Ndërlidhjet

“Zyrtarët serbë vijnë pa leje – i përcjellë Policia e Kosovës”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Ëndrra qeveritare për njohjen e Kosovës nga 100 shtete deri në fund të vitit, mbeti në gjysmë. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, pohon se numri i njohjeve nuk është ai që është dëshiruar, por arsyetohet se vendi nuk ka diplomaci qind vjeçare. Edhe pse nuk është për t’u nënvlerësuar numri i njohjeve për shtetin më të ri në botë, i njohur nga 53 shtete më të fuqishme të botës, ai është gjysma e parashikimeve të bëra me pompozitet nga kryeministri Thaçi. Ai thoshte se shtetin e pavarur deri në fund të vitit do ta njohin 100 shtete. Opozita për ngërçin në njohje, fajin ia hedh MPJ-së. Sipas saj, institucioneve të Kosovës u ka munguar një strategji e lobimit, e cila ndoshta do të përmbushte “ëndrrën qeveritare”, që Kosova shumë shpejt të bëhet anëtare në OKB. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, kundërshton kritikat e opozitës, duke i vlerësuar si të pabaza, që, sipas tij, shpeshherë janë tendencioze...

KOHA DITORE
Dy delegacione të larta shtetërore serbe, njëra në nivel të ministrave, ndërsa në tjetrën do të jetë përfaqësuesi i presidentit të Serbisë, do të vizitojnë gjatë tri ditëve të ardhshme Kosovën. Për këtë vizitë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë se nuk është e informuar, ndërsa Policia e Kosovës do të bëjë sigurimin e delegacioneve. Ministri për Kosovë, Goran Bogdanoviq, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Milan Markoviq, të hënën do të jetë delegacioni i parë, i cili do të hyjë në Kosovë. Ministri Bogdanoviq do të hyjë nëpërmjet pikës kufitare në Jarinje. Ndërkaq, kolegu i tij, Markoviq, do të arrijë nëpërmjet pikës kufitare të Merdares. Këta do të qëndrojnë për vizitë njëditore në Kosovë... Kërkesat për organizmin e përcjelljes, institucionet serbe i kanë bërë në Zyrën e OKB-së në Beograd...

EPOKA E RE
Kryeministri Hashim Thaçi në koordinim me presidentin Fatmir Sejdiu, brenda pak ditësh, do ta emërojnë shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka bërë të ditur të dielën zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi. “Konsultimet janë në fazën përfundimtare. Kryeministri Thaçi është në konsultime edhe me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, kështu që kanë mbetur edhe pak ditë deri në emërimin e drejtorit të AKI-së”, ka thënë për “Epokën e re” Krasniqi. Ndaj zhargitje së emërimit të shefit të AKI-së, sërish të dielën ka reaguar partia më e zëshme opozitare, AAK-ja. Nënkryetari i kësaj partie, Naim Maloku, ka kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe presidentin Fatmir Sejdiu se janë duke e stopuar emërimin e drejtorit të AKI-së...

INFOPRESS
Përgjegjësit për tregti në Kosovë, vendimin e presidentit amerikan, George Bush, e shohin si mundësi të mirë që prodhuesit amerikanë të vijnë të investojnë në Kosovë dhe nga këtu t’i eksportojnë mallrat e tyre në Amerikë. Presidenti Bush, të shtunën më 20 dhjetor, i ka njohur Kosovës statusin e shtetit, nga i cili mund të importohen mallra pa paguar taksa doganore. “Ky vendim do t’i nxisë fermat amerikane që të futen në tregun e Kosovës, pasi për një gjë të tillë (investitorët amerikanë) edhe kanë shprehur interesim”, ka thënë për “Infopress”, Lutfi Zharku, ministër i Tregtisë dhe Industrisë... Ndërkaq, sa i përket eksportimit në SHBA nga bizneset kosovare, ai ka theksuar se nuk ka informacione se një gjë e tillë ka ndodhur më herët. “Ky problem e do një analizë që nuk mund të bëhet për dy ditë. Duhet një muaj për t’i shikuar kapacitetet se çka mund të eksportohet në SHBA nga kosovarët”, ka thënë Zharku...

ZËRI
Gjenerallejtënant Sylejman Selimi, më në fund, të premten mbrëma, më 19 dhjetor 2008, i kaloi “pengesat” dhe, sapo u procedua nga kryeministri Hashim Thaçi, të nesërmen presidenti Fatmir Sejdiu nënshkroi dekretin për emërimin e tij komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pasojat e shkaktuara me vonesat për gati një muaj në procedimin e kandidaturës së tij nuk mund të kompensohen, ndërkaq procesi i shformimit të TMK-së dhe formimit të FSK-së është shtyrë për një muaj. “Tani, në ditët që kanë mbetur deri në përfundim të vitit, nuk ka shans të bëhet diçka. Vetëm më 5 janar 2009 do të mblidhet Bordi për emërimin e 22 oficerëve të lartë të FSK-së”, ka thënë dje një burim i mirinformuar i “Zërit”, i afërt me oficerët ndërkombëtarë dhe vendorë të angazhuar në këtë proces. Sipas ti, kur u pa se gjërat po vonohen, jashtë çdo parashikimi, ekipi i oficerëve të vendeve të NATO-s, së bashku me disa oficerë vendorë, në një takim të përbashkët ditë më parë, vendosën që i tërë procesi të shtyhet, së paku për një muaj, deri në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm...

KOSOVA SOT
Alarmi i lëshuar nga presidenti slloven për mungesën e një qasjeje të unifikuar të BE_së ndaj Kosovës, është një nxitje tjetër për diplomacinë e re të Kosovës, që duhet të lëvizë në drejtim të marrëveshjes bilaterale në fusha të ndryshme, me të gjitha ato vende që kanë njohur pavarësinë. Analistë kosovarë e quajnë reale deklaratën e disa ditëve më parë të presidentit slloven, Danilo Turk, lidhur me qasjen evropiane ndaj Kosovës. Ai ka thënë se Sllovenia nuk ka mundur të arrinte një qasje unike ndaj Kosovës, më vonë as Franca, dhe nuk do të arrijë as Çekia. Kjo e fundit, përmes ministrit të saj të Jashtëm, kohë më parë ka thënë se prioritet i Presidencës së saj të radhës do të jetë afrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, duke përmendur këtu edhe angazhimin për njohjen e Kosovës nga vendet e tjera evropiane. Diplomacia e Kosovës pritet të ndryshojë planin e veprimit pas hapjes së ambasadave të tjera, i cili duhet t’i paraprijë vendosjes së bashkëpunimit me vendet e tjera dhe forcimin e pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare...

LAJM
Përpjekja qeveritare për të bërë reforma në sistemin juridik, i vlerësuar si mekanizmi më i dobët i funksionimit institucional në vend, në kornizat e përgjithshme duket se përfshin pak ndryshime qenësore. Projekti reformues përfshin organizimin e gjykatave dhe prokurorive, numrin e tyre, shtrirjen territoriale, përbërjen, mandatin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të drejtat e tyre, procedurën e rekomandimit dhe të emërimit, kushtet dhe kriteret për propozimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Por, ende nuk ka mundur të futet elementi më substancial – rritja e pagave. Kësaj radhe stimulimi do të jetë një rritje e pjesshme për vetëm 10 për qind. Ideatorja e nismës për ndryshime dhe njëkohësisht bartëse e këtij procesi, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka një dozë entuziazmi se gjërat do të fillojnë të lëvizin për së mbari, megjithëse ajo edhe më tej nuk do të ketë shumë kompetenca për të bërë ndryshime në sektorin e saj...

EXPRESS
Debatit lidhur me afatin kohor të mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend, i është shtuar edhe qëndrimi i Martti Ahtisaarit, autor i planit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në të cilin thuhet se zgjedhjet duhet mbajtur jo më larg se nëntë muaj nga hyrja në fuqi e këtij propozimi. Pikëpamja e ndërmjetësit finlandez nuk mund të jetë e kënaqshme për partitë opozitare në Kosovë, të cilat vazhdojnë të insistojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke argumentuar se ky është obligim nga pakoja e dalë prej bisedimeve për statusin. “Kam ca simpati me opinionet se ndoshta zgjedhjet nuk janë të nevojshme sipas kornizës kohore ashtu siç kam propozuar me planin tim, sepse ato zgjedhje janë mbajtur”... Megjithatë, përfaqësuesit e partive opozitare në vend kërkojnë që më së largu në vjeshtën e ardhshme, kosovarët duhet të zgjedhin Parlamentin e ri të Kosovës, në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale...
XS
SM
MD
LG