Ndërlidhjet

Skema piramidale rrit ankthin e bankave botërore

  • RFE /RL

Skemat piramidale kryesisht janë të lidhura me vende si Shqipëria apo Rusia, që kanë zhvilluar një kapitalizëm të egër gjatë viteve të '90-ta. Por, ajo që përshkruhet si një nga rastet më të mëdha të skemave piramidale, ka ndodhur në zemër të sistemit financiar amerikan.

Bernard Madoff, dikur kryetar i respektuar i Nasdaqut në bursën amerikane, u arrestua pak ditë më parë, pasi i kishte deklaruar punonjësve të tij se gjithë aktiviteti që kryente, ishte një gënjeshtër e madhe.

Ndaj tij rëndojnë akuzat se u ka shkaktuar investitorëve një dëm prej 50 miliardë dollarësh.

Avokati Mark Mulholland ka pohuar se ishte befasuar nga moria e telefonatave që kishte marrë e që ishin njerëz që kishin investuar në fondin e Madoff-it.

“Është befasuese dhe e jashtëzakonshme. Ajo çfarë ka ndodhur aty, thjesht të bllokon frymëmarrjen", thotë Mulholland.

Skemat piramidale janë metoda klasike të vjedhjes së fondeve të mëdha në shkëmbim të premtimeve se investitorët do të marrin interesa të larta. Në momentin që shumë nga investitorët kërkojnë paratë e tyre, atëherë ndodh dhe rënia e firmës.

Kjo, sipas prokurorëve, ka ndodhur dhe në rastin Madoff. Por, në dallim me skemat famëkeqe piramidale në Shqipëri, kjo e Madoff-it nuk tërhoqi njerëz të zakonshëm. Aty kishin investuar njerëz të pasur që janë emra të njohur në botë, si dhe kompani të mëdha.

Në mesin e këtyre të fundit janë banka HSBC dhe Santander, të cilat të dyja së bashku kishin investuar më shumë se 4 miliardë dollarë.

Në mesin e emrave të njohur, viktimë e kësaj skeme piramidale është edhe Stiven Spielberg.

Një grup jofitimprurës me qendër në Nju Jork, që nxiste idetë e reja, tashmë përballet me falimentimin pas investimit në skemën piramidale të Madoff-it.

Drejtori i kësaj qendre, Francis Levy, thotë se gjithë fondi i tyre është zhdukur.

"Kam filluar të kem ndjesi të tilla si ndoshta nuk është e vërtetë apo ai është një sociopat i painteresuar për fatet njerëzore", thotë Levy.

Derisa investitorët llogarisin humbjet, një pyetje mbetet pa përgjigje: Si ka mundur të ndodhë e gjithë kjo?

Si ka mundësi që strukturat rregullatore të mos e zbulonin një skemë të tillë? Pyetjet bëhen më të nxehta kur dihet se ka pasur gjithmonë ankesa në Komisionin e Sigurisë rreth operacioneve të Madoff-it.

Të tjerë pohojnë se mësimi i vërtetë nuk është rreth funksionimit të rregullatorëve, por për mungesën e vigjilencës; gjithkush duhet të jetë i kujdesshëm se ku i vë paratë.

Por, John Coffee, profesor i së drejtës në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se strukturat mbikëqyrëse duhet të japin llogari.

"Në botën e sotme me një mori rregullatorësh është e pamundur të shkelësh ligjet. Ajo çfarë ka ndodhur, është e pakuptueshme për publikun. Gjithmonë ka shkelje, por është e pamundur që këto shkelje kanë kaluar pa u vënë re për një kohë të konsiderueshme", përfundon John Coffee.
XS
SM
MD
LG