Ndërlidhjet

A ka filluar të zbatohet 6-pikëshi?


Hyrja e trenit serb në territorin e Kosovës pa lejen e autoriteteve përgjegjëse, vlerësohet në mënyra të ndryshme. Analistët thonë se ky është sinjal politik i Beogradit për implementimin e 6-pikëshit në Kosovë, gjë të cilën e hedh poshtë Qeveria.


Me gjithë kundërshtimin e Prishtinës zyrtare ndaj planit gjashtëpikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, zbatimi i këtij plani është paralajmëruar nga zyrtarë ndërkombëtarë të vihet sërish në tablon e opsioneve për zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë.

Plani, i cili kishte dalë nga konsensusi ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit zyrtar, krijon aranzhime të reja për policinë, drejtësinë, doganat, menaxhimin e vijave kufitare, trashëgiminë kulturore e fetare serbe, si dhe transportin.

Ditë më parë, një tren serb që vinte nga Beogradi, duke arritur në Zveçan, kishte shkelur territorin e Kosovës pa lejen e autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Analistët politikë në Prishtinë thonë se ky akt ishte një sinjal politik i Beogradit, përmes të cilit Qeveria serbe synon të bëjë presion për implementimin sa më parë të dokumentit gjashtëpikësh të OKB-së. Analisti Ilir Deda sqaron pikëpamjen e tij:

"Serbia me publikimin e informatës për funksionimin e linjës Beograd-Zveçan, ka filluar të bëjë një presion mbi EULEX-in që të ecet përpara me gjashtë pikat për një arsye. Kjo ka ndodhur sepse Serbia ka qenë jashtëzakonisht e befasuar me dislokimin e shpejtë të EULEX-it në veri dhe me transferimin e kompetencave nga UNMIK-u në EULEX në fushën e policisë dhe të doganave",
shprehet Deda.

Qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës nga të gjitha palët që veprojnë në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, thekson se në territorin e Kosovës do të zbatohen vetëm ligjet që dalin nga Kushtetuta e Republikës.

"Në Kosovë do të zbatohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe këtu nuk ka dilemë tjetër. Në Kosovë do të zbatohet ajo që ne japim si vullnet dhe si sovranitet",
thotë zëvendëskryeministri Kuçi.

Hyrja e trenit serb në territorin e Kosovës nuk ishte ndaluar as nga autoritetet kosovare dhe as nga ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

As Qeveria e Kosovës, as administrata e OKB-së në Kosovë dhe as misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, nuk kishin marrë mbi vete përgjegjësinë për hyrjen pa leje të një mjeti transportues serb në Kosovë.

Kjo, sipas numrit dy të ekzekutivit kosovar, Kuçi, ka mundur të rregullohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në cilësinë e dy shteteve sovrane.

"Ka qenë një veprim, i cili mund të kalohet shumë lehtë. Autoritetet e Serbisë duhet të vënë partneritet me Ministrinë e Transportit për të pasur qarkullim reciprok të mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit. Unë jam i bindur që Qeveria do t'i përgjigjet shumë shpejt një kërkese të tillë",
vlerëson Kuçi.

Mirëpo, analisti Deda konsideron se qëndrimi i UNMIK-ut dhe EULEX-it karshi trafikut hekurudhor të Serbisë në Kosovë, që, sipas tij, ka filluar qysh në muajin mars të këtij viti, dëshmon për një kaos brenda qarqeve vendimmarrëse ndërkombëtare sa i përket implementimit të planit gjashtëpikësh në Kosovë.

"Kemi një lojë fjalësh apo një heqje përgjegjësish nga UNMIK-u dhe EULEX-i, se kush do të jetë aktori kryesor, i cili do të zbatojë planin gjashtëpikësh. Asnjëri nga këto dy misione nuk dëshiron të merret me planin gjashtëpikësh, ndërsa në të njëjtën kohë vijnë sinjale nga Uashingtoni se plani gjashtëpikësh ka vdekur",
thotë Deda.

Nga 330 kilometra hekurudhë sa ka Kosova, 10 për qind e tyre aktualisht janë jashtë kontrollit të autoriteteve në Prishtinë. Kosova ka humbur kontrollin në shiritin hekurudhor prej 33 kilometrave në pjesën veriore të vendit më 3 mars të këtij viti, dy javë pas shpalljes së pavarësisë, në ditën kur punëtorët serbë të hekurudhave kanë uzurpuar stacionin në afërsi të Zveçanit, qytet në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG