Ndërlidhjet

S’ka integrim të veriut pa shuarjen e strukturave paralele


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Integrimi i veriut në sistemin juridik e kushtetues të Kosovës do të varet nga angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe EULEX-it, thonë zyrtarët kosovarë, sipas të cilëve, hapi i parë që duhet ndërmarrë në veri, është shuarja e strukturave paralele.


Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të kenë një rol më aktiv në angazhimin e përbashkët me EULEX-in për integrimin e pjesës veriore, thonë deputetët dhe zyrtarët e partive politike.

Sipas tyre, institucionet vendore do të duhej të jenë aktive dhe jo vëzhguese të veprimeve të EULEX-it në veri, ku misioni ndërkombëtar besohet se do të vazhdojë të ketë rolin parësor, për shkak të rrethanave specifike në këtë pjesë të Kosovës.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se shtrirja e EULEX-it nënkupton që ky mision të vendosë rregull në portat kufitare me Serbinë, në zbatimin e ligjit për doganat, gjyqësorin dhe shpërbërjen e strukturave paralele. Këto detyra, thotë ai, janë edhe mandati i EULEX-it, ndërkaq një rol aktiv aty, sipas tij, duhet të kenë edhe institucionet kosovare.

“Ka shumë detyra që duhet të ndërmerren - shpërbërja e strukturave paralele komunale, shpërbërja e strukturave paralele të sigurimit shtetëror të Serbisë, shpërbërja e strukturave paralele tjera që kanë qenë funksionale gjatë këtyre nëntë vjetëve dhe kanë sjellë probleme realisht dhe unifikimi i këtyre strukturave në përputhje me angazhimet dhe kërkesat kushtetuese të Kosovës”.

“Ka shumë punë; mendoj se skenari është ndërtuar tashmë dhe duhet të zbatohet gradualisht dhe kjo mundëson që të integrohet popullata gradualisht në institucionet e Kosovës”, tha Haziri.

Ndërkohë, deputeti i AKR-së, Ibrahim Gashi, thotë se shtrirja e EULEX-it është lajm i mirë për Kosovën. Por, sipas tij, ende nuk ka shumë vend për optimizëm se gjendja në pjesën veriore do të mund të ndryshojë.

Gashi thotë se ndryshimi i gjendjes në pjesën veriore do të varet edhe nga angazhimi i institucioneve të Kosovës për të shtrirë zbatimin e kushtetutshmërisë edhe në këtë pjesë të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet të imponohen duke qenë aktive, duke qenë kreative me projekte të qarta, me strategji të qarta, për t’i zgjidhur problemet, të cilat në njëfarë mënyre janë grumbulluar të paktën vitin e fundit”.

“Këtu kam parasysh strukturat paralele, mosfunksionimin e shtetit ligjor në shumë pjesë ku institucionet nuk kanë pasur qasje. Duhet në njëfarë mënyre të ekzistojë njëfarë prirjeje e tillë, se me EULEX-in do të ndihmohet procesi i shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, edhe pse nuk ka vend për një optimizëm të tillë”, vlerëson Gashi.

Ibrahim Gashi vlerëson po ashtu se nëse institucionet e Kosovës mbeten larg veriut dhe ia lënë këtë çështje vetëm EULEX-it, atëherë atje nuk mund të priten ndryshime të mëdha në gjendjen ekzistuese.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se pas shtrirjes së EULEX-it mbetet të qartësohet tash mandati dhe forma e operimit të këtij misioni. Arifi i bën thirrje Qeverisë që të hartojë plane konkrete për integrimin e veriut, të cilat do t’i zbatonte bashkë me misionin e BE-së.

“Përderisa të ekzistojnë strukturat paralele, natyrisht se do të jetë shumë vështirë që shoqëria jonë të funksionojë si duhet. Gjithsesi që të shuhen këto struktura paralele, kjo duhet të shkojë në dy veprime”.

“E para, bashkërenditja e veprimeve me EULEX-in, si një mision i pranuar ndërkombëtarisht dhe mision që ka shtrirje në gjithë territorin e Kosovës. Kurse, e dyta, e kemi përmendur edhe më herët se Qeveria e Kosovës duhet të ketë një plan që do të përfshinte shumë aspekte ekonomike, sociale dhe që do të krijonte mundësi për shtrirje edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”, thotë Arifi.

Në bazë të planit të Ahtisaarit parashihet krijimi i komunës veriore të Mitrovicës, ndërkaq edhe një shkallë e lartë e vetëqeverisjes lokale në vendbanimet me popullatë serbe, kryesisht në arsim e shëndetësi.

Por, plani i Ahtisaarit nuk është pranuar nga serbët, andaj mbetet të shihet se cila do të jetë qasja dhe oferta e EULEX-it dhe institucioneve vendore që do t’i bëhet komunitetit serb në veri, pjesë kjo që për nëntë vjet funksionon jashtë sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.
XS
SM
MD
LG