Ndërlidhjet

“Serbia ‘pushton’ hekurudhat e Kosovës në veri”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Një tren i shpejtë nga Beogradi ka arritur të dielën në mëngjes në Zveçan, duke shkelur 38 kilometra brenda linjës së hekurudhave të Kosovës, pa e njoftuar asnjërin prej autoriteteve kosovare, as ndërkombëtare, as vendore. Madje, treni i shpejtë i linjës Beograd-Zveçan nuk është i pari që hyn në Kosovë. Në kundërshtim me vullnetin dhe pa dijeninë e institucioneve kosovare, qysh prej marsit të këtij viti, kur ndërmarrja shtetërore serbe “Hekurudhat e Serbisë” pushtoi një pjesë të hekurudhave në veri të Kosovës, Serbia ka aktivizuar linjën e mëngjesit Kralevë-Zveçan, ndërsa prej shtatorit të këtij viti ka aktivizuar edhe linjën e pasdites në të njëjtin relacion. “Për neve është bërë një okupim klasik... përpos që e ka okupuar hekurudhën dhe e administron, për neve ajo llogaritet se ka marrë edhe territorin, sepse askund tjetër në një shtet tjetër nuk mund të administrojë kompani tjetër ne 40 kilometra hekurudhë. Ky është precedent”, thotë për gazetën Sabit Thaçi, nënkryetar i Sindikatës së “Hekurudhave të Kosovës”...

BOTA SOT
Hapja e një zyre të EULEX-it në Beograd është parë me një sy kritik nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilat e quajnë këtë devijim nga rruga për të cilën është nisur EULEX-i në Kosovë. Sipas disa deputetëve, me këtë veprim rikonfirmohet edhe një herë se EULEX-i është thjesht vazhdimësi e UNMIK-ut, por tashmë me një emër të ri... Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se hapja e një zyre të EULEX-it në Beograd nuk ka për qëllim që t’i japë ndonjë mandat apo lloj të veçantë të autoritetit. Ai pranon se për këtë çështje institucionet e Kosovës kanë pasur konsultime shtesë me shefin e misionit, Ive de Kermabon... Ndërkaq, Ramë Buja, deputet nga radhët e PDK-së, nuk beson se EULEX-i ka devijuar nga ajo për të cilën ka ardhur në Kosovë, por, sipas tij, është e logjikshme se nëse duhet të hapet një zyrë në Beograd, atëherë EULEX-i duhet ta bëjë të njëjtën gjë edhe në vendet fqinje për të koordinuar disa veprime që janë të përbashkëta në momente të caktuara...

EXPRESS
Ende pa u bërë një javë nga funksionalizimi i misionit të BE-së në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, prokurorët e këtij misioni kanë filluar punën në disa raste penale, të cilat vlerësohet të jenë të ndjeshme për t’u lënë në duart e prokurorëve kosovarë. Zyrtarë të EULEX-it kanë konfirmuar të hënë se disa nga prokurorët e tyre po punojnë në këto raste, por janë shumë të rezervuar në dhënien e informacionit. “Prokurorët tanë i kanë marrë disa raste”, ka thënë për Express Kristiina Herodes, zëdhënëse e komponentit të EULEX-it për çështje të drejtësisë. E pyetur se për çfarë rastesh bëhet fjalë, ajo tha se këto janë raste sensitive...

INFOPRESS
Legjislativi i vendit ka miratuar të hënën në parim gjashtë ligje, që dalin si obligim nga pakoja e Ahtisaarit. Me këtë është hapur rruga edhe më tej e krijimit të disa institucioneve relevante për shtetin. Projektligji për të huajt; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për shëndetësinë; Projektligji për gjykatën kushtetuese të Republikës së Kosovës; Projektligji për përbërjen e përkohshme të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës; Projektligji për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës; Projektligji për shërbimin konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës – janë projektligjet e miratuara në këtë seancë. Këto ligje kanë kaluar në procedurë të përshpejtuar ku nuk ka pasur diskutim të gjatë për ta. Projektligjet në fjalë sot pritet të miratohen pasi që komision ‘ad hock’ të ketë shqyrtuar dhe të ketë dhënë rekomandimet...

ZËRI
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka thënë se rikonfigurimi i pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë nuk nënkupton fundin e UNMIK-ut. Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet për një qëndrim më të gjatë të administratës së OKB-së në vend, përkundër pritjeve për një largim të këtij misioni. “Viti 2008 e solli Evropën më afër Kosovës dhe Kosovën më afër Evropës”, ka thënë Zannier në pritjen e organizuar me rastin e festave të fundvitit. Ai ka thënë se viti 2008 i ka sjellë shumë gjëra të rëndësishme Kosovës. “Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm me ngjarje historike, ka qenë një vit në të cilin UNMIK-u nuk ka qenë në qendër të vëmendjes, siç nuk do të jetë as në vitin 2009. Por, rikonfigurimi nuk do të sjellë fundin e UNMIK-ut. Ne do të vazhdojmë të jemi këtu edhe për një kohë”, ka thënë Zannier...

EPOKA E RE
Një javë pas shtrirjes së misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e ligjit në Kosovë, gjendja në Komunën e Mitrovicës, veçanërisht në veri, vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Java e parë e fillimit të punës së EUELX-it ka kaluar pa incidente serioze që do të mund të reflektonin në situatën e përgjithshme në këtë komunë. Kështu është vlerësuar të hënën në mbledhjen e Komitetit për Siguri, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës dhe ku marrin pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe strukturave të sigurisë. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, ka thënë se ende ekziston nevoja për prani edhe më të madhe të strukturave të sigurisë në lagjet e veriut, si në Lagjen e Boshnjakëve, e cila popullohet nga shqiptarët dhe serbët, në mënyrë që të parandalohet eskalimi i situatës...

KOSOVA SOT
Ndonëse Trupave të Mbrojtjes së Kosovës u kanë mbetur vetëm edhe dy muaj shërbim në misionin e tyre, atëherë kur edhe do të fillojë të formohet Forca e Sigurisë së Kosovës, faza e parë e aplikimit të pjesëtarëve të TMK-së për t’u sistemuar në FSK veçse ka mbaruar, megjithëse ende nuk dihen emrat e as numri i atyre pjesëtarëve që kanë pasur fatin të jenë pjesë e FSK-së. Disa nga pjesëtarët e TMK-së që nuk o të kenë fatin të jenë pjesë e strukturave të FSK-së, do të sistemohen nëpër ministritë dhe institucionet shtetërore të Kosovës. Kështu tha ministri i MSHP-së, Arsim Bajrami. Ministri Bajrami për “Kosova Sot” tha se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues ndërministror pothuajse nga të gjitha ministritë për të shqyrtuar kapacitetet dhe mundësitë që secila ministri dhe institucion shtetëror i Kosovës në gjirin e tij të inkuadrojë njerëz profesionistë të fushave të ndryshme e që vijnë nga radhët e TMK-së...

LAJM
Prezantimi i dobët i Kosovës në arenën ndërkombëtare, mungesa e një lobi të fuqishëm dhe së fundi “gjashtëpikëshi i Ban Ki Moonit” dhe Deklarata presidenciale e KS-së, kanë ngadalësuar procesin e njohjes së shtetit të Kosovës. Partitë opozitare konsiderojnë se punët dhe veçmas lobimi i dobët i institucioneve – Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Jashtme, janë fajtorë të këtij stopimi të përkohshëm, të cilët, sipas tyre, nuk po i ndihmon madje as vendosjes së EUELX-it në Kosovë. “Kjo pasi vendosja e EULEX-it nën Rezolutën 1244 e pengon procesin e njohjes dhe nuk ndikon pozitivisht në njohje të reja. Tërthorazi vonesat dhe mosnjohjet e reja janë pasojë edhe e veprimeve të fundit që ndodhën në KS, gjashtëpikëshit dhe Deklaratës presidenciale të KS-së, të cilat së bashku godasin në këtë pikë”, tha për Lajm, Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së...
XS
SM
MD
LG