Ndërlidhjet

Maqedoni: A është shteti juridik në krizë?


Bastisjet e kryera nga ana e policisë në mbi 20 familje shqiptare në Çair të Shkupit, në Haraçinë dhe në Opajë të Kumanovës, paraqesin shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Kështu komenton eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu, aksionin e Forcave speciale të policisë për kapjen e vrasësit të policit, Afrim Arifi, i cili ishte qëlluar për vdekje më 26 nëntor të këtij viti, në Shkup.

“Këto veprime që ndërmerren nga ana e policisë, si ndërhyrja nëpër banesa dhe familje, parqesin shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, pa marrë parasysh nëse kanë pasur ose jo urdhër nga eprorët komandues apo ndonjë vendim eventual nga gjykata, që unë dyshoj”.

“Në këto raste, duhet me shumë kujdes të veprohet, pasi sikur edhe të ketë vendim nga gjykata, ai vendim ka të bëjë vetëm me një rast apo person konkret, për të cilin dyshohet", thotë zoti Kadriu, duke konstatuar se me këto veprime policia ka tejkaluar kompetencat e saj.

Edhe familjet e bastisura pasi mohuan të kenë lidhje me vrasjen e policit, akuzuan policinë për keqtrajtime ndaj tyre, ndërsa në mesin e të bastisurve ishte edhe botuesi i gazetës ‘Koha’, Arben Ratkoceri, i cili po ashtu akuzoi policinë për arrogancë ndaj familjes së tij.

Ndërkohë, eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu, i cili për një kohë ka drejtuar edhe Forumin e të Drejtave të Njeriut, thotë se të gjitha këto raste edhe një herë vërtetojnë pohimet se në Maqedoni nuk ekziston shteti juridik.

“Shteti juridik është në krizë. Ne kemi erozion të moralit në shtetin juridik, organet e shtetit juridik, dhe me këtë bie në pikëpyetje edhe vetë funksionimi i shtetit. Kur nuk funksionon e drejta, kur nuk funksionon shteti juridik, natyrisht se si pasojë e saj paraqitet edhe shkelja flagrante e të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë Osman Kadriu.

Ai mendon se sjelljet e këtilla të policisë rrezikojnë edhe të ardhmen e vendit apo raportet ndëretnike në vend dhe në këtë rast është më se e nevojshme ndërhyrja e partnerit shqiptar në Qeveri, pasi, në të kundërtën, përgjegjësia për të gjitha ndërhyrjet apo tejkalimi i kompetencave të strukturave të sigurisë bie edhe mbi subjektin politik shqiptar në ekzekutiv.

“Ata duhet të iniciojnë procedurën për përgjegjësi konkrete. Nëse ata këtë nuk e bëjnë, atëherë edhe vetë ata do të jenë përgjegjës për situatën e krijuar, që mund të çojë deri në përkeqësimin në shkallë më të lartë të marrëdhenieve ndëretnike dhe kjo nuk do të ishte në interes të Maqedonisë dhe të stabilitetit të saj”, tha Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike dhe ish-drejtues i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
XS
SM
MD
LG