Ndërlidhjet

KE: S'ka keqpërdorim fondesh


Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë

Komisioni Evropian hedh poshtë pohimet e gazetës gjermane Die Welt se paratë e taksapaguesve evropianë janë keqpërdorur në Kosovë. Por, OLAF konfirmon se gjatë hetimeve, në Kosovë janë gjetur parregullsi e keqpërdorime të fondeve në ndërmarrjet publike. UNMIK-u, që ka kërkuar kryerjen e hetimeve nga zyrtarë të BE-së, OKB-së dhe policisë italiane, nuk komenton raportet në fjalë.


Komisioni Evropian thotë se nuk është në dijeni se paratë e taksapaguesve evropianë janë keqpërdorur në Kosovë. Këto komente vijnë pas artikullit të botuar në gazetën gjermane Die Welt, e cila duke cituar dy raporte të pavarura të BE-së dhe OKB-së, shkruan se një pjesë e fondeve evropiane kanë përfunduar kanaleve të errëta.

Gazeta vë në pah keqmenaxhimet në sektorin energjetik, në të cilin BE-ja që prej vitit 1999 ka investuar fonde në vlerë prej 400 milionë eurosh. Gjithashtu, gazeta shkruan edhe për manipulime fondesh në zgjerimin e Aeroportit të Prishtinës.

Fjolla Çeku, zyrtare për informim në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, thotë se Komisioni nuk është në dijeni për këto raporte apo për përmbajtjen e tyre.

"Grupi i hetimeve i përmendur në artikull i ka raportuar ekskluzivisht përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve. Komisioni Evropian i është drejtuar PSSP-së me kërkesë për informacione mbi aktivitetet e grupit hetues, në veçanti lidhur me hetimet mbi mashtrime dhe keqmenaxhime, të cilat i ka hetuar gjatë mandatit të tij (2003-2008)”.


“Shuma prej 400 milionë eurosh e përmendur në artikull është shuma totale e alokuar nga Bashkimi Evropian për sektorin energjetik në Kosovë për periudhën 1999-2006. Ky financim ka qenë subjekt i auditimeve të rregullta dhe të pavarura. Komisioni nuk është në dijeni të asnjë mashtrimi / keqmenaxhimi të këtij financimi. Ngjashëm, Komisioni nuk është në dijeni të asnjë keqmenaxhimi të fondeve të BE-së në Aeroportin e Prishtinës", thotë Fjolla Çeku.

Por, vetë Zyra Evropiane kundër Mashtrimeve, OLAF, konfirmon se janë gjetur parregullsi gjatë hetimeve të kryera në ndërmarrjet publike në Kosovë, por nuk jep detaje të këtyre keqpërdorimeve.

Një nga zyrtarët për informim në OLAF, Jorg Wojahn, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se edhe në sektorin energjetik, edhe në Aeroport, janë gjetur parregullsi.

"Nuk është fshehtësi se ka pasur raste dhe disa raste i janë dërguar drejtësisë për hetime të mëtejme. Kjo nuk është fshehtësi", thotë Wojahn, i cili megjithatë nuk saktëson nëse raporti të cilit i referohet Die Welt, është i vërtetë.

"Ju e dini se OLAF ka qenë pjesë e një task force hetuese ndërkombëtare, e cila qe krijuar në vitin 2003 në Kosovë, nga një vendim i PSSP-së. Kjo task forcë është përbërë nga të gjithë hetuesit - hetues nga Zyra për Mbikëqyrje të Brendshme dhe nga hetuesit e Guarda di Financias, ndërsa pjesëmarrja maksimale e OLAF-it ka qenë me 5 hetues”.

“Kjo task forcë ka punuar në shumë raste në Kosovë, kryesisht në ndërmarrjet publike. Gjetjet dhe raportet e supozuara nga Die Welt, nuk i komentojmë. Duhet ta pyesni PSSP-në Prishtinë, sepse është ai të cilit i raporton task forca. Ne nuk komentojmë për asnjërin rast", thotë Wojahn.

Por, zyrtarë të UNMIK-ut gjithashtu nuk i komentojnë këto raporte. Shuarja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, e cila ka pasur nën mbikëqyrje ndërmarrjet publike, bën që UNMIK-u të mos japë më përgjegjësi për keqpërdorimet eventuale që mund të kenë ndodhur më herët.

"Shtylla e Katërt e UNMIK-ut ka pushuar së ekzistuari më herët gjatë këtij viti dhe nuk është e përshtatshme të flas tani. Por, ajo që mund të them, është se llogaritë qoftë të BE-së ose të OKB-së i janë nënshtruar procedurave të duhura tenderuese. Pra, çdoherë i janë nënshtruar auditimit", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, i cili shton se nuk është në dijeni nëse shefi i UNMIK-ut ka marrë raportet, të cilat i citon gazeta gjermane.

Ndryshe, zyrtarë të Komisionit Evropian deklarojnë se nuk do të tolerojnë asnjë lloj mashtrimi. Sërish Fjolla Çeku:

“Komisioni Evropian zbaton politikë të zero-tolerancës ndaj mashtrimeve dhe i trajton me shumë seriozitet të gjitha pohimet për mashtrime. Menaxhimi i mirë i parave të taksapaguesve të BE-së ka qenë, vazhdon të jetë dhe do të jetë prioritet kryesor për Komisionin në të gjitha aktivitetet e veta”, tha Çeku.

Sidoqoftë, çështja e keqmenaxhimit të fondeve në misionet ndërkombëtare në Kosovë është ngritur edhe më herët, por raportet zakonisht nuk bëhen publike.

XS
SM
MD
LG