Ndërlidhjet

Numri i vetëvrasjeve – në rritje


Ekspertë të shëndetit mendor dhe të dhënat zyrtare të policisë së Kosovës tregojnë se faktor mjaft ndikues në rritjen e vetëvrasjeve, përveç gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, është edhe moskujdesi për identitetin dhe mirëqenien shpirtërore në këtë kohë krize sociale e ekonomike.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Kosovës, që nga viti 2000 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vetëvrasje kanë bërë 460 persona, ndërkaq tentim-vetëvrasje 746 persona. Ndërsa, mosha e personave që kanë bërë vetëvrasje kryesisht sillet prej 18 deri në 30 vjeç.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thekson se sipas të dhënave të policisë, numri i rasteve të tentim-vetëvrasjeve ka shënuar rritje, ndërkohë ndër arsyet kryesore për rritjen e numrit të vetëvrasjeve është gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë.

“Që nga paslufta e deri më tani kemi pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve të raportuara. Një gjë që vlen të theksohet është se numri i rasteve të tentim-vetëvrasjeve, është në rritje”, thotë Kamberi.

Kamberi thotë se është shumë e rëndësishme të merren parasysh shkaqet dhe arsyet pse ka ardhur deri te vetëvrasja, meqenëse mund të ndodhë që rasti të paraqitet si vetëvrasje, e në fakt ka qenë vrasje dhe anasjelltas.

Psikologu Dashamir Bërxulli thotë se në parandalimin e vetëvrasjeve duhet të jepet një kontribut i shtuar nga të gjitha segmentet e shoqërisë, në mënyrë që të ndikohet në parandalimin e këtij fenomeni.

“Strukturat e shëndetit mendor duhet të jenë më efektive në kuptimin e parandalimit të këtyre fenomeneve, duke organizuar jo vetëm fushata, por, në përgjithësi, duke organizuar më mirë vetveten”, tha Bërxulli.

Shkaqet kryesore të vetëvrasjeve, të cilat aktualisht në Kosovë po shënojnë trende, sipas Bërxullit, janë ndryshimi i strukturës familjare pas luftës, konfliktet e mëdha sociale dhe traumat e luftës.

Numrin në rritje dhe shqetësimin rreth dukurisë së vetëvrasjeve e pohon edhe neuropsikiatri Ferid Agani.

“Kjo dukuri e vetëvrasjeve në Kosovë dhe gjendja aktuale me tentim më të shtuar të vetëvrasjeve, reflekton një gjendje të rëndë psiko-sociale të pasluftës”, shpjegon Agani.

Duke e konsideruar rritjen e numrit të vetëvrasjeve si dukuri mjaft shqetësuese dhe brengosëse, Agani tha se për fat të keq nuk ka asnjë veprim institucional të mirëfilltë ndaj këtyre dukurive.

“Mendoj që institucionet e Kosovës duhet ta kuptojnë situatën aktuale si një indikator të rrjedhave jo të volitshme psiko-sociale në Kosovën e pasluftës. Në periudhën e pasluftës në veçanti është zhvilluar një politikë, e cila nuk e ka marrë parasysh realitetin psiko-social të Kosovës”, pohon Agani.

Agani thotë se brengat dhe nevojat individuale të qytetarëve kanë qenë të lëna anash nga institucionet e Kosovës dhe e gjithë kjo në llogari të përpjekjeve për realizimin e interesave madhore kombëtare dhe shtetërore.

Tradicionalisht, numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka qenë simbolik deri në përfundimin e luftës, më 1999, kur statistikat e vetëvrasjeve janë shtuar dukshëm. Ndërsa, rajonet më të prekura nga vetëvrasjet janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë.

XS
SM
MD
LG