Ndërlidhjet

Ferati: Serbët të bashkëpunojnë nëse duan decentralizim


Sadri Ferati
Sadri Ferati

Decentralizimi dhe formimi i komunave të reja me popullatë serbe nuk mund të zbatohen pa bashkëpunimin e përfaqësuesve serbë, ka thënë ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.





Zbatimi dhe dinamika e procesit të decentralizimit nëpër vendbanimet e banuara me popullatë serbe do të varet nga bashkëpunimi i këtij komuniteti, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Këto komente, Ferati i bëri gjatë një konference të përbashkët, të mbajtur në Çagllavicë, me kryetaren e Këshillit Nacional Serb për Graçanicën, Rada Trajkoviq, dhe deputetin Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale.

Ministri Ferati i ftoi serbët dhe përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti që të bashkëpunojnë në procesin e decentralizimit, në mënyrë që bartja e përgjegjësive tek autoritetet lokale dhe krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, të mund të realizohen para zgjedhjeve të ardhshme lokale, që parashihen të mbahen në vjeshtën e vitit 2009.

“Nëse akoma mungon një bashkëpunim i fuqishëm në ato lokalitete, është krejt normale dhe pa dëshirën tonë që procesi do të ngadalësohet. Ne flasim se duhet të implementohen komunat e reja. Kemi edhe pesë plus një komuna të reja. Por, shtrohet pyetja se a do t’i bëjmë dhjetë Mitrovica apo do ta eliminojmë sindromën e Mitrovicës. Me pakon e Ahtisaarit është realizuar një pjesë dhe nuk ka mundësi për implementim të pjesshëm të pakos së Ahtisaarit”, tha Ferati.

Sllobodan Petroviq
Ndërkohë, Sllododan Petroviq tha se procesi i decentralizimit po zvarritet dhe nëse vazhdon me një dinamikë të tillë, ai do ta humbë efektin që duhet ta ketë.

“Decentralizimi dhe formimi i gjashtë komunave në të cilat aktualisht shumicën do ta përbënin serbët, nëse vonohet, pasqyra e popullatës do të ndryshonte dhe nuk do të kishte më efektet që i ka sot”,
tha Petroviq.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, ndonëse e cilësoi decentralizimin si një proces fundamental për ekzistencën e serbëve në Kosovë, e ftoi ministrin Sadri Ferati që për problemet e serbëve dhe çështjen e pushtetit lokal, të bisedojë edhe me Beogradin dhe ministrinë përkatëse në Serbi.

Rada Trajkoviq
“Ministri i Pushtetit Lokal në Prishtinë, në një kontekst edhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, të bisedojë edhe me ministrin e Pushtetit Lokal në Beograd, pavarësisht se kanë qëndrime krejt të kundërta. Kjo do të bëhej për të mirën e popujve që përfaqësojnë dhe qytetarëve për të cilët decentralizimi do të destinohej”,
tha Trajkoviq.

Ministri Ferati i është përgjigjur pozitivisht Rada Trajkoviqit me gatishmërinë e tij që të bisedojë edhe me Beogradin. Shpallja e Kosovës së pavarur, tha Ferati, i mundëson Qeverisë së Kosovës që në çdo dialog të prezantohet si palë e barabartë me shtetet tjera, andaj ai tha se nuk ngurron që në pozicionin e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të bisedojë me ministrin serb të Pushtetit Lokal, nëse kjo shihet nga serbët në dobi të tyre.

“Unë si ministër i Kosovës jam i gatshëm dhe thërras të gjithë ata që janë të interesuar për jetën e qytetarëve në Kosovë, qoftë ai edhe ministër i Serbisë, apo ministër i Malit të Zi apo Shqipërisë, ta kemi një takim të përbashkët. Kosova, me deklarimin e pavarësisë, ka siguruar dy pozicione, që Kosovën do ta qeverisin kosovarët dhe që Kosova do të jetë shtet i barabartë, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi Ferati.

Ndryshe, e tërë konferenca është përshkuar me replika të shumta ndërmjet Rada Trajkoviqit, si bojkotuese e institucioneve të Kosovës, dhe Sllobodan Petroviqit, që merr pjesë në institucione, lidhur me atë se kush sa i mbron më mirë interesat e serbëve.

Sidoqoftë, të dy janë pajtuar se decentralizimi është një prej proceseve të menduara që të jetë në rend të parë në interesin e komunitetit serb në Kosovë.
XS
SM
MD
LG