Ndërlidhjet

Almhofer: Rezoluta 1244 mbetet bazë e OSBE-së


Werner Almhofer
Werner Almhofer

"Disa institucione akoma mbështeten në Rezolutën 1244. Të tjerat veprojnë nën kornizën e pavarësisë së shpallur pas procesit të Ahtisaarit", thotë në një intervistë për radion Evropa e Lirë, shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, ka pasur shumë ndryshime politike në Kosovë prejse ajo shpalli pavarësinë. Cilat çështje mendoni se mbesin sfidë për institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare në Kosovë?

WERNER ALMHOFER

Ka institucione të ndryshme në Kosovë që punojnë me institucionet dhe njerëzit e Kosovës - disa prej të cilave, që nga viti 1999, akoma mbështeten në Rezolutën 1244 - institucione që i përkasin së ashtuquajturës "familje të UNMIK-ut", që tani po ndryshon me ardhjen e EULEX-it nën ombrellën e UNMIK-ut. Të tjerat veprojnë nën kornizën e pavarësisë së shpallur pas procesit të Ahtisaarit.

Misioni ynë akoma bazohet në Rezolutën 1244. Sa i përket sfidave, mendoj se disa sfida mbesin të njëjta, së paku nga këndvështrimi i OSBE-së, e cila si mision merret me ndërtimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e institucioneve dhe të kapaciteteve demokratike, jetën partiake, të mediave e kështu me radhë.

Në radhën e këtyre institucioneve është edhe ai i Ombudspersonit, për të cilin mendojmë se është në një rrezik politik dhe do të donim të shihnim më shumë mbështetje për të.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti i fundit i OSBE-së ka qenë mjaft kritik sa i përket sistemit gjyqësor në Kosovë. EULEX-i filloi punën e vet javën e kaluar dhe do të angazhohet edhe në këtë fushë. A prisni të ketë progres nga puna e EULEX-it?

WERNER ALMHOFER
Raporti ynë, sikurse dhe shumë raporte të tjera treguan se ka një zvarritje të lëndëve. Ka ndoshta shumë arsye për këtë; njëra nga këto mund të jetë veriu i vendit, ku për disa muaj nuk ka pasur aktivitete në gjykata, të cilat janë rihapur nga UNMIK-u. Natyrisht se shpresojmë që misioni EULEX mund të bëjë punën e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë përgjegjësi e EULEX-it apo e autoriteteve kosovare të merren me këto probleme?

WERNER ALMHOFER
Në fund të fundit, njerëzit duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, por misionet ndërkombëtare janë këtu për t'ju mbështetur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka akoma një paqartësi në Kosovë sa i përket prezencës së misioneve të ndryshme ndërkombëtare. A mendoni se këto paqartësi mund të thellojnë ndarjet etnike?

WERNER ALMHOFER
Nuk e besoj këtë. Kam punuar në Bosnjë e Hercegovinë ku kanë vepruar një mori institucionesh ndërkombëtare. Shpresoj se nuk do të kemi ndarje të brendshme në baza etnike. Këtu ka misione që veprojnë me mandatet e tyre të vjetra dhe misione me mandate të reja, por qëllim i përbashkët i tyre është t’i ndihmojnë njerëzit e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një sfidë tjetër në Kosovë janë edhe strukturat paralele serbe, të cilat i keni përmendur në raportin tuaj të fundit. Çka duhet të bëhet në zgjidhjen e këtij problemi?

WERNER ALMHOFER
Gjithkush duhet të bisedojë me gjithkënd, por pyetja është se a pranohet fakti i ekzistimit të strukturave të tilla në mënyrë legale. Këtë nuk do të mbështeste askush, duke përfshirë dhe UNMIK-un.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa problematike është mbështetja e këtyre strukturave nga Beogradi?

WERNER ALMHOFER

Kjo është një çështje, e cila duhet të zgjidhet me Beogradin. Beogradi sheh një qëllim politik dhe këmbëngul në mbështetjen e atyre që kanë fituar në zgjedhjet që UNMIK-u nuk i ka mbështetur.

RADIO EVROPA E LIRË

A duhet të zgjidhet kjo çështje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit apo ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit?

WERNER ALMHOFER

Më parë do të thosha ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë mandati i OSBE-së pas rikonfigurimit të UNMIK-ut?

WERNER ALMHOFER

OSBE-ja nuk është e përfshirë në mënyrë direkte në rikonfigurimin e UNMIK-ut. Ne kurrë nuk kemi pasur rol ekzekutiv dhe do të vazhdojmë të punojmë në fusha, në të cilat kemi qenë të angazhuar që nga viti 1999, që janë pra forcimi i demokracisë, i të drejtave individuale dhe të drejtave të komuniteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë shfaqur shpresën për një rol më të rëndësishëm politik të OSBE-së. A mund të ketë OSBE-ja një rol të tillë?

WERNER ALMHOFER
Një pjesë e raportit të Sekretarit Gjeneral të OKB-së trajton këtë çështje, por kjo pjesë më tepër i referohet angazhimeve të OSBE-së në terren. Kjo është njëra ndër çështjet ku ne jemi mjaft të fuqishëm; kemi pesë zyra rajonale me qindra njerëz që punojnë në këto zyra. Në një farë mënyre, këto zyra janë sytë dhe veshët për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG