Ndërlidhjet

logo-print

(S’) ka bashkëpunim me Ombudspersonin


Prishtinë

Prishtinë

Ombudspersoni i Kosovës akuzon gjykatat, prokuroritë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës se nuk po lejojnë bashkëpunimin me zyrtarë të këtij institucioni, për të dëgjuar ankesat e mundshme të qytetarëve.

Ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit, Hilmi Jashari, thotë se edhe pse bëhen shumë kërkesa për të pasur qasje në dokumente dhe kontakte me të burgosurit, ato nuk janë duke u marrë parasysh.

“Në njëfarë mënyre është refuzuar bashkëpunimi dhe dhënia e dokumentacionit që shpeshherë është kërkuar prej anës sonë. Disa raste kemi pasur kryesisht me gjykata dhe prokurori në një pjesë, mirëpo, në anën tjetër, ka pasur gjykata që kanë bashkëpunuar mirë me ne. Në situatat e fundit që i kemi pasur, janë paraqitur probleme gjithashtu edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës”, thotë Jashari.

Por, këto deklarata i hedhin poshtë zyrtarë të Prokurorisë Publike dhe ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Resmi Hoxha, komisar i Shërbimit Korrektues të Kosovës, pohon të kundërtën nga ajo që thotë Jashari.

“Jo që ka pasur (qasje) Ombudspersoni, por ka pasur dhe ka 24 orë dhe atë çdo ditë pune, pa marrë parasysh se në çfarë kohe. Jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha regjionet ku i kanë përfaqësuesit e vet. Pos kësaj që kanë qasje 24 orë, ata kanë edhe kutitë e veta postale, ku të burgosurit qesin ankesat dhe kërkesat dhe çelësin e atyre kutive për marrjen e ankesave, e kanë vetë përfaqësuesit e Ombudspersonit", tha Hoxha.

Edhe zëvendëskryeprokurori i Kosovës, Osman Mehmeti, thotë se të gjitha kërkesat që janë bërë nga Ombudspersoni, gjithmonë janë marrë parasysh dhe, sipas tij, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet, të cilat janë të interesuara për mbarëvajtjen e procedimit të lëndëve.

"Nëse vjen një përfaqësues i Ombudspersonit, atëherë duhet të paraqitet te prokurori i çështjes së lëndës, që me siguri do të ketë qasje në dokumentacionin; ata shpeshherë kërkojnë të dinë se në çfarë faze të procedurës është lënda. Unë po them se kam pasur dy–tri raste dhe gjithmonë i kam njoftuar për çka kanë kërkuar", tha Mehmeti.

Ndërkaq, zoti Jashari ka bërë të ditur se për problemet e mosbashkëpunimit dhe të kontakteve të tilla, çështja ka shkuar deri në instancat më të larta të vendit për t'u shqyrtuar.

"Bashkëpunim adekuat nuk kemi me disa prej gjykatave, jo të gjitha kuptohet, por me disa, ta zëmë me këto të Prishtinës, edhe me disa prej prokurorive. Ndërsa, prej disa strukturave të tjera të ekzekutivit, siç thashë edhe më herët, me Shërbimin Korrektues të Kosovës janë paraqitur disa probleme, kohëve të fundit, sa i përket qasjes në dokumentacione zyrtare. Na është refuzuar në forma të ndryshme bashkëpunimi për t’i marrë këto kopje dhe shkresa të lëndëve të caktuara", theksoi Jashari.

Një metodë tjetër e injorimit të Ombudspersonit, sipas Jasharit, është heshtja ndaj kërkesave të këtij institucioni.

"Mënyra më e rëndomtë e mosbashkëpunimit është nëpërmes heshtjes që e aplikojnë ndaj shkresave tona. Edhe pse dërgojmë shkresa për të kërkuar informacione, nuk marrim për një kohë të gjatë përgjigje, edhe pas disa shkresave të tjera përcjellëse që zakonisht i bëjmë. Ndërsa, në anën tjetër, nuk ka ndonjë qëndrim absolut që nuk do të lejojnë të bashkëpunojnë me ne, mirëpo mënyra më e rëndomtë e refuzimit është heshtja",
tha Jashari.

Ndryshe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për punën e Ombudspersonit, të gjitha institucionet janë të obliguara të bashkëpunojnë me ketë institucion që mbron të drejtat dhe liritë e njeriut.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG