Ndërlidhjet

Ivanoviq: 6-pikëshi është obligativ


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

"Mendoj se do të ketë detyrime ligjore, sepse EULEX-i do të gjendet në telashe nëse nuk respekton atë që ka sjellë UNMIK-u. Mes tjerash, UNMIK-u ka sjellë marrëveshjen mbi 6 pikat", thotë Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ivanoviq, si e vlerësoni zbarkimin e EULEX-it në veri? Cilat janë pritjet tuaja?

OLIVER IVANOVIQ
Siç edhe është pritur, ka arritur në veri, në të njëjtën kohë edhe në pjesë të tjera të Kosovës shkallë-shkallë - duke pasur parasysh se kanë vepruar në periudhën që për ne ka qenë në një masë i satanizuar.

E dyta, serbët tashmë tradicionalisht kanë mosbesim ndaj misioneve ndërkombëtare, sepse me misionin e UNMIK-ut nuk kemi pasur shumë fat, si dhe misionet tjera, të cilat kanë premtuar shumë, por kanë realizuar pak lidhur me atë që është domethënëse për serbët e Kosovës.

Nga kjo arsye, shtrirja e misionit të EULEX-it në veri është duke shkuar hap pas hapi dhe kjo po vazhdon mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ende paqartësi rreth kornizës ligjore të këtij misioni. Cili do të ishte reagimi juaj po të respektohej Kushtetuta e Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Në parim, EULEX-i nuk do të duhej të merrej me ato që janë çështje të larta politike. EULEX-i është këtu për të zbatuar ligjin.

Dhe, për këtë mban përgjegjësi Brukseli dhe Nju Jorku. Kjo nënkupton se për të gjitha çështjet problematike duhet t'i drejtohet për konsultime edhe Nju Jorkut, edhe Brukselit.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht, ka mjaft paqartësi edhe rreth 6-pikëshit, i cili është përkrahur nga Beogradi, por kundërshtuar nga Prishtina. Kjo e fundit thotë se ato nuk kanë detyrime ligjore për zbatim. Ju, çfarë mendoni?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se do të ketë detyrime ligjore, sepse EULEX-i do të gjendet në telashe nëse nuk respekton atë që ka sjellë UNMIK-u. Dhe, mes tjerash, UNMIK-u ka sjellë këtë marrëveshjen mbi 6 pikat.

EULEX-i është i obliguar që në veprimet e tij t'i respektojë të gjitha rezolutat ekzistuese të Këshillit të Sigurimit, sikurse edhe dokumentet e Këshillit të Sigurimit. Ai me vetë faktin se ka ardhur në Kosovë pas vendimit të KS-së, është i obliguar ndaj këtyre pikave.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku çojnë këto interpretime të ndryshme? Vendosja e EULEX-it shihet ndryshe nga Prishtina, e krejt ndryshe nga Beogradi...

OLIVER IVANOVIQ
Është me rëndësi që të gjithë të lexojnë me kujdes - EULEX-i u vendos vetëm pasi që Këshilli i Sigurimit njëzëshëm miratoi konkluzionet, mbi të cilat edhe është vendosur EULEX-i. Kjo është plotësisht e qartë.

Po të mos ishte e rëndësishme OKB-ja, EULEX-i do të shtrihej para asaj jave kur u mor vendimi i Këshillit të Sigurimit. Por, atëherë do të kishte shumë probleme për implementimin e mandatit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është ngritur çështja e linjës hekurudhore Beograd-Zveçan, gjë të cilën autoritetet në Kosovë e kanë vlerësuar si shkelje sovraniteti. Ju, si do ta cilësonit këtë hap?

OLIVER IVANOVIQ
Është shkelje e sovranitetit në atë masë sa është pavarësia e Kosovës shkelje e sovranitetit të Serbisë. Kjo është irelevante. Kështu që është e rëndësishme që kemi komunikacion të rregullt, kemi OKB-në, e cila ndoshta shërben si urë në të gjitha ato situata diskutabile. Duhet llogaritur efekti i tyre.

Është mirë që hekurudha ka rifilluar punën dhe më në fund Serbia ka lidhje direkte me hekurudhën në pjesën tjetër të Serbisë, gjë që është shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, strukturat paralele në veri të Kosovës veçanërisht po cilësohen si pengesë për integrimin e veriut. Mendoni se ky është roli i këtyre strukturave?

OLIVER IVANOVIQ
Ky është një nga paragjykimet që ekzistojnë në Prishtinë. Këto nuk janë struktura paralele; këto janë strukturat e vetme, të cilat Serbia i respekton dhe në të cilat ka besim. Kështu që duhet gjetur vendin dhe hapësirën për veprimin e tyre.

Është e sigurt se veprimi i këtyre strukturave duhet të jetë më transparent dhe ne do të përkujdesemi që të jetë e pranishme kjo transparencë. Për këtë arsye edhe ekziston Ministria për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
T'i kthehemi edhe një herë 6-pikëshit. Ka ekzistuar një shqetësim se këto pika çojnë në ndarjen funksionale të Kosovës. Sa është real ky rrezik dhe çfarë pasojash do të sillte ndarja?

OLIVER IVANOVIQ
Unë mendoj që jo. Nuk ekziston asnjë rrezik nga ai, sepse ato gjashtë pika nuk kanë lidhje vetëm me veriun, por me gjithë territorin e Kosovës, ku serbët janë shumicë. Gjë tjetër është se kjo gjithsesi çon deri te një rrezik tjetër i ndarjes.

Nuk çon, por dua të them se mua më shumë do të më brengoste një tjetër ndarje – e ajo është ndarja mes bashkësive etnike, të cilat mes vete nuk kanë më kontakte.

Pavarësia e Kosovës ka ndikuar pikërisht në atë që edhe ato pak kontakte që kanë ekzistuar mes serbëve dhe shqiptarëve, të ndërpriten.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të përmirësohen këto raporte ndëretnike?

OLIVER IVANOVIQ

Unë mendoj se në atë moment kur shqiptarët e Kosovës të kuptojnë që për serbët ajo është e papranueshme dhe të provojnë të gjejnë zgjidhje dhe fjalor, që për serbët do të ishte i pranueshëm – atëherë ndoshta do të mund të mendojmë për atë.
XS
SM
MD
LG