Ndërlidhjet

Autoritet kosovare konsiderojnë se liria e lëvizjes në Kosovë është e garantuar për të gjithë qytetarët, duke përfshirë këtu edhe komunitetin serb, pasi që janë krijuar kushte të mjaftueshme të sigurisë. Me gjithë sfidat në këtë drejtim, edhe disa nga qytetarët serbë thonë se ndihen më të sigurt për të lëvizur.


Edhe përkundër shumë sfidave në kuadër të lirisë së lëvizjes në Kosovë, autoritetet thonë se liria e lëvizjes është e garantuar për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike.

Të dhënat zyrtare të policisë tregojnë se incidentet me motive etnike kanë rënë dukshëm dhe kjo ka ndikuar në krijimin e kushteve më të përshtatshme për qarkullim të lirë.

Disa nga banorët serbë të fshatit Uglarë në Fushë Kosovë, i banuar me shumicë serbe, e konfirmojnë këtë gjë. Zoran Petkoviq thotë se gjendja e sigurisë në fshatin ku ai jeton, është e qetë dhe stabile. Ai thotë se ndihet i sigurt.

"Sa i përket fshatit ku ne jetojmë, nuk kemi probleme. Fshati është i qetë, shqiptarët kalojnë këndej pa problem, nuk ka pasur ndonjë rast të ndonjë konflikti ndëretnik", thotë Petkoviq.

Edhe Dragan Bojkoviq, gjithashtu nga ky fshat, thotë se udhëton lirshëm pa ndonjë problem në gjithë territorin e Kosovës.

"Liria e lëvizjes tek unë është e pavarur; askush nuk më ndalon dha askush nuk më kërcënohet. Unë shkoj kudo që dua; pa problem shkoj në Prishtinë, Hajvali e gjetkë. Unë kam shoqëri me shqiptarët dhe shkoj me ta nëpër kafiteri të ndryshme, kudo", shpjegon Bojkoviq.

Të dhënat zyrtare të policisë kosovare tregojnë se mbi 94 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, udhëtojnë lirshëm jashtë vendeve ku jetojnë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrije Kamberi, rikujton të dhënat e fundit të policisë mbi incidentet me motive ndëretnike.

"Nuk ka pasur ndonjë rast kur pjesëtarët e komunitet serb gjatë lëvizjes së tyre janë sulmuar nga komuniteti shqiptar apo janë kërcënuar. Nuk kemi pasur raste të tilla në polici”, tha ajo.

Megjithatë, me vështirësi në qarkullim përballen shqiptarët në Mitrovicë, të cilët duan të kalojnë në veri të qytetit. Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Ismet Hashani, shpjegon:

"Në Kosovë, askush nuk mund të ankohet se nuk ka liri të lëvizjes sa i përket procesit të kthimit. Çështja mund të jetë më e ndërlikur në veri të Mitrovicës", thotë Hashani.

Sipas zotit Hashani, në raport me komunitetin serb, sfidë më vete tani mbetet çështja e kthimit të të zhvendosurve. Ai thotë se kushtet e sigurisë për një kthim të këtillë, ekzistojnë, por janë çështje të tjera që mund ta pengojnë këtë proces.

Hulumtimet e fundit tregojnë se kushtet ekonomike janë ato që mund të kenë ndikim në kthimin e të zhvendosurve.

“Me zbatimin e Kushtetutës, me nxjerrjen e ligjeve që mbrojnë pakicat dhe të drejtat e tyre, besoj që do të kemi një ngritje të kthimit”, theksoi ai.

Zoti Hashani thotë se Ministria për Komunitete dhe Kthim po bën përpjekje të vazhdueshme për kthimin e të gjithë serbëve të zhvendosur nga Kosova. Sipas tij, deri më tash, autoritetet kanë arritur të kthejnë rreth 18 mijë pjesëtarë të komunitetit serb.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG