Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare duhet hapur negociata me NATO-n, organizata ndërkombëtare të aviacionit civil, si dhe me akterë të tjerë ndërkombëtarë për të filluar procesin e hapjes ajrore të Kosovës me fluturime - thonë përfaqësues të institucioneve kosovare.

Këto komente u bënë me rastin e publikimit të raportit "Hapësira ajorore e Kosovës-ndalohet hyrja" të Institutit për Studime të Avancuara (GAP).


Aktualisht në Kosovë, NATO-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore mbi dhe ndër 3.000 metra, përderisa autoritetet kosovare e kanë përsipër menaxhimin e aterimeve dhe ngritjeve drejt dhe nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës.

Përfaqësues të NATO-s janë të interesuar që t'i përcjellin përgjegjësitë tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare të aviacionit, mirëpo kjo do të ndodhë vetëm pasi që NATO-ja të jetë e bindur se hapësira ajrore mund të menaxhohet në mënyrë të sigurt dhe profesionale nga autoritetet vendore.

Lejtnant Brajan Huntsman, nga KFOR-i, sugjeron institucionet vendase që përderisa Kosova nuk është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit, të nënshkruajë marrëveshje me ndonjërin prej fqinjëve që është pjesë e këtij institucioni.

"Një zgjidhje teknike mund të ishte në të ardhmen e Kosovës, derisa të bëhet anëtare e OKB-së, të jetë partnere me një vend fqinj, që është partner i OKB-së dhe me këtë ombrellë gjendja ligjore mund të trajtohet në këtë mënyrë”,
shprehet ai.

Sipas tij, Kosova akoma nuk mund të jetë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, për shkak se akoma nuk është anëtare e OKB-së, organ i së cilës është kjo organizatë që merret me rregullimin e shfrytëzimit të hapësirave ajrore.

"Selia e NATO-s është duke planifikuar të rifillojë takimet për normalizimin e hapësirës ajrore ballkanike dhe në një të ardhme të afërt do të jenë të ftuara të gjitha palët e interesuara që të diskutojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje", thotë Huntsman.

Përfaqësuesi i Aviacionit Civil të Kosovës, Arianit Islami, konfirmoi se më 1 janar të vitit 2009, autoriteti i aviacionit civil i Republikës së Kosovës do t'i ushtrojë të gjitha detyrat sipas Ligjit të aviacionit.

"Në mbledhjen e fundit të Komitetit të përbashkët të ESA, Komisioni Evropian rikonfirmoi të arriturat e Kosovës dhe konfirmon të drejtën e Kosovës për të kaluar në fazën e dytë të implementimit të ESA-marrëveshjes. Kosova do të jetë shteti i parë në rajon që do të kalojë në fazën e dytë", thotë ai.

Sipas hulumtimit të Institutit për Studime të Avancuara, ndryshimi i gjendjes momentale sa i përket hapësirës ajrore të Kosovës, do të sillte përfitime domethënëse ekonomike për Kosovën.

Ndër të tjera, në këtë hulumtim thuhet se korridoret e tanishme hyrje-dalje përmes Maqedonisë, shtojnë përafërsisht 200 milje detare dhe 30 minuta në shumicën e fluturimeve nga Evropa qendrore dhe veriore që aterojnë në Prishtinë.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Bordit të Avio-kompanive në Kosovë, Albion Idrizi, thotë se shkurtimi i kohëzgjatjes së fluturimit, reduktimi i kerozinit dhe dioksidit të karbonit do të kontribuonin pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës ajrore në Kosovë.

"Pikërisht sot, nën hijen e situatës globale ekonomike dhe ekologjike, ne duhet të bëjmë çmos për të reduktuar dioksidin e karbonit dhe për të ulur koston. Sot, në Kosovë, mijëra tonë kerozin digjen pa nevojë, për shkak të hapësirës së kufizuar", thotë ai.

Kosova aktualisht përdor dy korridore në kufi me Maqedoninë, njëra është linja dalëse e ashtuquajtur SARAX dhe tjetra linja hyrëse XAXAN. Këto korridore përdoren për fluturimet që hyjnë e dalin nga Prishtina. Gjithashtu janë edhe dy korridore më të mëdha që kalojnë nëpër Kosovë, të cilat aktualisht janë të suspenduara.

Që nga viti 1999, hapësira ajrore e Kosovës ka qenë e mbyllur dhe si rrjedhojë, njëri prej korridoreve ndërkombëtare, i cili lidh Evropën perëndimore me atë juglindore, edhe më tutje është i pezulluar, duke shkaktuar fluturime më të gjata dhe më të shtrenjta.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG