Ndërlidhjet

logo-print

“NATO në pritje të komandantit të FSK-së”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Pas shumë dilemave, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka emëruar Sadri Feratin në postin e sekretarit tekniko-administrativ të kësaj partie. Në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, të mërkurën në Prishtinë, është marrë vendim që posti i shefit ekzekutiv të partisë të modifikohet në atë të sekretarit tekniko-administrativ. Ky vendim është arsyetuar me faktin se kishte pasur keqkuptime dhe keqinterpretime të ndryshme në kohën kur Blerim Kuçi u emërua si shef ekzekutiv i partisë. Andaj, sipas zyrtarëve të lartë të kësaj partie, është vendosur që tash e tutje, Sadri Ferati, i cili pason Blerim Kuçin, të quhet sekretar tekniko-administrativ i partisë. Mirëpo, ndërkohë që nënkryetarët e LDK-së flisnin me entuziazëm për zgjedhjen e sekretarit teknik të partisë, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Ali Lajçi, pas përfundimit të mbledhjes u shpreh i pakënaqur me vendimin e marrë nga Kryesia. “Ky vendim i Kryesisë është absurd, nuk pajtohem me të”, deklaroi ai para medieve...

KOSOVA SOT
Është java e dytë e shtrirjes së EULEX-it në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe, përveç pikave doganore 1 dhe 31, Beogradi ka filluar të sfdiojë institucionet vendore me lëshimin në qarkullim të trenit në relacionin Beograd-Zveçan pa lejen e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkohë, autoritetet ndërkombëtare nuk kanë ndërmarrë asgjë, por vetëm kanë shprehur keqardhje përmes zëdhënësit të UNMIK_ut, Alexander Ivanko. “Për këtë çështje Beogradi nuk ka diskutuar me UNMIK-un dhe neve na vjen keq për këtë. Ne nuk kemi qenë të informuar që ky tren do të vinte në Kosovë”, ka deklaruar Ivanko. Lidhur me qarkullimin e trenave nga Serbia në relacionin Beograd-Zveçan, ministri i Transportit dhe i Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, tha se për këtë shkelje nga autoritetet serbe, institucionet u kanë dërguar institucioneve që janë përgjegjëse për shtrirjen e ligjit në tërë territorin e Kosovës, Ministrisë së Rendit dhe EULEX-it. Sipas tij, këto janë adresat që kanë për obligim mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës...

KOHA DITORE
Autoriteti më i lartë ushtarak e NATO-s, shefi i Komitetit Ushtarak, admirali Gaimpaolo di Paola, i ka thënë “Kohës Ditore” se nga NATO-ja përgatitjet për formimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës janë duke shkuar mirë, por ka thënë se në proves ka vonesa, për shkak se pala kosovare nuk e ka kryer ende pjesën e saj të punës. Duke folur në një takim me një grup të vogël gazetarësh të akredituar në NATO, admirali Di Paola tha se krijimi i Forcave të Sigurisë në Kosovë është një detuyrë shtesë e operacionit të NATO-s dhe shtetet anëtare janë duke dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim. Ai përmendi se dy shtete anëtare kanë ofruar tashmë një ndihmë të madhe në mjete dhe teknikë dhe se procesi pritet të shkojë sipas planit sa i përket NATO-s, por edhe pala kosovare duhet ta kryejë pjesën e saj të punës. Institucionet e Kosovës nuk e kanë emëruar ende as komandantin e FSK-së...

EXPRESS
Blerim Kuçi është thellësisht i bindur se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës bëri një hap të gabuar, kur të mërkurën zhvlerësoi postin e kryeshefit ekzekutiv dhe e shndërroi atë në sekretar teknik. Sipas tij, kjo nuk ishte rruga që duhej ta ndiqte ky subjekt politik. “LDK-ja ka nevojë që të ketë një bartës të reformave, e nuk i dihet një sekretar teknik”, ka deklaruar ai për Express të mërkurën. Blerim Kuçi, të cilit dy muaj më parë presidenti Fatmir Sejdiu i kërkoi dorëheqjen nga posti i kryeshefit ekzekutiv, thotë se është dashur që pasuesi i tij të kishte të njëjtat kompetenca që kishte pasur ai. Sipas tij, reforma nuk mund të bëhet nga pesë nënkryetarët, por kjo përgjegjësi duhet t’i delegohet një njeriu. “Kjo nuk është rruga e duhur. Reforma e drejtuar nga pesë nënkryetarët nuk do të japë rezultate pozitive. LDK duhet të caktojë zotin e shtëpisë”, mendon Kuçi...

LAJM
Janë bërë gjashtë vjet që amerikani Robert Dean ka ardhur në Kosovë si prokuror i UNMIK-ut, së pari si prokuror në Pejë, në rajoni atëbotë me shkallën më të rëndë të vrasjeve të rënda. Disa nga dosjet e vrasjeve më të mëdha në Dukagjin, ku ai ka punuar, akoma janë të hapura. Më pas ai erdhi në krye të Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, duke trashëguar postin e një amerikani tjetër në këtë detyrë, Albert Moschovic. Por, ky nuk është fundi i misionit të tij në Kosovë. Edhe pak ditë, derisa do të bëhen disa “bartje teknike” të lëndëve tek komponenta e drejtësisë në misionin e BE-së në Kosovë, dhe ai prej fundit të janarit do të jetë prokuror në një dikaster të rëndësishëm të EUELX-it, atë për krime të luftës. Duke pranuar atë që sistemi i drejtësisë së UNMIK-ut kishte pak rezultate, Dean gjend disa fajtorë... “EUELX duhet të mësojë nga gabimet tona. Besoj që brenda komponentës së EULEX-it do të ketë përgjegjësi të ndara. Kuptohet, ky është mision ekskluzivisht për sundimin e ligjit, kurse UNMIK-u ka qenë diçka tjetër”, thotë Dean në një intervistë për “Lajm”...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës thonë se do t’ua thyejnë “dhëmbët” strukturave paralele serbe në vitin 2009. por, deri atëherë mendohet se “dhëmbët” e atyre strukturave paralele do të jenë edhe më të fortë. Të paktën kështu beson opozita... Adem Salihaj, nga LDD-ja, thotë se në gjithë Kosovën ku ka minoritarë serbë, po mbizotëron situatë e funksionimit të dy pushteteve paralele – është pushteti i Republikës së Kosovës që funksionon afërsisht në 70 për qind të territorit të Kosovës, dhe kemi pushtetin e Serbisë, që është i instaluar drejtpërdrejt nga institucionet e shtetit serb, përmes zgjedhjeve të 11 majit që i ka mbajtur në Kosovë... “Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se durimi i tij dhe i qeverisë që ai drejton, do të jetë i pakufishëm për integrimin e serbëve, e që kur zbërthehet më mirë, do të dalë se deklarata e kësaj qeverie do të jetë e pakufishme për pushtetin paralel serb që funksionon në Kosovë, pra për pushtetin ilegal”, thotë Salihaj...

ZËRI
Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Serbisë që të bëjë kërkesë për të riaktivizuar linjën hekurudhore Beograd-Zveçan, duke i premtuar se kërkesa eventuale do të aprovohet menjëherë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se kompania publike hekurudhore në Serbi do të mund të mbajë linjën e vet për në Zveçan, por vetëm pasi ta ketë marrë lejen nga autoritetet në Prishtinë. “Unë jam i bindur që ditën e parë që do ta bëjnë kërkesën në Ministri të Transportit, do ta marrin lejen. Ne nuk jemi kundër qarkullimit, por jemi kundër asaj që kjo të bëhet me qëllim të mosrespektimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe kompetencave që i kemi ne”, ka thënë dje zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi...

EPOKA E RE
Nën kryesimin e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, të mërkurën është mbledhur Bordi Koordinues për Sundimin e Ligjit në Kosovë. De Kermabon ka thënë se pas shtrirjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, ky mision është i gatshëm ta fillojë punën me përkushtim bashkë me Qeverinë e Kosovës, për ta vendosur rendin dhe ligjin në gjithë vendin. Po ashtu, ai ka thënë se shtrija e EULEX-it është një hap i rëndësishëm dhe i mirë, jo vetëm për EULEX-in, por edhe për Kosovën. “Pas pritjes së gjatë, tash kemi shfrytëzuar këtë rast të vëmë themele shumë të mira dhe sot kemi një koordinim dhe bashkërendim shumë të mirë, edhe pse nganjëherë na duhet të debatojmë çështje të vështira, por është një sinjal i mirë dhe e falënderoj Qeverinë e Kosovës për bashkëpunim dhe mbështetjen që e kemi nga ajo për punën e EULEX-it”, ka deklaruar Kermabon...
XS
SM
MD
LG