Ndërlidhjet

Sa mund të mbikëqyrë Kuvendi sektorin e sigurisë?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kosova ka nevojë për një mbikëqyrje më efikase parlamentare dhe publike të sektorit të sigurisë, është thënë në një debat me temën "Ngritja e Mbikëqyrjes Parlamentare dhe Publike të Sektorit të Sigurisë në Kosovë”.


Parlamenti i Kosovës duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe dhe më efikase në fushën e sigurisë, thonë ekspertë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Në një debat në lidhje me sektorin e sigurisë në Kosovë, u tha se Kuvendi duhet të ndërtojë mekanizma edhe më efikas, në mënyrë që të marrë rolin që i takon në mbikëqyrjen e sektorit të sigurisë.

Kryetari i Komisionit për punë të brendshme dhe siguri në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa, tha se aktualisht ekziston një mbikëqyrje parlamentare në sektorin e sigurisë, që, sipas tij, është edhe mjaft transparente.

Megjithatë, nënvizoi Mustafa, nevojitet krijimi i kapaciteteve të reja në funksion të një mbikëqyrjeje më të mirëfilltë parlamentare për sektorin e sigurisë.

”Me këtë qasje që jemi, në shtim të kapaciteteve që na duhen tash, unë besoj se mundemi dhe jemi në pozitë të krijojmë kapacitete të reja për mbikëqyrje parlamentare në gjithë sektorin e sigurisë. Një gjë që ende po na mungon, janë kapacitetet analitike në vend së bashku me kapacitetet akademike, jo vetëm për mbikëqyrje, por edhe për definimin e rrugëve kah duhet të ecë procesi i sigurisë në vend”, tha Mustafa.

Në debat ka marrë pjesë edhe Darko Stançiq, nga Qendra e Gjenevës për Kontrollin e Forcave të Armatosura. Ai tha se sektori i sigurisë nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse aty nuk marrin pjesë të gjithë akterët relevantë të shtetit dhe shoqërisë.

“Kosova po ballafaqohet me një sfidë të re. Kjo nuk ka të bëjë me reformimin, por me ndërtimin e një sektori të ri të sigurisë si një shtet i ri që është
”, tha Darko Stançiq.

Sipas tij, përveç mekanizmave shtetërorë, në këtë proces nevojitet edhe përfshirja e shoqërisë civile dhe medieve, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimet demokratike.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Institutit KIPRED, Qemajl Marmullakaj, paraqiti një pasqyrë të mekanizmave që bëjnë mbikëqyrjen parlamentare të sektorit të sigurisë, duke vlerësuar se Kosova nuk i ka ende kapacitetet e mjaftueshme për ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm të sigurisë.

”Nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të krijuar mbikëqyrjen parlamentare në momentin e tanishëm, pasi që nevojiten edhe kapacitete shtesë, qofshin ato komisione, qofshin struktura administrative, qofshin edhe resurse të tjera”, theksoi Marmullakaj.

Sidoqoftë, kompetencat në fushën e sigurisë mbeten tek autoritetet civile e ushtarake ndërkombëtare, andaj kosovarët, deri më tash, mbikëqyrjen e tyre në këtë sektor e kanë përqendruar kryesisht në debate, raporte apo rekomandime për rritjen e shkallës së sigurisë në pjesë të caktuara të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG