Ndërlidhjet

EULEX-i premton rezultate


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Pas dislokimit të stafit në gjithë territorin e Kosovës, EULEX-i është i gatshëm të fillojë misionin në fushën e sundimit të ligjit, tha shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, pas takimit të Bordit Koordinues për Sundimin e Ligjit.


EULEX-i është i gatshëm që të fillojë punën në fushat e përgjegjësive që kanë të bëjnë me sundimin ligjit, ka thënë shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon.

Ai tha se shtrirja e misionit në gjithë Kosovën e ka ndihmuar shumë misionin që ai drejton për të besuar në suksesin e tij. Këto komente, Kermabon i bëri pas takimit të Bordit Koordinues për Sundimin e Ligjit, ku bëjnë pjesë edhe autoritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kermabon tha se misioni i tij do t’i japë rezultatet e para qysh në fillim dhe kjo, sipas tij, do të dëshmohet ditëve në vijim.

“Tani jemi në pozitë që të fillojmë të punojnë në fushën e sundimit të ligjit së bashku me Qeverinë e Kosovës, duke besuar në arritjen e shpejtë të rezultateve pozitive”, tha Kermabon.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili kryeson këtë Grup Koordinues, tha se vendosja e EULEX-it ishte një mesazh dhe shpresë e mirë për të gjithë ata që duan ta respektojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe një lajm i keq për ata që e kundërshtojnë ligjin.

“Vendosja e EULEX-it në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në veçanti në pjesën veriore, ku për nëntë vjet nuk ka sunduar rendi dhe ligji, ku për nëntë vjet në atë pjesë nuk ka pasur as perceptim të mirë për rendin dhe ligjin, tani është një perceptim i mirë, një lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë qytetarët dhe është mundësi për vendosjen e rendit dhe ligjit”, tha Kuçi.

Bordi Koordinues për Sundimin e Ligjit i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe reformat në sistemin e drejtësisë, që po përgatiten nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë.

Yves de Kermabon premtoi se EULEX-i do t’i ndihmojë institucionet vendore në zhvillimin e këtyre reformave që mendohet të startojnë qysh vitin tjetër.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me ndërhyrjen e Serbisë në sistemin hekurudhor të Kosovës, në pjesën veriore, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria e Kosovës nuk është kundër qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, por është kundër tendencave që përmes veprimeve të tilla, të shkelet në sovranitetin e Kosovës.

“Mendoj se çështja e qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit për Kosovën, nuk do të jetë ndonjë problem. Çështja kryesore është se ato duhet t’i respektojnë rregullat që i ka Kosova dhe unë jam i bindur se ditën e parë që do ta bëjnë kërkesën në Ministrinë e Transportit, do ta marrin lejen”.

“Ne nuk jemi kundër qarkullimit, por jemi kundër asaj që të bëhet me qëllim të mosrespektimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe kompetencave që i kemi ne. Jam i bindur se në Kosovë gjërat po ecin mirë dhe çështja e trenit do të legalizohet dhe qarkullimi i lirë i individëve do të jetë jo vetëm legjitim, por edhe legal”, deklaroi Kuçi.

Udhëheqësit e Bordit për Sundimin e Ligjit thanë se nuk do të merren shumë me çështjet se në çfarë gjendjeje e ka lënë UNMIK-u Kosovën pas administrimit nëntëvjeçar. Por, sipas tyre, misioni i UNMIK-ut tashmë i ka dorëzuar kompetencat te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës dhe nuk do të ketë më kthim prapa.

Misioni i BE-së ka dislokuar në Kosovë mbi 1 mijë e 400 veta, ndërkohë që planifikon që deri në pranverë, stafi i këtij misioni të jetë rreth 3 mijë veta.
XS
SM
MD
LG