë në Kosovë. Ky ligj po ashtu i përcakton edhe metodat e mbledhjes së informatave, që mund të jenë përgjimi njerëzor, telefonik, mobil, përmes personave dhe agjentëve të fshehtë, mbledhja e të dhënave konfidenciale nëpër institucione të ndryshme dhe të tjera.

Mungesa e një shërbimi informativ ka bërë që Kosova e pas pavarësisë të ballafaqohet me krim të organizuar të mënyrave të ndryshme.
XS
SM
MD
LG